Presidenti i UEFA-s, Michel Platini pritet të njoftojë brenda kësaj jave kandidaturën për postin e kreut të qeverisë së futbollit botëror, FIFA. BBC raporton se Platini ka vendosur të kandidojë pasi ka marrë mbështetjen e konfederatave të katër kontinenteve, e pritet të hyjë në garën që do të përmbyllet me zgjedhjet në kongresin e jashtëzakonshëm të FIFA-s më 26 shkurtin e ardhshëm.
Ish-mesfushori i kombëtares franceze dhe Juventusit, tashmë 60-vjecar do të shpallë të mërkurën kandidimin e tij për postin që prej vitit 1998 mbahet nga Sepp Blatter.
Ky i fundit dha dorëheqjen si rezultat i një skandali korrupsioni në organizatë.
Platini mësohet se përvec konfederatës Europiane të Futbollit ka marrë mbështetje edhe nga Amerika e Jugut, Amerika Qendrore, Veriore dhe Karaibet dhe në një hap domethënës, edhe nga konfederata aziatike.
Nëse secila prej shoqërive të futbollit në këto konfederata do të votonte për të, Platini mund të merrte 144 vota, tërësisht të mjaftueshme që ai të zgjidhej si pasardhës i Blatter.
Kjo thonë analistët e futbollit, ka pak gjasa të ndodhë për shkak se një numër shoqërish mbështesin kandidatë rivale ose do të abstenojnë, mirëpo Platini pritet të marrë, sidoqftë një numër të mirë votash.
Kandidatët kanë kohë deri më 26 tetor për t’u regjistruar. /tesheshi/