Fundjavën që lëmë pas, futbollistët shqiptarë që luajnë në Europw e kaluan pa shumë zhurmë. I vetmi që la gjurmë këtë wikend ishte sulmuesi Armando Sadiku që realizoi për skuadrën e tij Zyrih, në përballje me Tunin.
Bateritë e legjionarëve duket se janë harxhuar në kualifikimet që kombëtarja shqiptare i mbylli me mjaft sukses në Armeni. Shumë nga kuqezinjtë e kanë nisur ndeshjen nga stoli, ku disa prej tyre nuk luajtën për asnjë minutë.
Asnjë minutë për gardianin e portës shqiptare, Etrit Berisha, që me rikthimin e Marketit rikthehet sërish në stol. Lazio e humbi ndeshjen 2-1 me Berishën jashtë loje. Nga stoli i rezervave ndeshjen e ndoqi edhe kapiteni Lorik Cana, po kështu dhe Ermir Lenjani i ndëshkuar.
Berat Gjimshiti, kalaja mbrojtëse e kombëtares shqiptare ishte i plotë me skuadrën e tij Zyrih në disfatën ndaj Tunit, por ndërkohë ndeshjen e shijoi për 20 minuta edhe futbollisti tjetër i përfaqësueses, Burim Kukeli.
Të drejtë loje nuk pati as Taulant Xhaka, që u ndëshkua javë më parë me karton të kuq, ndërkohë tani vuan pezullimin prej katër ndeshjeve.
Ndërkohë, Elseid Hysaj ishte i plotë në triumfin e Napolit në duel ndaj Fiorentinës, (2-1). Mbrojtësi i krahut të djathtë ka patur një paraqitje solide në ndeshjen e cilësuar si derbi i javës së tetë në kampionatin italian.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Alban Meha, ka qenë në fushë që nga minuta e parë me skuadrën e tij Koniaspor, ndërkohë që është dashur ta lërë atë një minutë përpara përfundimit të kohës së rregullt me shifrat 2-1 kundër Gaziantepspor.
Në Zvicër, Grasshopers ka mundur 1-0 Luzernën e Jahmir Hykës, ndërkohë që mesfushori tjetër shqiptar, Migjen Basha nuk është aktivizuar për asnjë minutë në këtë takim. /tesheshi.com/