Mijëra studentë janë mashtruar e po vazhdojnë të mashtrohen nga pothuajse të gjitha kolegjet private.
Tash e sa vite, atyre po u jepen diploma të pavlefshme. Kjo për faktin se ata nuk figurojnë të regjistruar fare në Ministrisë së Arsimit.
Aktualisht, ekziston vetëm një mënyrë që studentët ta dinë se a e kanë dërguar kolegjet emrin e tyre në Ministrinë e Arsimit…
Raportimet se studentët e kolegjeve private kanë kryer të gjitha provimet, kanë mbrojtur temën e diplomës, por nuk janë ligjërisht të diplomuar, ishte shqetësuese dhe shokuese. Më thjeshtë, kjo i bie se studentët kanë studiuar për tri apo më shumë vite në kolegjet përkatëse dhe janë pajisur me diplomë, por në fakt letra që ata kanë marrë nga kolegji nuk është diplomë. Ajo nuk është e vlefshme. Ajo diplomë nuk njihet dhe nuk vuloset nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.
Kjo që ka ndodhur ndër vite e që është bërë e ditur kohëve të fundit, është manipulim i pastër apo edhe krim ndaj studentëve dhe arsimit të lartë. Kjo për faktin se studentët sapo fillojnë studimet nuk i dinë këto procedura se ku shkon emri i tyre pasi që të regjistrohen në kolegjet përkatëse.
Ata bëjnë një kontratë me kolegjin ku kanë vendosur të studiojnë, paguajnë semestrat, paguajnë për literaturën, kanë shpenzime tjera për strehimin dhe ushqimin, bëjnë angazhim e mund për tërë këtë periudhë kohor, e në fund rrezikojnë seriozisht të mbesin pa diplomë.
Këto thuhen duke e marrë parasysh realitetin dhe rrethanat tona socio-ekonomike. Shumë familje në Kosovë e ndajnë bukën e gojës për t’ua mundësuar fëmijëve të tyre një shkollim të duhur, mbase duke u ndikuar edhe nga reklamat e këtyre kolegjeve, ndërsa në fund, mbesin duke u endur korridoreve të kolegjeve dhe atyre të Ministrisë së Arsimit, duke kërkuar përgjigje përse diploma e fëmijëve të tyre është e pavlefshme. Përse fëmijët e tyre nuk mund t’i vazhdojnë studimet jashtë vendit edhe pse kanë përfituar bursa të plota.
Sipas një hulumtimi të publikuar nga Preportr që funksionon në kuadër të organizatës Çohu, në këtë hall janë mijëra studentë. Numri i saktë nuk dihet për shkak se jo të gjithë studentët kanë shkuar në Ministrinë e Arsimit për të shikuar nëse e kanë emrin edhe në Ministrinë e Arsimit.
Siç e ka theksuar edhe hulumtimi në fjalë, kjo dukuri negative ka ndodhur për shkak se shumica e kolegjeve nuk i kanë dërguar fare librat amëz në Ministrinë e Arsimit (aty ku gjenden të dhënat e studentëve të regjistruar brenda afatit kohor); Për gjenerata të tëra, kanë regjistruar studentë jashtë afatit ligjor. Kjo i bie që nëse afati për regjistrim ka qenë fundi i tetorit, ata kanë regjistruar studentë edhe në nëntor, dhjetor apo më vonë; Kanë regjistruar studentë në programe që nuk kanë qenë fare të akredituara nga Agjencia e Akreditimit dhe kanë regjistruar studentë më shumë se sa që e kanë pasur të përcaktuar nga kjo agjenci. P.sh nëse një program e ka pasur të lejuar që maksimalisht t’i regjistrojë 100 studentë, disa nga kolegjet kanë regjistruar 200, 300 apo qindra më shumë.
Pra mijëra studentë të kolegjeve private për njërën nga këto arsye nuk figurojnë fare në listat e Ministrisë së Arsimit. Për këtë ministri, juridikisht ata nuk kanë qenë kurrë studentë dhe diploma që kanë në dorë është e pavlefshme.
E gjithë kjo situatë, siç duket, ndër vite ka ndodhur para syve të zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Më e pakta që do të duhej të bëhej është t’u hiqej licenca kolegjeve që nuk i kanë dërguar librat amëz fare apo pas afatit ligjor, apo edhe ndaj atyre që kanë regjistruar studentë jashtë afatit. Gjithashtu rastin do të duhej ta procedonin në Prokurorinë e Shtetit në mënyrë që manipuluesit me qëllime të pastra përfitimi financiar, të ndiqen penalisht dhe ta marrin dënimin e merituar.
Gjithashtu, të gjitha këto manipulime ndaj studentëve kanë ndodhur edhe për shkak se Agjencia e Akreditimit, e cila i akrediton programet e kolegjeve private, nuk i monitoron fare ato. Në fakt prej që eksiton kjo agjenci, asnjëherë deri më tani nuk e ka bërë një monitorim të tillë. Apo thënë më ndryshe, kolegjet private nuk janë monitoruar kurrë. Kjo me arsyetimin se agjencia nuk ka staf. Kjo ua ka lehtësuar rrugën kolegjeve të regjistrojnë studentë sa ua ka dashur enda, por edhe kanë angazhuar profesorë ashtu si kanë dashur. Agjencia e Akreditimit nuk i ka monitoruar asnjëherë se a japim mësim ata profesorë që dërgohen në këtë agjenci si kusht për t’u akredituar, apo jep mësim dikush tjetër. Ky monitorim do të mund ta evidentonte edhe dukurinë e studentëve “ilegal”.
Transparenca e munguar
Gjithë ky manipulim dhe mashtrim ka ndodhur ndër vite dhe zyrtarët përkatës të Ministrisë së Arsimit nuk kanë reaguar siç duhet. Përveç që nuk kanë ndërmarrë masa, ata nuk e kanë bërë as veprimin më të thjeshtë që t’i bëjnë publike rastet e tilla me librat amëz.
Pasi që në vitin 2017 ka hyrë në funksion Sistemi i Menaxhimit të Informatave të Arsimit të Lartë (SMIAL), ndoshta është menduar se do të shmanget kjo dukuri, por në fakt një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Në këtë sistem është i cekur numri i lejuar i studentëve për secilin program të secilit kolegj. Por edhe në SMIAL disa nga kolegjet e kanë tejkaluar numrin e studentëve që kanë pasur të drejtë t’i regjistrojnë për programet e caktuara. Të gjitha ata studentë që janë jashtë SMIAL-it, nuk figurojnë në Ministrinë e Arsimit dhe rrjedhimisht nuk munden t’i validojnë diplomat.
Këtë e kishte gjetur edhe inspektorati i Ministrisë së Arsimit. Por pak kush, apo askush nuk ka marrë vesh për këtë. Ky raport nuk u bë publik, as nuk iu dërgua mediave, e as nuk u mbajte një konferencë për media që të njoftohet opinioni për këto gjetje. Në fakt do të duhej të mbaheshin shumë konferenca për ta alarmuar këtë situatë.
Në këtë mënyrë do të njoftoheshin edhe studentët. Efekti më i pakët do të duhej të ishte që studentët, sidomos ata të vitit të parë të shohin nëse e kanë emrin në ministri.
Edhe sot studentët e kanë të vetmen mundësi që të shkojnë në Ministrinë e Arsimit, në zyrën NARIC, dhe të shikojnë se a figuron emri i tyre në ministri. Konkretisht a ua ka dërguar kolegji me kohë emrin në ministri.
Por është e çuditshme përse sistemi SMIAL nuk bëhet online. Ai do të duhej të ishte i qasshëm në çdo kohë për studentët. Do të duhej të publikohej në ueb-sajtin e Ministrisë së Arsimit, por pse jo, të obligohen edhe kolegjet që ta vendosin në ueb-sajtet e tyre.
Në këtë mënyrë studentët përmes numrit personal të letërnjoftimit, apo ndonjë numri nga karta e studentit që e kanë, do të mund ta verifikonin për disa sekonda a janë studentë legjitim, apo janë duke studiuar pa qenë fare të regjistruar edhe në Ministrinë e Arsimit.
Nëse do të publikohej SMIAL-i do të ndikonte shumë që të fillonte të eliminohej ky problem, pasojat e të cilit po i bartin studentët dhe familjet e tyre. Ndërsa studentët që deri tani janë viktima të këtyre manipulimeve, mund t’i shfrytëzojnë dy mundësi juridike, ta lajmërojnë rastin e tyre në polici dhe prokurori se janë manipuluar nga kolegjet si dhe të bëjnë padi civile në gjykata për të kërkuar dëmshpërblim nga kolegjet, pasi që atyre kolegjet nuk ia kanë dhënë diplomë valid, por i ka mashtruar. /tesheshi.com/