The Economist
Durán në Ekuador, është sot për sot qyteti më i rrezikshëm në botë. Shkalla e vrasjeve 148 për 100.000 banorë, që u regjistrua atje vitin e kaluar, ishte gati 50 për qind më e lartë se e qytetit tjetër më të dhunshëm në botë, Mandela Bay në Afrikën e Jugut.
I varfër dhe me rreth 300.000 banorë, ai shtrihet përtej lumit dhe pranë Guayaquil, një nga qendrat më të rëndësishme të eksportit të kokainës. Durán është shembulli më i keq i një krize që ka sjellë mjerim në mbarë Amerikën Latine. Pavarësisht se jeton vetëm 8 për qind të popullsisë së botës, në këtë rajon ndodh 1/3 e vrasjeve vjetore në nivel global.
Për t’iu kundërvënë kësaj dhune ekstreme, udhëheqësit e Amerikës Latine përdorin qasjen “mano dura”(dora e hekurt). Ata vendosin gjendjen e jashtëzakonshme,e cila mund të zgjasë pafundësisht; nxjerrin ushtrinë që të patrullojë rrugëve; kryejnë arrestime masive pa asnjë
dallim.
“Mano dura” është përkrahur së fundmi edhe nga presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, i cili dy vitet e fundit ka futur në burg thuajse 80.000 njerëz, ose mbi 1 për qind të popullsisë. Aktualisht shkalla e vrasjeve në këtë vend ka rënë. Ndaj zyrtarë nga i gjithë rajoni e lavdërojnë dhe synojnë të kopjojnë atë që ata e quajnë “modeli Bukele”.
Në fakt nuk duhet ta bëjnë këtë. Sepse fakti që qasja e dorës së hekurt i dëmton sistemet e drejtësisë dhe çon në autoritarizëm, është një arsye më se e mjaftueshme për ta shmangur atë.
Një arsye po aq e rëndësishme, është se ‘mano dura’ nuk do të funksionojë diku tjetër.
Bandat e El Salvadorit merreshin kryesisht me zhvatje. Ato ishin të armatosura dobët, dhe mënyra e veprimit i detyronte që të vepronin hapur dhe në mjedise urbane me një popullsi të dendur.
Ata kishin pak përfitime, dhe mund të gjendeshin lehtësisht nga autoritetet. Ndërkohë, grupet kriminale në vende si Meksika, Brazili dhe Ekuador janë shumë më të pasura dhe më të armatosura, dhe në shumë raste mund të marrin ndihmë nga grupe kriminale të huaja.
Ato gjenerojnë vende pune dhe para, dhe ofrojnë gjithnjë e më shumë rend dhe shërbime në komunitetet ku shteti është i paaftë ta bëjë këtë, duke fituar në këtë mënyrë edhe mbështetjen e banorëve vendas. Prandaj grupe të tilla kriminale, nuk ka gjasa të mposhten vetëm përmes ushtrimit të forcës.
Për këtë arsye, në vend të dorës së hekurt, qeveritë e Amerikës Latine duhet të provojnë një qasje tjetër. Ato duhet ta pranojnë se për sa kohë që ekzistojnë tregjet e paligjshme, do të jenë në qarkullim edhe bandat e armatosura.
Legalizimi i prodhimit dhe konsumit të kokainës, do të ishte mënyra kryesore për të frenuar dhunën në rajon, por kjo nuk ka për të ndodhur. Kësisoj, në vend që të përpiqen të eliminojnë banda të tëra apo të fokusohen tek bosët, qeveritë duhet të synojnë të dekurajojnë anëtarët e tyre më të dhunshëm nga kryerja e akteve të tjera brutale, një taktikë e quajtur “parandalim i fokusuar”.
Bërja e kësaj në mënyrë të vazhdueshme, krijon stimuj për të gjithë grupin që të derdhin më pak gjak. Dëshmitë që vijnë nga Meksika, tregojnë se kjo qasje mund të funksionojë. Po ashtu, qeveritë duhet të mbështeten tek policia dhe sundimi i ligjit, dhe jo tek ushtria dhe arrestimet pa dallim. Ushtarët nuk janë as të trajnuar dhe as të pajisur si duhet për të mbledhur provat mbi të cilat mbështeten prokuroritë. Burgosja në masë, i ndihmon bandat që të gjejnë rekrutë të rinj, sepse shpeshherë ato i kontrollojnë burgjet.
Këto metoda, e dëmtojnë seriozisht sistemin e drejtësisë, i cili është thelbësor për vendosjen e rendit afatgjatë, që nga ana tjetër mund të zgjasë qëndrimin në pushtet politikanëve të caktuar. Në vend të një përpjekjeje për të shkatërruar bandat, e cila është e dënuar të dështojë, fokusi duhet të jetë në reduktimin e të ardhurave të tyre dhe rritjen e kostos për veprimtarinë e tyre.
Kjo kërkon spastrimin e institucioneve nga zyrtarët e korruptuar, dhe krijimin apo forcimin e njësive të specializuara që të hetojnë pastrimin e parave dhe trafikun e armëve. Gjatë viteve 2016-2020, Ekuadori dënoi vetëm 12 persona për pastrim parash.
Fokusi i tretë duhet të jetë tek rekrutimet. Studimet tregojnë se të rinjtë i nënvlerësojnë rreziqet e bashkimit me një bandë kriminale, dhe nga ana tjetër i mbivlerësojnë përfitimet që vijnë prej saj. Shkalla e vrasjeve për meshkujt e moshës 15-29 vjeç, është 16 për 100.000 në mbarë botën.
Në Amerikën Latine kjo normë është 60 viktima për 100.000 banorë. Shtetet duhet që ta trumbetojnë zëshëm këtë realitet të frikshëm. Një studim i botuar vitin e kaluar në revistën “Science”, vlerësoi se përgjysmimi i rekrutimit nga bandave kriminale meksikane, mund të përgjysmojë numrin e vrasjeve që ndodhi në një javë.
Kjo do të thotë të mbash sa më gjatë fëmijët në shkollë, dhe t’u japësh atyre mundësi punësimi sapo të diplomohen. Qasja e dorës së hekurt, mund të funksionojë kundër gangsterëve të vegjël të lagjeve. Por bandat e fuqishme kanë shumë më tepër arsye që t’u frikësohen policëve të ndershëm, gjykatësve që e ndëshkojnë më fort korrupsionin, dhe nga prindër që janë shumë të kujdesshëm ndaj edukimit të fëmijëve të tyre.