Në këtë 28 Nëntor, Adem Sinanaj tregon historinë e angazhimit të tij në mbështetje të luftës për liri në Kosovë, rrugën e jetës nga Plava në New York, vitet e shkollës, të shpresave dhe zhgënjimeve të mëdha, fillimin e vështirë në mërgim dhe suksesin në biznes
Nga Ruben Avxhiu, “Illyria”
NEW YORK
Adem Sinanaj është një nga bashkëpronarët e restorantit të suksesshëm në Manhattan, “Royal 35 Steakhouse”, në Avenunë e 5-të. Një sukses jo i lehtë në konkurrencën e jashtëzakonshme të industrisë së egër të restoranteve në New York City.
Mirëpo, arritja për të cilën është më së shumti krenar Adem Sinanaj është kontributi që ka dhënë në vitet e luftës për Kosovën, për të mbledhur ndihma e mbështetje për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe ka lobuar e marrë pjesë në protesta e demonstrata në New York dhe Washington përballë OKB-së, Kapitol Hillit, Shtëpisë së Bardhë etj.
Gjatë bisedës së mëposhtme mësova për jetën e tij interesante që fillon nga Plava, ku nuk i lejohej të shkollohej në gjuhën shqipe. Rruga e tij nga mësimi me nënën e tij, me një abetare në shtëpi, te diplomimi si mjek, me klasat e organizuara në shtëpitë private të Prishtinës, për shkak të mbylljes së universitetit nga regjimi i Millosheviqit. Për angazhimin e tij politik në atdhe, emigrimi i detyruar, dhe fillimet e para në Botën e Re.
Këto jetë të këtij brezi shqiptarësh që ndikuan në historinë e vendlindjes së tyre janë një burim i përhershëm kurioziteti, informacioni, e mirënjohjeje. Një falenderim për dr. Adem Sinanaj dhe gëzuar 28 Nëntorin shqiptarëve patriotë kudo që jetojnë!
Po e nisim nga fillimi. Nga vendlindja. Ju jeni lindur në Plavë. Më tregoni pak për origjinën e familjes dhe çfarë mbani mend nga fëminia në Plavë?
Jam lindur në Plavë, më 8 mars, 1964. Babai im ishte Rexhep Sinanaj nga Hoti i Plavës kurse nëna nga Tropoja, Aishe Mulosmanaj, nga fisi i njohur në Shqipëri. Në kohën time në Plavë nuk kishte shkollë fillore ose shkollë të mesme në shqip. Bashkë me vëllezërit edhe motrat e mia jemi detyruar të shkollohemi në gjuhën serbo-kroate. Kështu ishte në Plavë për të gjithë ne fëmijët e asaj kohe.
Nuk ishte e lehtë për ne si familje shqiptare, kur i gjithë rrethi ishin boshnjakë, kurse serbo-malazezët na kishin halë në sy.
Dëshira e nënës ishte që pasi të mbaroja shkollën në Plavë të vazhdoja arsimin në gjuhën shqipe. Por kjo ishte shumë e vështirë. Si do ta bëja unë tranzicionin, në një nivel më të lartë arsimi, kur më mungonin bazat e gjuhës amtare?
Por nëna nuk dorëzohej. Pas orarit të shkollës, kur ktheheshim mbasdite në shtëpi, nëna me një abetare që dikush ia kishte sjellë nga Shqipëria, na mësonte me durim alfabetin shqip. Na mësonte të lexonim dhe shkruanim gjuhën shqipe. Ishte një këmbëngulje shpresëdhënëse në Plavën e asaj kohe.
Pasi na ulte të gjithëve në tryezë, nëna na tregonte historinë e familjes së saj patriote të fisit Mulosmanaj, me figura kombëtare si Ali Binaku, Binak Alija, Mic Sokoli, Shaban Binaku e shumë trima të tjerë të Malësisë së Gjakovës.
Ju keni studjuar dhe jeni diplomuar për mjekësi në Prishtinë. Si ndodhi që e zgjodhët mjekësinë? Cilat ishin planet tuaja në atë kohë?
Dëshira e nënës ishte që të ruanim origjinën tonë autoktone shqiptare. Prandaj na udhëzoi që pas mbarimit të shkollës fillore në Plavë, medoemos të shkojmë në Kosovë e të vazhdojmë shkollën e mesme dhe të lartë në shqip.
Ashtu veprova dhe u vendosa në Prishtinë, ku u regjistrova në shkollën e mesme ekonomike. Kjo qe një periudhë kohore shumë interesante dhe mund të them shumë e vështirë për mua. E vështirë sepse më mungonte arsimi formal në gjuhën shqipe, por amaneti i nënës ishte i rëndësishëm për mua, kështu që iu përvesha studimit që të arrija nivelin e nxënësve të tjerë. Përkushtimi im ishte shume i madh në aspektin kohor e mendor që të dal sa më i suksesshëm.
Po jap një shembull nga ditët e para të shkollës, një ngjarje që më ka mbetur në kujtesë.
Ishte ora e parë e mësimit të kimisë dhe profesoresha na diktonte leksionin, ndërkohë që ne merrnim shënim. Duke qenë se në shkollen fillore kisha përdorur vetëm alfabetin cirilik, ende shkruaja më shpejt me të sesa me alfabetin latin të gjuhës shqipe.
Kështu që shënimet e mia ishin gjysëm shqip e gjysëm me shkronja cirilike. Kur shkova në shtëpi, e lexova dhe e përsërita me mend derisa e mësova si vjershë. Mirëpo, të them të drejtën, nuk kuptoja asgjë nga ajo që kisha shënuar.
Të nesërmen mësuesja na pyeti se kush donte ta përsëriste mësimin e orës së kaluar. Unë isha mësuar të jem i pari në shkollë, kështu që e ngrita dorën dhe ajo më ftoi ta përsërisja leksionin. U ngrita dhe e thashë të gjithin mekanikisht, si vjershë, nga fillimi në fund, por brenda kisha frikë se do të më bënte ndonjë pyetje dhe nuk do të dija t’i përgjigjesha. Për fatin tim të mirë nuk më pyeti asgjë. Më tha të ulem dhe më vuri notën 4 (nga 5 që ishte maksimalja). Ky ishte një stimulim i madh për mua që më dha kurajo që të vazhdoj me përpjekje maksimale dhe në fund ia dola.
Me kalimin e kohës, aftësitë e mia në gjuhën shqipe u rritën në nivelin e duhur. Semestrin e parë e kalova shkëlqyeshëm e të dytin me rezultate shembullore.
Dy vitet e para të shkollës së mesme ishin orientuese. Vitin e tretë dhe të katërt u regjistrova në shkollen e mesme të mjekësisë, ku mora diplomën, falë orëve të gjata të studimit, angazhimit, dhe punës së palodhur. Në vitin 1984, u regjistrova në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Këtu dua të theksoj edhe meritën e motrës së madhe, Hatkës, në arsiminin tonë. Ishte ideja e saj pasiqë ishim gjashtë vëllezër, në familjen tonë të kemi profesionistë të fushave të ndryshme, dy në mjekësi, dy në ekonomi, dhe dy në inxhinieri.
Dhe ashtu ndodhi. Për të plotësuar dëshirën e motrës, disa nga ne edhe pse nuk ishim të dedikuar për ato profesione, u përqendruan në këto degë studimi. Fatkeqësisht ajo vetë nuk kishte mundësi të vazhdonte shkollimin për shkak të rrethanave të kohës. Por ajo jetoi me sukseset e vëllezërve dhe mori kënaqësinë e madhe nga diplomimi i gjashtë vëllezërve të saj, ashtu si kishte kërkuar e nxitur.
Kur kalova në mjekësi, në vitin e tretë të shkollës së mesme, u gjenda me një shoqëri të re në klasë, që nuk i njihja dhe m’u desh të përshtatesha nga fillimi, pôr aty krijova një rreth shoqëror me të cilët jemi të lidhur edhe sot.
Më kujtohet dita e parë e mësimit në shkollën e re, kur hyra në klase dhe pashë që të gjitha bankat ishin zënë nga nxënësit e ulur dy e nga dy dhe nuk kishte ulëse për mua. Nuk u shqetësova. Pashë që në rendin e parë përballë tabelës ishin ulur dy shokë dhe unë menjëherë u ula pranë tyre. Ata ma bënë vendin edhe pse nuk u pëlqeu veprimi im, por unë isha i zhvilluar fizikisht dhe ata e kqyrën njëri-tjetrin dhe nuk thanë gjë. Mirëpo, jo vetëm që u bëmë të tre shokë shumë të mirë, e vazhduam bashkë studimet në Fakultetin e Mjekesise, por edhe sot pas kaq vitesh jemi në kontakt të vazhduar. Shokët e mi të ngushtë ishin dhe janë Nexhat Rrustem, doktor në Zvicër dhe Imer Zylfiu në Gjermani, por këtë lidhje shoqërore e forcoi prezenca e Naim Abazit, sot, doktor dhe këngëtar në Kosovë.
Që nga shkolla e mesme deri në përfundim të Fakultetit të Mjekësisë ishim të pandashëm. Atmosferën e bënte shumë më të hareshme, zëri dhe kënga e bukur e shokut tonë të talentuar, Naim Abasi.
Familja e dr. Adem Sinanajt dha gjashtë intelektualë në kushte të jashtëzakonshme, duke pasur parasysh se ku u rritën dhe u lindën, si e vetmja familje shqiptare në mes të shqiptarëve të asimiluar në boshnjakë dhe serbo-malazezë që në atë kohë i shihnin shqiptarët me urrejtje e armiqësi, veçanërisht pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë.
Në mesin e gjashtë vëllezërve të diplomuar në universitete të ndryshme, dy në ekonomi, dy në inxhinieri dhe dy në mjekësi: dr. Ademi në Prishtinë dhe dr. Xhevati në Zagreb.
Ata sot vazhdojnë suksesin në fusha të ndryshme, në vendlindje dhe në Amerikë. Dr. Xhevat Sinanaj sot është një nga doktorët më të mirë në New York dhe punon në një nga spitalet më të njohura të qytetit, Montefiore Hospital dhe pas 15 vitesh, është emruar drejtor i divizionit në Yonkers.
Çfarë mbani mend nga vitet e shkollës në Prishtinë? Si u transformua situata aty me ardhjen në pushtet të Millosheviqit?
Në atë periudhe fillojnë reprezaljet e regjimit të Millosheviqit si dhe zbatohet plani i tij që ta suprimonte autonominë e Kosovës edhe ashtu të brishtë. Synimi i tij ishte që t’i heqë Kosovës edhe ato pak të drejta që i kishin trashëguar nga Kushtetuta e Jugosllavise së vitit 1974.
Kjo ndikoi drejtpërdrejt edhe në jetën tonë studentore. Unë duhej të diplomohesha në vitin 1989, por zhvillimi normal i mësimeve u bë i pamundur. Millosheviqi e suspendoi autonominë e Kosovës me dhunë dhe të gjithë mësimdhënësit nga Universiteti i Prishtinës në gjuhën shqipe u larguan. U mbyllën të gjitha fakultetet ku ligjërohej gjuha shqipe. Ky qe fati edhe i Fakultetit të Mjekësisë. Regjimi okupues i Millosheviqit u dha ultimatum nxënësve të Fakultetit të vazhdojnë studimet në gjuhën serbokroate. Të gjithë studentët shqiptarë të Universitetit të Prishtinës nuk pranuan një gjë të tillë.
Një pjesë e studentëve u largua të vazhdojnë studimet në qytetet tjera të Jugosllavisë si në Sarajevë, Zagreb, Ljublanë dhe jashtë vendit. Shumica e vazhduan të qëndrojnë në Kosovë dhe pas një periudhe Universiteti i Prishtinës i vazhdoi studimet në gjuhën shqipe, nëpër shtëpitë private. Populli tregoi një solidaritet të jashtëzakonshëm duke ndihmuar studentët duke i strehuar dhe mbështetur falas nëpër shtëpitë e tyre që të vazhdonin mësimet në gjuhën shqipe.
Kështu, me tre vjet vonesë, në vitin 1992, u diplomova në Fakultetin e Mjekësisë.
Në fakt, që kur u vendosa në Prishtinë, në shkollën e mesme në vitin shkollor 1981-1982, ndodhën protestat e studentëve dhe situata ishte me probleme. Një pamje që ka mbetur përgjithmonë në kujtesën time është gjatë mësimit në Shkollën e Mjekësisë që gjendej pranë rrugës që të çon nga Prishtina kah Gjilani, nga Veterniku, ishte magjistralja që lidhte Ulpianën me qendren e qytetit, kur papritmas dëgjuam zhurma të mëdha të autoblindave dhe tankeve të Ushtrisë Jugosllave. Ishin kolona të tëra duke hyrë në Prishtinë. Ishte një ndjenjë tmerri dhe ankthi për mua. Por jeta në Prishtinë në ato vite më dha mundësi të jem pjesë aktive e demonstratave dhe protestave të studentëve kundër okupimit serb në Kosovë. Deri në fund, isha aktiv.
A mundët të punonit mjek në atdhe? Si ndodhi që emigruat këtu në Amerikë?
Meqë as Serbia dhe as Mali i Zi nuk i njihnin më diplomat e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe, u detyrova të kthehem në Plavë, ku kam jetuar deri në vitin 1995. Për vite me radhë u mundova të gjej punë në shërbimin mjekësor dhe jo vetëm aty. Ndërkohë kisha krijuar familje dhe u gëzova me një djalë. Por nuk kishte asnjë të ardhme për mua aty. Jo vetëm punë në profesion nuk gjeja, por angazhimi im në demonstrata dhe aktivitete të shumta si student, pati pasoja që më ndoqën deri në Plavë.
Kur tregova për mbylljen e shkollave dhe universitetit, masat ndëshkuese ndaj shqiptarëve prej regjimit të Millosheviqit ishin në të gjithë institucionet. Kështu edhe shqiptarët nga policia e Kosovës dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punes sepse nuk pranuan të qendrojnë nën komandën e policëve serbë që sollën në Kosovë për të shtypur popullin.
Kështu, shqiptarët organizuan vetë një forcë policore paralele, por nuk kishin zyra për të ushtruar profesionin. Këtu u angazhova unë sepse kisha një shtëpi në lagjen Dragodan (sot Lagjia Arbëria). Aty lëshova katin e katërt të shtëpisë, që u bë zyrë e komandës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Qeverisë së Kosovës. Për shkak të lartësisë, shtëpia ofronte një pozitë nga ku mund të vëzhgohej i gjithë qyteti i Prishtinës.
Më kujtohet kur Zv-Ministri i Punëve të Brendshme Jonuz Terstena me stafin e tij më të ngushtë organizoi stacionin e përgjimit dhe përcjelljes së policise së Serbisë në veprimet e tyre kundër popullatës së Kosovës. Kështu që për 3 vite me radhë ata zhvilluan aktivitete në përgjimin e policisë së dhunshme në aksionet e tyre të perditshme.
Nga informacionet që merreshin, shumë qytetarë të Prishtinës që ishin nën vëzhgimin e policisë serbe lajmëroheshin në kohë dhe arrinin të iknin e të strehoheshin përpara se të mbërrinte policia e dhunshme e Serbisë.
Në 1996, pasi mësova se UDB-ja e Serbisë kishte shpallur edhe një fletëkërkim për mua, e kuptova se edhe në Plavë nuk isha më i sigurtë. Kështu u detyrova të largohem nga vendlindja, për të shmangur arrestimin. Me peripeci të shumta, kalova nga Mali i Zi në Itali, Gjermani e Belgjikë. Qendrova 8 muaj në Belgjikë duke kërkuar azil politik, nuk arrita ta siguroj azilin kështu që zgjedhja tjetër ishte të vija në Amerikë. Këtu, në New York, kisha familjen e gjerë dhe në vitin 1996 mbërrita këtu.
Më tregoni pak për fillimet këtu? Për ditën e parë? Për vendin e parë të punës? Si iu duk Amerika kur mbërritët?
Sa zbrita në Aeroportin Kennedy, më priti vëllau Haziri dhe u gëzova shumë, por ishte një ndjenjë e përzjerë me brengë, sepse kisha lënë pas shoqen dhe djalin, i cili ishte vetëm 10-muajsh kur u largova nga Mali i Zi. I kisha lënë te prindërit e shoqes që të kujdeseshin për ta deri sa të fitoja azilin politik dhe të aplikoja për bashkim familjar.
Të them të drejtën, përshtypja e parë nga ndërtesat e rrugës kah Bronxi ishte se ngjanin si rrënoja lufte. Nuk kishin lidhje me arkitekturën e Europës, por shpejt u mësova me këtë jetë të shpejtë dhe dinamike të New York-ut.
Fillimi ishte i vështirë sepse jeta këtu ishte ndryshe nga gjithshka që kisha njohur e jetuar deri atëhere. E mbaj mend punën e parë në New York, që ma siguroi shoku im i vjetër nga Prishtina, pronari i gazetës “Illyria”, zoti Vehbi Bajrami.
Duket se ju menjëherë u angazhuat për lirinë e Kosovës edhe këtu. Çfarë bënit në atë kohë për të ndihmuar?
Kur erdha në New York u angazhova në veprimtari të komunitetit shqiptar këtu, duke marrë pjesë në protesta dhe demonstrata që organizoheshin kundër regjimit të Serbisë në Kosovë me synimin për të sensibilizuar opinion amerikan dhe ndërkombëtar. Shumë prej këtyre mbaheshin këtu në New York pranë Kombeve të Bashkuara dhe në Washington pranë Kapitol Hillit dhe Shtëpisë së Bardhë duke ndihmuar që opinioni i gjerë amerikan dhe botëror të njihej me padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar në Kosovë dhe ish-Jugosllavi nga regjimi i Millosheviqit.
Së pari, u angazhova në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit me zyrën në Arthur Avenue, në Bronx. Kryetari i kësaj shoqate ishte një patriot i çështjes kombëtare, Ismet Berisha.
Më vonë në vitet 1997-98, kur filloi lufta në Kosovë u angazhova në Fondin Vendlindja Thërret që ishte fond i dedikuar për ndihmë të Luftës Çlirimtare të Kosovës. Këshilli Qendror u formua në Zyrën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit -kryetar ishte Muharrem Dovolani së bashku me Florin Krasniqin një atdhetar e patriot i palodhshëm i çështjes kombëtare. Ishte ai që më bindi t’i bashkangjitem Fondit.
Në këtë fond së bashku me anëtarë të tjerë dhamë një kontribut të madh në grumbullimin e shumave të mëdha financiare por edhe në masovizimin e numrit të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar të Amerikës dhe Kanadasë që t’u bashkohen kësaj thirrjeje të shenjtë e historike për shpëtimin e Kosovës nga krimi dhe gjenocidi i regjimit të Millosheviqit. Dhe ia dolëm më në fund me një triumf historik që Kosova të bëhet shtet i pavarur.
Në Fondin Vendlindja Thërret keni qenë koordinator për Amerikën dhe Kanadanë. Si e kujtoni atë kohë? Çfarë pune bënit konkretisht? Si reagonin njerëzit që kontaktonit?
Në Fondin Vendlindja Thërret unë kam shërbyer si koordinatori i Fondit i emëruar nga Muharremi dhe Florin Krasniqi meqë bindja e tyre ishte që unë si doktor kisha fituar një autoritet në komunitetin shqiptar si njeri me aftësi bindëse. Në atë kohë ishte nevoja për të folur e bindur njerëzit në komunitet që të kontribuonin sa më shumë me të mira materiale për të ndihmuar luftën çlirimtare të popullit shqiptar, UÇK-në. Po ashtu duheshin organizuar njerëzit që të dilnin në protesta e demonstrata përpara OKB-së por edhe në Washington ku qëllimi ishte të bindej Amerika që të ndërhynte për të ndalur masakrat dhe gjenocidin që regjimi i Millosheviqit zbatonte në Kosovë në vitet 1998-1999.
Në fillim ishte e vështirë që shumica e komunitetit shqiptar këtu në New York me rrethina të bindej se ekzistonte vërtet UÇK-ja dhe se djemtë dhe vajzat shqiptare po luftonin natë e ditë për të mbrojtur pragjet e shtëpive dhe familjeve të tyre. Mirëpo, puna jonë dha rezultate. Në takime e tubime të ndryshme që i udhëhiqja unë, njerëzit filluan të binden. Ndjehesha krenar kur më vlerësonin dhe thonin se pasi dr Adem Sinanaj thotë që UÇK ekziston, atëhere duhet ta ndihmojmë. Më në fund angazhimet e mia dhe të shumë patriotëve të tjerë shqiptarë në SHBA dhe anembanë botës dhanë rezultate. Shqiptarët u bashkuan rreth kauzës së Kosovës në luftë dhe pas luftës deri sa Kosova u bë shtet i pavarur dhe sovran, dhurata më e madhe për kombin shqiptar.
Këtu dua të përmend dy persona, për mua të rëndësishëm dhe të veçantë, me të cilët u angazhuam së bashku në Fondin Vendlindja Thërret. Ata ishin i ndjeri Prel Sinishtaj dhe Gjekë Gjonlekaj, që kurrë nuk e ndalën angazhimin e tyre për ndihmën e UÇK-së.
Paratë e para për Fondin Vendlindja Thërret i kam mbledhur ne restorantin e shokut tim Vasel Dedvukaj, i cili na e liroi restoranin falas për tubimin e komunitetit si dhe shoku im Pashku Rroku Camaj që u angazhua pa u ndalur deri në përfundimin e luftës në Kosovë dhe më vonë.
Ishte ideja ime që të bëjmë thirrje për vullnetarë nga komuniteti shqiptar për t’iu bashkangjitur UÇK-së. Dhe kjo ide u përkrah nga anëtarët e tjerë të Këshillit të Fondacionit Vendlindja Thërret. Thirrjes iu përgjigjën menjëherë shumë të rinj shqiptarë në SHBA që kishin qenë të gatshëm për t’iu bashkuar luftës. Kjo çoi pastaj në themelimin e Batalionit “Atlantiku”.
Si e pritët lajmin e hyrjes së NATO-s në luftë? Po nga dita e çlirimit të Kosovës, çfarë ju kujtohet?
Për Perëndimin ishte mbushur kupa dhe Aleanca Veriatlantike e caktoi shpëtimtarin e Kosovës, Gjeneralin me katër yje Wesley Clark për ta udhëhequr ekspeditën e ndëshkimit ndaj Millosheviqit dhe Serbisë për krime dhe gjenocid të bërë në Kosovë. Pas 78 ditëve të bombardimit të infrastrukturës ushtarakopolicore e detyruan Millosheviqin të kapitullojë e të terhiqet nga Kosova me Marrëveshjen e Kumanovës
Hedhjen e bombës së parë mbi Serbinë nga NATO-ja më 24 mars 1999 e kam përjetuar si fillimin e fundit të regjimit të Millosheviqit në Kosovë dhe krijmin e shtetit të pavarur të saj. Per mua dhe për të gjithë shqiptarët anembanë globit ishte një mrekulli e papërshkrueshme që aleanca më e madhe ushtarake botërore po intervenonte kundër Serbisë për ne. Isha angazhuar për të ndihmuar UÇK-në dhe isha angazhuar që SHBA dhe opinioni ndërkombëtar të ndihmonte Kosovën dhe të dyja tani ishin bërë realitet. Ky ishte një moment i jashtëzakonshëm që kurrë nuk do të harrohet dhe tërë jetën do të jetë në kujtesën time.
Pas çlirimit të Kosovës në qershor të vitit 1999, hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë ishte gjithashtu moment shumë emocionues, kur të gjithë shqiptarët anembanë Kosovës pritën me entuziazëm të madh ushtarët e NATO-s.
Pas çlirimit keni bërë një vizitë që mbahet mend shumë, bashkë me veprimtarët e tjerë të njohur Kolë Zagreda dhe Pashko Gjokaj udhëtuat për në Kosovë kur shpërndatë 76,000 dollarë ndihma të mbledhura nga komuniteti shqiptar. Po ashtu edhe për TMK-në. Çfarë mbani mend nga ajo vizitë? Si ju pritën njerëzit? Si ju duk Kosova?
Ishte shtatori i vitit 1999, kur unë, Kolë Zagreda, Pashko Gjokaj dhe Mark Gecaj shkuam në Kosovë që të shohim si dukej atdheu i pasluftës. Meqë kishim një fond nga Malsorët e Amerikës vendosëm që tme këtë rast të dërgojmë ndihma materiale në disa komuna të Kosovës që sadopak t’u dilnim në ndihmë.
Nga New Yorku kur zbritem në Aeroportin e Shkupit na priti një miku im i ndjerë Shaban Kastrati, patriot dhe atdhetar nga Drenica. Në Prishtinë, u vendosëm ne Hotelin Grand në qendër të qytetit. Të nesërmen, Shabani na organizoi takime me përfaqsuesit e disa komunave që ishin nga më të dëmtuarat gjatë luftës, në mënyrë që të shpërndajmë ndihmat finanaciare që ishin grumbulluar nga Shoqata Malesia e Madhe, në New York.
Këtë ndihmë materiale ua dhamë komunave të Gjakovës, Malishevës, Glogovcit, Podujevës, Skënderajt. Po ashtu edhe një shumë të hollave ia dorëzuam Trupave Mbrojtëse të Kosovës që ishin posaformuar pas luftës. Kudo që kemi bërë vizitë na pritën dhe nderuan me një entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ishte ndjenjë e veçantë. Të gjithë përfaqësuesit e komunave që patëm rast t’i takojmë shprehnin falenderim të jashtëzakonshëm për diasporën shqiptare të Amerikës si kontribuesja më e madhe e lirisë së Kosovës.
Një kënaqësi e veçantë ishte edhe takimi me gjeneral Agim Çekun, në zyrat e Trupave Mbrojtëse të Kosovës. Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të jesh prezent në mesin e ushtarëve të tu shqiptarë.
Më vonë keni mbledhur ndihma edhe për Ushtrinë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, si dhe për popullin e Luginës së Preshevës. Më tregoni diçka edhe nga ajo kohë?
Pas çlirimit të Kosovës, shumë ushtarë e komandantë të UÇK-së nuk pajtoheshin me padrejtësitë që iu bëheshin bashkatdhetarëve tanë në Luginën e Preshevës (Kosovës Lindore) dhe vendosën të shkojnë në ndihmë të tyre, për të mbrojtur atë popullatë nga dhuna sistematike e regjimit të Serbisë. Atyre prej shekujsh u mohohej e drejta e tyre legjitime për të jetuar të barabartë me popujt e tjerë në atë rajon të okupuar nga Serbia.
Aty ishte formuar tashmë Shtabi i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me në krye Shefqet Musliun dhe Komandant Lleshin. Ata luftëtarë të lirisë kishin nevojë për ndihma të formave të ndryshme për t’i përballuar vështirësitë e luftës në këtë rajon.
Kështu rinisi puna jonë për të mbledhur e dërguar shuma të konsiderueshme materiale dhe kjo vazhdoi deri në momentin kur përfaqësuesit ndërkombëtarë, me në krye Charls Robinson arritën marrëveshjen e paqes për atë rajon. Se sa mund t’i besohet Beogradit e tregon një shembull i qartë: pikërisht në kohën kur diku tjetër po nënshkruhej marrëveshja e paqes mes shqiptarëve të UÇPMB-së dhe Serbisë, u qëllua pabesisht për vdekje nga serbët me snajper komandant Lleshi. Për mua dhe gjithë shokët kjo ishte një tronditje e madhe.
Do mbeten të paharruar këta dëshmorë të kombit shqiptar!
Si ju duket gjendja në Kosovë sot? Si i keni parë zhvillimet në vite?
Me hyrjen e forcave të NATO-s u kthyen në Kosovë edhe popullata e larguar me dhunë nga Serbia. Megjithëse i gjetën shtëpitë dhe pronat e tyre të djegura e të shkatërruara deri në themel, shpresa dhe gëzimi i madh i tyre për lirinë u dha forcë që të rindërtojnë Kosovën nga e para.
Rezistenca e madhe e popullit, ndihma dhe puna kolosale e diasporës shqiptare në Amerikë, por edhe në Europë e gjetiu, si dhe me ndihmën e miqve perëndimorë rezultuan në krijimin e shtetit më të ri në Europë. Robërisë nga Serbia i erdhi fundi, Kosova më në fund u bë shtet.
Për mua personalisht, shpresa dhe pritja ka qenë shumë e madhe. Që pasi Kosova u be shtet kam pritur që edhe fëmia nga djepi do të ngritet në këmbë dhe ta ndërtojnë Kosovën vërtet shtet si duhet, me të gjitha të mirat që meriton t’i ketë. Por, pavarësisht nga sakrificat e popullit, qeveritë e pasluftës nuk treguan aftësi, sinqeritet e përkushtim real për Kosovën. Korrupsioni, lakmia, ineresat e ngushta të grupeve të caktuara të udhëheqjes së pasluftës nuk lejuan që të zhvillohet dhe rritet shteti i Kosovës ashtu si kam pritur unë dhe shumë shqiptarë të diasporës.
Megjithatë Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, i njohur nga shtetet më të fuqishme të botës kështu që Serbia e ka humbur Kosovën përgjithmonë, ashtuqë ka shpresa të mëdha që Kosova do ta gjejë rrugën që të ecë mbarë e mirë në të ardhmen.
Tani Kosova i ka zgjedhur tre liderët më të mirë që ka pasur deri tani që prej çlirimit 25 vjecar: Presidenten Vjosa Osmanin, gjeni e politikës kombëtare e ndërkombëtare, Albin Kurtin, kryeministër guximtar i përgatitur intelektualisht e politikisht, njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe burrështetas i pakorruptuar dhe i patrembur që mbarë kombi shqiptar krenohet me të, si dhe Glauk Konjufcën, njeriu me dinjitet dhe sinqeritet të pashoq, për të cilin gëzoj respektin më të madh.
Sot, ju jeni bashkëpronar i një nga restoranteve më të njohura në Manhattan, “Royal Steakhouse”. Cili është sekreti i suksesit tuaj në biznes, nëse mund ta ndani me ne? Çfarë keni mësuar nga puna në këtë biznes të vështirë e konkurrues?
Në fillim punoja në dy vende pune, që të plotëoja shpenzimet e familjes dhe pas 10 vitesh kursimesh e përvoje të fituar, vendosa me dy shokë të tjerë të bashkojmë forcat dhe të hapim një restorant të mirë. Keshtu që në vitin 2016 e hapëm restorantin në 5th Avenue dhe Rrugën e 35-të, afër ndërtesës së famshme Empire State Building. E emëruam “Royal 35 Steakhouse”. Në fillim ishte shumë vështirë, por duke punuar natë e ditë, pas disa viteve, u bë një ndër restorantet më të famshme në New York City.
Ky është një qytet ku konkurrenca mes restoranteve është jashtëzakonisht e madhe por sekreti i suksesit është i thjeshtë: ushqimi i shkëlqyeshëm, sherbimi i jashtzakonshëm e profesional, si dhe mikpritja e pazëvendësueshme që na buron prej traditës shqiptare.
Mysafirët që vijnë shpesh në restorantin tonë gjithmonë impresionohen dhe më pyesin se si ka mundësi që një mjek ka zgjedhur të jetë pronar restoranti. Unë u përgjigjem se “ushqimi i mirë – shëndeti i mirë”. Kështu thonë të gjithë mjekët kudo në botë. Ne u shërbejmë ushqime cilësore që ndikojnë në shëndetin e klientëve.
Kështu, me pak humor, me sjellje të mirë, me punë të madhe dhe me respekt për klientët jo vetëm në restorant por kudo tjetër në jetë mund të dalësh i fituar.