Fotografitë më të mira të vitit 2017 vijnë në një përmbledhje të “The Guardian” të rrëfyera nga fotoreporterët që i fotografuan këto ngjarje dhe që patën përvoja, që në disa raste u ndryshuan edhe jetën. Bëhet fjalë sidomos për fotografitë që vijnë nga zonat e konfliktit dhe që kapin momente të vuajtjes e sakrificës njerëzore. Nga eksodi i komunitetit Rohingya, katastrofa në kullën Grenfell dhe fotoja e një kali deti të ngjitur pas një shkopi plastik për pastrimin e veshëve: fotografët përshkruajnë sesi arritën të shkrepin imazhet përcaktuese të vitit 2017.
Fotografi Justin Hofman e shkrepi këtë pamje më 17 shtator. Ai ishte në guidën e një ekspedite zhytësish në Indonezi. “Në fillim ishte mirë, por më pas batica ndryshoi dhe gjithë mbeturinat nisën të zbresin mbi korale. Ajo që nisi si një pasdite e këndshme, përfundoi në not me mbeturinat. Mes tyre pashë edhe kalin e detit, që ishte shumë i bukur, por më pas ai u ngjit pas kruajtëses së veshëve. Ka vetëm tre ngjyra në fotografi dhe cilësi grafike shumë të mirë, porn ë të njëjtën kohë fotografia gjeneron ndjesinë e neverisë. Unë shoh shpesh mbetje e jetë detare së bashku, por ky ishte ndërveprimi më dramatik prej të gjithave.
Më 7 dhjetor, zjarrfikësit po monitoronin një seksion të zjarrit gjigand Thomas në autostradën 101 në Kaliforni, që shkatërroi me mijëra hektarë dhe qindra shtëpi. Fotografi Mario Tama rrëfen se flakët kishin arritur oqeanin kur ai pa dy zjarrfikës që po përpiqeshin të menaxhonin punën. “Pyeta nëse mund t’i fotografoja. Nuk kisha fotografuar zjarre të tillë më parë dhe po më dukej gjithçka e pabesueshme e shumë interesante. Por në të njëjtën kohë, ishte shumë e trishtueshme. Mësova se edhe kur imazhet janë të fuqishme, fotografia duhet të flasë për momentet e humanizmit”.
Refugjatë dhe emigrantë notojnë e bërtasin për ndihmë ndaj anëtarëve të ekipeve të shpëtimit të anijes “Feniks” pasi një varkë druri e nisur drejt Italisë e që mbante më shumë se 500 njerëz, u fundos në 24 maj pranë Lampeduzës në Itali. Fotografi Chris McGrath kishte një muaj që punonte pranë ekipeve të shpëtimit. Ai thotë se kur arritën pranë emigrantëve, ata nuk ishin në ujë. Ekipet u dhanë jelekë shpëtimi dhe komunikuan për situatën në bord. Por, kur të gjithë përfunduan në ujë, misioni ishte krejt tjetër. “Bëra të pamundurën të shkrepja fotografi e në të njëjtën kohë të isha pjesë e ekipit të shpetimit. Pashë njerëz që më drejtoheshin me krahë të ngritur lart – nuk mund të bësh fotografi e të mos i nxjerrësh nga uji”.
Njerëzit përplasen në ajër ndërsa një makinë hyn mes një grupi protestuesish që marshojnë kundër tubimit të nacionalistëve të bardhë në Charlottesville, Virxhinia më 12 gusht, incidenti ku mbeti e vrarë aktivistja e të drejtave të njeriut, Heather Heyer. Fotografi Ryan M Kelly nga “AP” thotë se më herët njerëzit ishin duke u kacafytur. “M’u desh të vishja maskë se kishte spraj djegës kudo. Kur dëgjova zhurmën e gomave të makinës që shpejtoi pranë meje, ngrita aparatin dhe e mbajta të shtypur. E dija se dikush do të vritej aty”.
Presidenti i zgjedhur, Donald Trump qëndron pak përpara se të dalë në portikun për inagurimin e tij si president në Kapitol, Uashington më 20 janar. Fotografi Patrick Semansky tregon se kishte zënë një vend të përshtatshëm për të bërë fotografitë. “Ishin dy marinsa që hapën dyert dhe sapo ndjeva lëvizje, nisa të fotografoj. Isha nervoz për të parë nëse e kisha Trump në fokus. Kur pashë imazhet më pas, mund ta shihja atë tek mbyllte sytë dhe merrte frymë, përpara se të dilte në portik. Vetëm çfarë i shkonte në mendje nuk mund ta dija”.
Njerëzit thërrasin me tmerr ndërsa e gjejnë veten të bllokuar mes flakëve që përfshinë kullën 27-katëshe Grenfel në Notting Hill, Londër më 14 qershor. Fotografi Jeremy Selëyn që shkrepi fotografinë thotë se kur kishte mbërritur në vendngjarje, kishte parë skena makthi. “Kulla binte copash dhe dëgjoja thirrma – u ndjeva i dëshpëruar, nuk mund të bëja asgjë. Shkova të bëja foton nga një ballkon në ndërtesën përballë, ku më lejoi një burrë të hyja. Kam mbuluar shumë tragjedi ndër vite, por kjo ua kalon të gjithave”.
Një djalë i vogël, refugjat Rohingya qan ndërsa përpiqet të hapë rrugën nëpër turmë për të marrë ndihmë ushqimore nga një organizatë lokale në kampin e refugjatëve Balukali më 18 shtator, në Pazarin Cox’s, Bangladesh, ku më shumë se gjysmë milioni refugjatë të këtij komuniteti janë larguar nga ofensiva e ushtrisë së Mianmarit. Fotografi Kevin Frayer thotë se fotoja është shkrepur ditën e parë që ai mbërriti në kamp. “Ekipet e ndihmës po shpërndanin çanta me ushqime, por ato ishin të pamjaftueshme për të gjithë, kështu që njerëzit nisën të luftojnë për to. Fëmijët ishin ulur në tokë, por ata kërcyen kur panë ushqimin dhe djali në foto luftoi aq shumë përmes turmës. Mendoj se ai po qante për shkak të gjithçkaje po ndodhte, vapës, urisë, shtyrjes në turmë dhe të qënit i dëshpëruar. Pashë fotot më pas dhe nuk mund ta them nëse ai mori diçka – thjesht u zhduk në atë kaos”.
Protestuesit anti-qeveritarë përpiqen së bashku për të marrë shenjë me një hark gjigand ndaj forcave të sigurisë që u bllokojnë marshimin në Gjykatën e Lartë në Karakas, Venezuela më 10 maj gjatë protestave për kriminalitetin e lartë, inflacionin dhe mungesën e ushqimit e ilaçeve. Fotografja Ariana Cubillos thotë se për 100 ditë, protestuesit i kërkuan presidentit Nicolás Maduro të jepte dorëheqjen. “Protestuesit në fotografi po përdornin një katapultë gjigande për të hedhur shishe të mbushura me bojë dhe gurë. Gjithçka po ndodhte në mes të konfrontimit me rojet kombëtare. Nuk kam parë gjë tjetër si ajo. Ushtarët qëlluan me gaz lotsjellës dhe plumba gome. Kisha vetëm një sekondë për të bërë shkrepjen”.
Fëmijët në sheshin Guadalupe në Hjuston më 15 qershor, ndër të cilët fëmija që duket ka humbur këmbën në një aksident treni në qytet. Fotografi Alex Webb kishte dëgjuar se do të mbahej një protestë kundër ndryshimeve të mundshme në politikën e emigrimit, në Hjuston. “Fotografova demonstratën, por më pas pashë këtë grup fëmijësh në park. Kuptova se njëri prej tyre ishte gati të kërcente dhe fatmirësisht e pata gati kamerën. Djali pa njërën këmbë ishte shumë i turpshëm, por dikush më tha se e kishte humbur në një aksident. Fotoja evokon emocione të koplikuara – ka diçka surreale në të”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/