Mos je gjë ai qytetari shqiptar i ndjeshëm dhe i ndërgjegjshëm, të cilit i dhimbset qyteti dhe e ardhmja shqiptare e fëmijëve të tij, që iu kundërvu arrogancës dhe delirit të Edi Ramës kur vendosi në kokë të tij të pranonte demolimin e armëve kimike të Sirisë hiç më larg se nja 50 km nga Tirana? Nuk ishe askund. As në radhën më të fundit të qytetarëve të spikatur e të zakonshëm të Tiranës në sheshin ndërmjet Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Aty ishin pothuaj të gjithë. Miqtë, kolegët, bashkëmoshatarët dhe të njohurit e tu. I madh e i vogël erdhën aty pasditen e 15 nëntorit 2013. Edhe ata që ishin dakord që armët kimike të vinin në Shqipëri dhe e konsideronin protestën si revolucion të vegjëlisë, erdhën. Ti nuk ishe.
Mos je ai veprimtari i shoqërisë civile që protestonte kundër rritjes së taksave mbi artikujt e konsumit të gjerë, mbi sipërmarrjen dhe mbi të ardhurat personale? Apo mos protestove ndaj butaforisë së Kryeministrit kur justifikonte rritjen e taksave me qëllime shëndetësore apo mjedisore? Shumë protesta u bënë. Njerëz tërësisht të panjohur dhe pa ndonjë peshë publike morën guximin dhe i dolën përballë një qeverie me mbështetje të gjerë. Nuk pate guxim apo nuk të shqetësoi rritja e taksave në një periudhë jashtëzakonisht të vështirë të ekonomisë, ti nuk dole as të protestosh, as të shkruash dy radhë kundër kësaj politike fiskale amatoreske të qeverisë.
Apo je intelektuali dhe administratori i energjetikës shqiptare që protestonte, bënte peticione dhe endej nga televizioni në televizion për të denoncuar grabitjen e ujërave të Radikës dhe Vjosës nga vendet fqinje dhe për të thyer heshtjen tinzare të qeverisë shqiptare? Edhe kjo kërkonte guxim, forcë karakteri dhe idealizëm. Por, çuditërisht jo vetëm nuk të pa askush në këto forma të reagimit qytetar, por askush nuk u kujtua për ty. Sepse ti thjesht nuk ekzistoje si qytetar i ndërgjegjshëm dhe aktiv.
Po kur qeveria shpalli nën zë planet për të rritur çmimin e energjisë elektrike, a nuk duhet të ishe ti i pari qytetar që t’i tregoje asaj dhe njerëzve se problemi i vërtetë qëndronte te humbjet në rrjet dhe te mospagimi i faturave, dhe jo te çmimi? Nuk të dëgjuam t’i thoje ministrave që manipulonin mendjen e publikut se nëse çmimi rritej, nuk do të kishte nevojë të burgoseshin 38 mijë shqiptarë në një vit e as të gjobiteshin qindra mijëra të tjerë me kamatëvonesat dhe faturat e paligjshme aforfé. Ndoshta ti e pranove sulmin amoral të qeverisë ndaj logjikës së thjeshtë të qytetarëve, se 9.5 lekë janë më pak se 7.7 lekë. Si njohës i mirë i menaxhimit energjetik, gëzoje të drejtën dhe autoritetin publik për të dalë kundër kësaj marrëzie, për të thënë fjalën tënde. Ti u tregove indiferent. Indiferenca është ndihmë për keqbërësin. Indiferenca është kundër viktimës. Prandaj, askush nuk u kujtua për ty. Sepse të kishin dënuar me harrim, siç i dënove ti me indiferencë.
U vodhën 7 milion euro në thesarin e Bankës së Shqipërisë. A u dëgjua zëri yt ndaj këtij keq-manaxhimi, ndaj kësaj fullanërie? Aktivistët u përballën me kërcënime mafioze, u braktisën nga mediat në mes të rrugës, u poqën në diellin e gushtit sepse çadrën ua shkuli stuhia natën, por nuk reshtën për 40 ditë: protestuan, mblodhën nënshkrimet e 20 mijë qytetarëve në peticionin drejtuar Parlamentit dhe fituan. Por ti nuk u dëgjove fare. Nuk u interesove për ta. Prandaj, askush nuk të mban mend.
U futën studentët në grevë urie dhe policia ua dërrmoi brinjët si të ishin barbarë. I nxori që aty dhe i plasi në qeli të panjohura për orë të tëra. Të gjithë aktivistët shkuan t’i mbështesin dhe t’u thonë faleminderit për përfaqësimin e të drejtës, për reagimin dhe protestën. Ti nuk shkove. Nuk u dole në krah njerëzve të shtypur dhe nuk e mbrojte të drejtën e të rinjve të papërkrahur. Prandaj ata nuk të njohin ty. Nuk e dinë kush je ti.
Ndodhën shumë gjëra këto dy vite: një avion me drogë u rrëzua në Divjakë, një bankier i njohur u vra, një gazetar u tentua të ekzekutohej, shpërthyen mbi 150 automjete nga tritoli dhe u vranë për pasojë shumë shqiptarë. Qeveria u tall, i quajti mushkonja avionët, i tha jetëgjatë gazetarit, i konsideroi larje hesapesh shpërthimet. 46 mijë bashkëqytetarë tanët ikën vetëm në një vit nga Shqipëria. Qeveria na thotë se u punësuan 90 mijë e kusur shqiptarë. Ti nuk the as edhe një fjalë. As për mirë, as për keq. As për ta kundërshtuar qeverinë, as për ta mbështetur. Kështu, ti e mbështete, sepse indiferenca është në favor të të fortit.
Po të ishte për qytetari aktive dhe me moralitet për të përfaqësuar angazhimin për qytetin, kandidatë të denjë për Bashkinë e Tiranës dhe për çdo bashki të vendit do të ishin Ajtanga Lubonja, Basir Çollaku, Brizida Gjikondi, Zirkon Disha, Erion Kristo, Altin Goxhaj, Aulon Kalaja, Arian Galdini, Leonard Dedej, Albi Bardhi, Nebi Bardhoshi, Nderim Lushi, Adriatik Lapaj dhe shumë të tjerë që nuk më kujtohen sot sepse janë shumë. Vetëm ti jo. Ose jo për sa kohë të jetë gjallë modeli i vërtetë i qytetarisë aktive dhe jo-indiferente. Këta njerëz u përballën çdo ditë me padrejtësitë më evidente, me arrogancën, me gënjeshtrën e paturp, me manipulimin e mendjeve të shqiptarëve për t’ua bërë të pranueshme, të drejtë e të bukur padrejtësinë dhe dështimin e qeverisë Rama.
Prandaj unë gjej të drejtën të pyes: kush je dhe çfarë ke bërë ti Gjergji Bojaxhi, që kërkon të shitesh me një çmim kaq të lartë për një vlerë që nuk e ke treguar?
/tesheshi.com/