Ka një frazë që ka mbetur në analet e diplomacisë ndërkombëtare gjatë operacionit turk në Qipro. Në Gjenevë zhvilloheshin negociatat mes fuqive të mëdha, Turqisë dhe Greqisë për çështjen e Qipros. Britanikët nuk zbatuan marrëveshjet e firmosura nga vetë ata dhe përgjonin telefonatat e zyrtarëve turq për të parë çdo të ndodhë. Por ministri i Jashtëm i Turqisë, Turan Gunesh ( i cili kishte rënë dakord më parë për frazën) i thotë Kryeministrit të tij, Bulent Ecevit se “Aishja mund të shkojë me pushime”. Askush nuk e kuptoi dhe pas një ore e 60 minutash trupat detare dhe tokësore të ushtrisë turke ndërhynë në Qipro dhe zbrapsën forcat greke.
41 vjet më parë, më 20 korrik t vitit 1974 Turqia ndërhyri ushtarakisht në Qipro pasi junta ushtarake greke ndërmori një puç ushtarak në Qipro duke pezulluar të gjithë institucionet e përbashkëta të vendit që ishin ngritur nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe duke kryer një spastrim etnik në një numri të madh të popullsisë turke të ishullit.
Në atë kohë, Turqinë e drejtonte një qeveri koalicioni të përbashkët ndërmjet Partisë Popullore Republikane të drejtuar nga Bulent Ecevit dhe Partisë për Shpëtim Kombëtar të Nexhmedin Erbakan.
Në momentin që jeta e turqve të Qipros u vu në rrezik, Ecevit urdhëron operacionin “Atila” i cili për një muaj arriti të pushtojë 40% të Qipros duke vendosur statukuonë që është në fuqi dhe ndaluar grekët që të pushtonin ishullin strategjik në Mesdhe.
Në lindje të Mesdheut, shumë afër qytetit të Mersinit ndodhet ishulli i Qipros, i cili është kthyer në simbolin e bukurisë. Ai përmendet si vendi, ku ka lindur dhe ka dalë për herë të parë në tokë, mbretëresha e bukurisë në mitologji, Afërdita. Ishulli njihet në të gjithë botën me bukuritë natyrore të pashoqe që ka.
Turqia e quan operacionin e Qipros si “Operacioni i Paqes”, i cili ka siguruar edhe një herë qetësinë e prishur në ishullin me dy komunitete.
Ishulli i Qipros ndodhet në verilindje të Mesdheut, në një pozitë të rëndësishme të rrugëve tregtare ndërmjet Anadollit dhe Libanit, Sirisë, Izraelit, Palestinës e Egjiptit. Për shkak të pozitës strategjike që ka, ishulli gjatë të gjithë historisë është përballur me pushtime dhe sulme të forcave sovrane që kanë dashur të kontrollojnë rrugët e tregtisë detare. Ishulli është ngërthyer nga shumë qytetërime dhe bart gjurmët e të gjitha këtyre qytetërimeve. Ndërsa osmanët ishullin e kanë marrë në vitin 1573, në kohën e Sulltan Selimit të 2-të, në luftën e ushtrisë osmane me venedikasit, ku ushtria osmane doli fitimtare. Nën sovranitetin osman grekëve që jetonin në ishull iu njohën të drejta të gjera, u lanë të lirë të zbatojnë normat e të drejtës së tyre dhe të ushtrojnë besimin e tyre fetar. Me ngadhënjimin e ishullit nga krahinat të ndryshme të Anadollit emigroi këtu një popullsi turke.
Në këmbim të mbështetjes që Anglia i dha Shtetit Osman gjatë luftës osmano-ruse të vitit 1878, ishulli iu dha me qira Britanisë për një periudhë 150-vjeçare. Kështu në ishull rivendoset edhe një herë sovraniteti anglez, i cili kishte filluar gjatë fushatave kryqtare. Me hyrjen në luftë kundër Anglisë gjatë Luftës së Parë Botërore, në ishull Shteti Osman kishte emëruar një guvernator (vali) dhe e kishte pranuar ishullin si territor britanik. Në bazë të Traktatit të Paqes që u firmos në Lozanë pas Luftës Çlirimtare Turke, Turqia e pranoi sovranitetin anglez në ishull dhe dërgoi këtu një konsull. ENOSIS-i, pra përpjekja e banorëve grekë të Qipros, që ishin kundër sovranitetit anglez në ishull, për t’u bashkuar me Greqinë kishte filluar që në vitin 1931. Pushteti britanik donte të merrte nën kontroll trazirat dhe ndaloi mësimin e historisë greke dhe turke nëpër shkolla si dhe varjen e fotografive dhe portreteve të heronjve. Administrata britanike në ishull i rriti gradualisht presionet kundër tentativave për kryengritje popullore.
Në vitin 1955 organizata EOKA, e krijuar nga grekët e Qipros, filloi përpjekjen e saj të armatosur. Ndërkohë kishte edhe përleshje ndërmjet turqve dhe grekëve të ishullit. Në vitet 1960 u krijua Republika e Pavarur e Qipros, e cila do të udhëhiqej bashkërisht nga turqit dhe grekët. Kryetari i shtetit zgjidhej grek, kurse zëvendësi zgjidhej turk. Ndërsa Këshilli i Ministrave formohej në raport me numrin e banorëve që kishte secili komunitet. Republikën e Qipros e njohën Anglia, Greqia dhe Turqia, të cilat ishin edhe shtete garantuese. Në vitin 1963 sulmet e grekëve arritën kulmin. Si shprehje e mbështetjes ndaj komunitetit turk avionët luftarakë të Turqisë bënë disa fluturime mbi ishull. Turqia donte të garantonte sigurinë e jetës së turqve qipriotë duke zbarkuar forcat e saj në ishull. Vetëm se një letër e qeverisë amerikane, e cila në histori ka hyrë si Letra Johnson, parandaloi hyrjen e Turqisë në ishull. Amerika, e cila ndihma në armatime i bënte edhe Greqisë, edhe Turqisë, nuk donte që këto armë të përdoreshin në një luftë të mundshme që do të zhvillohej ndërmjet vendeve anëtare të NATO-s.
Duke qenë se në ato vite Turqia nuk kishte anije të mjaftueshme zbarkimi, nuk e bëri dot ndërhyrjen në ishull më herët. Ndërkohë nga njëra anë bëhej armatosja dhe stërvitja ushtarake e turqve qipriotë me qëllim për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i mundshëm. Në këtë periudhë kemi nisma reciproke për fushata intensive propagandimi. Si pasojë e viteve që kaluan në një klimë konfliktuale dhe me masakra të ndërsjellta situata degradoi deri në vitin 1974. Me puçin ushtarak që u realizua në Greqi u bënë përpjekje për të zbatuar planet e ENOSIS-it. Duke filluar që nga viti 1963 Turqia kishte bërë përgatitjet e nevojshme dhe kishte plotësuar mangësitë për një zbarkim të mundshëm.
Bulent Ecevit dhe Nexhmedin Erbakan, dy ortakët e qeverisë së asaj kohe në Turqi, morën vendimin për të ndërhyrë në ishull. Ndërkohë ishin evituar edhe kundërshtimet e Anglisë, e cila kishte në Ishull një bazë ushtarake dhe mbante ende statusin e shtetit garantues. Tani kishte ardhur dita e pritur. Me qëllim për të siguruar që populli turk i Qipros të takohej me flamurin turk, në datën 20 korrik 1974 nga njëra anë në ishull u dërguan desantë parashutistësh, kurse nga ana tjetër një pjesë e trupave zbarkuan në brigjet e Girnes. Luftimet vazhduan ndërmjet datave 20 korrik – 14 gusht dhe u finalizuan me fitoren turke.
Në këtë ngjarje Turqia përdori kompetencat e shtetit garantues, të cilat i njihnin Ankarasë të drejtën për të garantuar jetën e turqve qipriotë. Me zbarkimin që bëri në ishull, Turqia vendosi sigurinë pothuajse në gjysmën e ishullit.
Junta greke, e cila nuk arriti ta pengojë dot realizimin e Operacionit Paqësor dhe që pësoi një disfatë të madhe, u detyrua t’ia lërë vendin demokracisë.
Ndërkaq me negociatat që vazhdojnë me ndërmjetësimin dhe kujdesin e Kombeve të Bashkuara, vazhdojnë edhe përpjekjet për një bashkim të të dy komuniteteve në të ardhmen nën një bashkëqeverisje të drejtë. Këto negociata mbështeten edhe nga Turqia dhe do të formësojnë strukturën politike dhe administrative të ishullit në të ardhmen.
/tesheshi.com/