Përgatiti: Roald A. HYSA
Tashmë, Qazim Mulleti, një figurë e mirënjohur e komunitetit tironas ndër vite, u rikthyer në vendlindje dhe u rivarros me nderime me një ceremonial të organizuar nga familjarët e tij, pikërisht ata që e vuajtën mbi supe emigracionin politik të familjarit të tyre. Kjo ishte një ditë për të nderuar figurën e tij dhe për t’i shprehur mirënjohjen pasardhësve të tij dhe që u vlerësua nga vizitorët e shumtë. Eshtrat e Qazim Mulletit tashmë prehen në varrezat e Tiranës, Shtish Tufinë. Ky, së bashku me Sejfi Protopapën (në rolin e Sali Protopapës tek “I Teti në Bronx” është aktori Pirro Mani) dhe disa figura të tjera kanë qenë njerëzit më të sulmuar nga regjimi komunist përmes Kinostudios Shqipëria e Re dhe filmit soc-realist.
I pikturuar në komedinë e shkruar nga Besim Levonja (i luajtur nga disa aktorë, ku spikasin Mihal Popi, Nikolin Xhoja dhe i fundit Robert Ndrenika), si një analfabet, i paditur dhe i trashë, e vërteta qëndron krejtësisht ndryshe. Kushdo që ka pasur një gjysh/e nga Tirona ka dëgjuar variante të tjera për Qazimin e ndjerë.
Familja e tij ka qenë e përndjekur dhe internuar dhe janë trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Historiani Hasan Bello na sjell me anë të dokumenteve një tjetër dëshmi interesante per “injorantin” Qazim që kishte pikturuar regjimi komunist. Në korrik të vitit 1939, ai i drejtoi një shpallje interesante të gjithë banorëve të kryeqytetit, sipas së cilës:
“Bëhet e ditun se pështymja në tokë dhe frymja e hundëve nëpër rrugë janë të ndalueme pasi bajnë figurë të keqe dhe janë në dam të shëndetit publik, por duhet qi kjo nevojë të kryhet me faculetë. Gjithashtu asht e ndalueme dhe e pimja ujë me nji enë prej shumë personave, mbasi shkakton ngjitjen e shumë sëmundjeve.
Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit/ Qazim Mulleti”.
Reshit Qazim Mulleti, ishte djali i vetëm i Qazim Mulletit, dhe e kaloi të gjithë jetën e tij në internim. Kur pa se si ia nxinin historinë babait të tij, ai mbeti shumë i shokuar psikologjikisht, mbasi ky ishte edhe qëllimi i regjimit komunist të diktatorit Hoxha dhe i autorit të libretit të komedisë Besim Levonja.
Ceremonitë funerale filluan menjëherë me pritjen e eshtrave në Portin e Durrësit dhe homazhet e ndryshme që vazhduan deri të hënën me 28 gusht 2023. Kryerja e riteve fetare u bë në Xhaminë e Kokonozit në Pazarin e Ri në Tiranë, mu në atë lagje ku kishte shtëpitë e tij.
Në përkujtim të figurës së tij u organizua një Simpozium studimor në Universitetin Evropian të Tiranës, ku folësit kujtuan aspekte të ndryshme të kësaj figure politike poliedrike.
Qazim Reshit Mulleti (1893-1956)
Lindi në Tiranë, në lagjen “Sulejman Pasha”, më 20 dhjetor 1893 dhe ndërron jetë në Romë më 28 gusht 1956. Studimet e para i kreu në Manastir, vazhdoi gjimnazin “Zosime” të Janinës dhe, së fundi, kreu studimet e larta në kolegjin perandorak “Gallatasaraj” të Stambollit, duke mbaruar me medalje ari. Ai ishte poliglot.
Në vitin 1912, bashkë me shumë studentë të tjerë shqiptarë, mori pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë. Në vitin 1914, është një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. Largohen së bashku në Vjenë, ku jetoi aty deri në vitin 1920. Me ndërhyrjen direkte të marshallit austriak, Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studimet në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Në vitin 1920 merr pjesë në Kongresin e Lushnjes.
Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjes u pengua të hynte në Durrës, ku kishte destinacionin për të ushtruar funksionet e saj, pasi Kongresi e kishte zgjedhur kryeqytet. Me ndërhyrjet e Mytesim efendi Këlliçit, Abdi Toptanit dhe Qazim Mulletit si dhe të tjerë delegatë të Tiranës, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë.
Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë). Tirana de jure u bë kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925.
Në shtator të vitit 1920, Qazim Mulleti ishte komandant i forcave vullnetare kundër Serbisë.
Më 25 prill-3 maj 1921, ai merr pjesë në Kongresin për Bashkim Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia-Zgjimi”, së bashku me z. Hafiz Ibrahim Dalliu dhe z. Musa Maçi, si përfaqësues të Shoqërisë “Lidhja Kombëtare” dhe z. Avni Rustemi të Shoqërisë “Bashkimi”. Në qeverinë e Sulejman Delvinës dhe Fan S. Nolit, pati një detyrë të rëndësishme si prefekt në Dibër.
Më dështimin e Revolucionit të Qershorit (dhjetor 1924) Qazimi bashkë me 500 bashkëluftëtarë largohet nga Shqipëria, vendoset në Zara e pastaj në Vjenë. Në Vjenë martohet me z. Hajrije Kusi, më të cilën patën vetëm një fëmijë, Reshitin që lindi në Tiranë në vitin 1930. Zonja Hajrije me djalin e saj, Reshitin jetuan në Tiranë.
Në vitin 1930, Qazimi u vendos në Paris ku bashkë me vëllain e tij, Hysniun, që ishte diplomuar në Monpelje, hapën Restorant “Albania”, ku mblidhej e gjithë mërgata antizogiste e vendosur në Francë. Ishte kryetar i Emigracionit Politik.
Në vitin 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia dhe largimit të Mbretit Zog, Qazimi vendosi të kthehej në atdhe.
Qazim Mulleti si Kryetar Bashkie i Tiranës bëri këto vepra: Vendosi çezmat publike në çdo rrugicë të Tiranës, njëkohësisht u zgjidh problemi i kanalizimeve nëntokësore. Një sipërmarrje e vështirë e kryebashkiakut ka qenë heqja e varrezave brenda qytetit. Për të zgjidhur këtë situatë të vështirë, ai e nisi nga vetja, duke filluar nga varrezat që ishin pranë xhamisë, tek Pazari i Ri.
Atëherë Kosova i ishte bashkuar Shqipërisë. Qazimi në Shqipëri shërbeu si Kryetar i Bashkisë së Tiranës e Kavajës, si nënprefekt i Tiranës, por edhe në Mat. Për punën e tij dhe të asaj periudhe duhet të punojnë historianët, prej nga na del pyetja: A i shërbeu vendit të tij, megjithëse ishim të pushtuar?! Qazim Mulleti u largua nga Shqipëria në gusht 1944, kur mori vesh se vendi u la në Bllokun Lindor. Ndërron jetë në Romë më 1956. /tesheshi.com/