Nga Bashkim Kastrati
Ramush Haradinaj para se të vinte në krye të qeverisë ka bërë premtime të shumta. Këto premtime janë fokusuar edhe në aspektin ekonomik. Por, 100-ditëshi nuk tregon për ndonjë rezultat në këtë fushë që do ta bënte atë të mburrej.
Duhet theksuar se Haradinajt i ra barra qysh në fillim me krizën energjetike për shkak të shpronësimeve në fshatrat Hade dhe Shapitullë, në të cilat ka sasi të madhe të thëngjillit . Ai është marrë intensivisht me këtë çështje dhe ka ofruar një marrëveshje konkrete, por që ende nuk është nënshkruar nga pronarët e atyre shtëpive.
Përsa i përket ndonjë iniciative për sjelljen e investimeve nuk ka asgjë konkrete. Në këtë drejtim nuk ka pasur asgjë konkrete as nga Ministria e Tregtisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik apo ministria e re e Inovacionit. Njohësit e fushës ekonomike thonë se kryeministri Haradinaj nuk ka lënë ndonjë gjë pozitive në aspektin ekonomik në 100 ditëshin e parë të tij.
Ekonomisti Lulzim Beqiri ka thënë për tesheshi.com se nuk është vërejtur ndonjë rezultat konkret në aspektin e zhvillimit ekonomik.
“Është goxha sfiduese për një ekonomist të analizojë raportin 100-ditor të qeverisë Haradinaj, jo pse ka elemente të vështirë për t’i kuptuar, por pse ka aq shumë skandale sa që nuk ke ku t’ia fillosh për ta analizuar raportin 100-ditësh”, thotë Beqiri.
Ai thotë se janë katër gabime skandaloze të qeverisjes Haradinaj në aspektin ekonomik:
Falja e borxhit kompanive ambalazhuese të ujit që kap vlerën e 60 milionë eurove, është mesazh negativ. Kryeministri nuk ka kompetencë sipas kushtetutës të falë borxhe, këtë kompetencë e ka vetëm Kuvendi i Kosovës, andaj këto borxhe janë falur krye në vete, sepse ato kompani (kompanitë e prodhimit të ujit) financiarisht qëndrojnë mirë dhe nuk kanë pas nevojë për një falje të tillë të borxhit.
Marrëveshja me banoret e Fshatit Shipitullë, nga një buxhet i parashikuar prej 4.5 milionë euro është rritur në mbi 36 milionë euro dhe kjo e ka dëmtuar tej mase buxhetin e shtetit, duke pasur parasysh se në atë vend ka pasur tepër manipulime.
Rritja e pagave për vete dhe për vartësit e vet. Eshtë vendimi më skandaloz i mundshëm, vendimi i kryeministrit për ngritje të pagës për veten dhe rrethin e vet, madje është përtej skandalit. Duhet pasur parasysh se në Kosovë me asistencë sociale jetojnë 27 mijë familje, me 270 mijë anëtarë, ose 15.1% e popullsisë janë në skemën sociale. Buxhetit të shtetit 71 zëvendësministra do t’i kushtojnë hiç më pak se 10 milionë euro në mandatin katërvjeçar (paga, telefoni, dreka, nafta, paga pas përfundimit të mandatit 6 muaj etj), duke mos llogaritur rritjen aktuale të pagave. Mos harrojmë që kryeministri i vendit ka pagën pothuajse me te madhe ne vendet e Ish-Jugosllavisë. Sllovenia: 4700 euro, Kosova: 2950 euro, Kroacia: 2600 euro, Maqedonia: 1300 euro, Mali i Zi: 1130 euro, Bosnja-Hercegovina: 1070 euro, Serbia: 1000 euro. Kujtojmë që Kryeministri Haradinaj i pati rritur pagën vetes edhe në mandatin e parë të Qeverisë së tij.
“Pra nuk duhet krenuar me një raport skandaloz, këto janë gjëra që prekin drejtpërdrejti xhepin e qytetarit. Mendoj se ka edhe disa nga vendimet pozitive që kryeministri ka marrë në dobi të qytetarëve, shkarkimi i bordeve drejtuese të cilët i kanë sjellë ndërmarrjet publike buzë falimentimit, pastaj vendimi për aprovimin e ligjit për kryeqytetin, pastaj kërkesa për pallatin e rinisë që t’i takojë Komunës së Prishtinës”, theksoi Beqiri.
“100 ditëshi u harxhua duke emëruar zv.ministra”
Ekonomisti Mustafë Kadriaj ka thënë për tesheshi.com se marrja e mandatit nga Haradianj ka ardhur si rezultat i një maratone të bisedimeve dhe një ngërçi politik për tre muaj. Ai thotë se ky ngërç ka pasur edhe efektet negative sidomos në aspektin ekonomik.
“Formimi i qeverisë është bërë me një presion dhe me një numër jo shumë të sigurt të deputetëve, sepse koalicioni me AKR-në vetëm i mori një pjesë të madhe të qeverisë në kundër vlerë të dy deputetëve. Kjo situatë, kryeministrit aktual i imponoi një qeveri megalomane duke shtuar dy ministri të reja si dhe një numër rekord të zëvendësministrave që e kaloi shifrën 70, e mos të flasim për këshilltarë dhe administratë shtesë”, thotë Kadriaj.
Ai thotë se duke u bazuar në problemet e përmendura këtu, kryeministrit aktual, 100 ditë i kanë shkuar me çështje administrative dhe duke emëruar zv.ministra dhe duke rehatuar militantë partiakë nga të gjithë partnerët e koalicionit pa kurrfarë cilësie, por që mjafton në të jenë të dëgjueshëm ndaj padronëve.
“Sikur nuk u mjaftua kryeministri aktual me ngarkesën me ministra dhe zv.ministra, por mori një vendim aspak të dinjitetshëm, duke ia rritur pagën vetvetes dhe stafit qeveritar. Veprim ky që ka nxitur një reagim tek qytetarët duke shprehur indinjatën përmes aksionit për mbledhjen e kravatave për kryeministrin me moton dhuratë nga qytetarët e varfër”, theksoi Kadriaj.
Ai konsideron se në 100 ditët e para të qeverisë Haradinaj nuk ka pasur ndonjë sinjal pozitiv sa i përket sektorit të ekonomisë.
“Për këto 100 ditë, kjo qeveri nga aspekti ekonomik është cilësuar qeveri që vetëm e ka rënduar buxhetin e Kosovës, duke mos reflektuar asnjë veprim që të kemi investime dhe një reflektim në hapjen e vendeve të punës, por çdo ditë duke renduar jetën e qytetarit. Mendoj që reflektimi më i mirë është raporti i fundit i Agjencisë së Statistikave të Kosovë që tregon për rritje të papunësisë”, u shpreh Kadriaj. /tesheshi.com/