Shoqëria njerëzore ka kaluar, po kalon dhe do të vazhdojë të kalojë në valë sulmesh ndaj besimit. Në këto sulme gjejmë të përfshirë politeiste, zjarrputistë, ateistë, adhurues të djallit, djaj me fytyra njerëzore, etj. Secili prej tyre përpiqet që t’i afrohet shoqërisë në mënyrë sa më të butë, të ëmbël, që të mos refuzohet. Nën frymën e bashkëjetesës, harmonisë, tolerancës etj., gjejmë se shpikin lloj lloj ideshë “inovatore”, me qëllim që fillimisht të pranohen nga publiku i gjerë dhe, pasi pranohen shkatërrojnë gjithshka deri në themel.
Për ta kuptuar më mirë sa të rrezikshme janë këto ide, marrim shembullin e britanikëve të cilët kur hynë në Indi përdorën dy strategji shkatërruese.
E para: nën maskën e Islamit, shpikën një “fe” të re, Ahmedizmin – Kadjanizmin. E sponsorizuan, e paguan, eleminuan dijetarët e vendosur muslimanë që e refuzonin këtë shpikje të ndyrë dhe brenda një dite vranë mbi 3000 prej këtyre dijetarëve. Disa prej tyre i futën në lëkura derrash e i hodhën në lumë. Madje ushtarët britanikë bënë lojra e vunë baste se kush do të vriste më shumë prej tyre.
Strategjia e dyta ishte hedhja e idesë së “kthimit në identitet”. Qëllimi ishte që njerëzit t‘i ktheheshin paganizmit, ku lopa të ishte zot dhe urina e lopës të ishte shërim për sëmundjet. Suksesi i tyre në rradhët e muslimanëve ishte i pjesshëm, por dëme bënë e vazhdojnë të bëjnë akoma. Ndërsa në rradhët e hindusëve patën sukses të madh.
Sot ka një projekt tjetër anti-njerëzor për të shpikur një “fe” të re. Sot janë krijuar institucione të shumta të cilët synojnë unifikimin e të ashtëquajturave “fetë hyjnore”, quajtur ndryshe “Feja Ibrahimite “. Qëllimi i tyre është që nëpërmjet këtyre “ideve inovatore” të mundësojnë devijimin e muslimanëve nga Islami. Për të arritur qëllimin e tyre ata përdorin petkun e “harmonisë dhe tolerancës” ndërfetare.
Çfarë është e rëndësishme të kuptojmë të gjithë është se Allahu i Madhëruar nuk ka shpallur shumë fe – besime. Të gjithë profetët e Allahut të Madhëruar kanë përçuar apo transmetuar vetëm një fe, atë të besimit në Allahun Një dhe të Vetëm.
Feja e vetme që Allahu i Madhëruar ka shpallur për njerëzimin dhe që ka urdhëruar të gjithë profetët ta bartin dhe përçojnë është vetëm Islami.
Por si është e mundur që profetë të ndryshëm kanë pasur shpallje të ndryshme?
Shpallja që kanë bartur profetët është ndarë në dy pjesë:
E para: Njëshmëria e Allahut. Çështja e besimit në Zot dhe Njëshmëria e Tij është e pandryshuar tek shpalljet e të gjithë Profetëve.
Të gjithë Profetët kanë transmetuar vetëm një besim dhe kanë qenë të gjithë në një fjalë: të qenët muslimanë, të nënshtruar vetëm ndaj Allahut, Një të Vetëm.
E dyta: Legjislacioni. Pjesa e shpalljes që ka ndryshuar nga njëri profet tek tjetri është legjislacioni.
Rregullat e mënyrës së jetesës janë ato që kanë ndryshuar në kohë. Allahu i Madhëruar në vazhdimësi i ka dhënë shoqërisë njerëzore mundësinë për zhvillim. Por, që ky zhvillim të mos jetë i dëmshëm për njerëzimin, Ai ka zbritur shpallje dhe ka zgjedhur Profetë që t‘i udhëzojnë njerëzit në atë që është më e mira, pra, që zhvillimi njerëzor të mos përdoret në dëm të tyre.
Ekzistenca e vetëm një feje -besimi për të gjitha shoqëritë njerëzore nga Ademi, mbi të qoftë paqja, i cili është njeriu dhe Profeti i parë, deri në fund të ekzistencës njerëzore, është një realitet dhe jo një mendësi që i pëlqen dikujt apo shumëkujt. Këtë të vërtetë na e ka përçuar dhe na e ka mësuar Allahu i Madhëruar në Kur’anin Fisnik.
Ndërsa përshkruan profetin Nuh – paqja qoftë mbi të qoftë – (babain e dytë të njerëzimit), Allahu i Madhëruar përmend në Kur’anin Fisnk se Nuhu thotë: “Unë jam urdhëruar të jem njëri prej muslimanëve”.(Sure Junus, ajeti 72)
Kur përshkuhen Profeti Ibrahim dhe djali i tij, Profeti Ismail – paqja qoftë mbi ta – në Kur’an përmendet lutja që ata të dy kanë bërë.
“E kur Ibrahimi dhe Ismaili duke ringritur themelet e shtëpisë (Qabes- luteshin): ‘Zoti ynë! Pranoje prej nesh se me të vërtetë Ti je Ai që pranon dhe di! Zoti ynë! Na bëj ne të dy muslimanë, besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë (bëj) komb musliman, njerëz të bindur, ndaj Teje. Na mëso rregullat e adhurimit tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je që fal shumë, je Mëshirues”. (Sure El Bekare, ajetet 127-128)
Dërrmën shpikjes së ashtuquajtur “feja Ibrahimite ” ia vendos ajeti kur’anor ku Allahu i Madhëruar e cilëson Profetin Ibrahim, mbi të qoftë paqja, si musliman.
“Ibrahimi nuk ka qenë as jehudi dhe as i krishterë, por ishte larg besimeve të kota. Ishte prej muslimanëve dhe nuk ishte prej idhujtarëve”. (Sure Ali Imran, ajeti 67)
Po ashtu gjejmë në Kur’anin Fisnik amanetin që Profetët Ibrahim dhe Jakub – paqja qoftë mbi ta – u kanë lënë fëmijëve të tyre para vdekjes:-
“Dhe Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi. U thanë: O bijtë e mi! Allahu ua zgjodhi juve fenë islame, pra mos vdisni ndryshe vetëm se duke qenë muslimanë.
A ishit ju (idhtarë të librit) dëshmitarë, kur Jakubit i’u afrua vdekja dhe ai u tha bijve të vet: ‘Ç’ka do të adhuroni pas meje? Ata thanë:- Do të adhurojmë Zotin tënd, Zotin e prindërve tuaj, Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, të vetmin Zot dhe ne jemi muslimanë. Atij i jemi dorëzuar”. (Sure El Bekare, ajetet 132-133)
Po kështu gjejmë që Profeti i Allahut, Musai, mbi të qoftë paqja, iu drejtua popullit të tij, benu israelitëve, dhe u tha: “O populli im! Nëse i keni besuar Allahut, vetëm Atij mbështetjuni, nëse jeni muslimanë, i jeni dorëzuar Atij”. (Sure Junus, ajeti 84)
Gjithashtu gjejmë në Kur’anin Fisnik komunikimin që Profeti Isa, Mesih – paqja qoftë mbi të – ka pasur me pasuesit e tij kur ndjeu se mund të devijonin. Në Kur’an thuhet:
“E kur e kuptoi Isai vendosmërinë e tyre në mosbesim (çifutët, dhe qëllimin e tyre për ta vrarë) tha: ‘Kush janë ndihmëtarët e mi në rrugën e Allahut? Hauarijunët (mbështetësit e tij) thanë: ‘Ne jemi ndihmëtarë të fesë së Allahut, ne i besuam Allahut, e ti dëshmo për ne se jemi muslimanë (të dorëzuar, të bindur). (Sure Ali Imran, ajeti 52)
Profeti Sulejman, paqja qoftë mbi të, gjithashtu ka ftuar në të qenët musliman. Në Kur’an thuhet:
“Kjo është prej Sulejmanit – dhe ajo është – Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit (Bismil Lahi Rrahmanir Rahijm). Të mos mbaheni me të madh kundrejt meje por të vini si muslimanë (të dorëzuar dhe besimtarë)! ” (Sure Neml, ajetet 30-31)
Jo vetëm shoqëria njerëzore por edhe për shindët, që janë prej krijesave të tjera të Allahut të Madhëruar, gjejmë se u është kërkuar të jenë prej muslimanëve. Në Kur’an thuhet:
“Është e vërtetë se prej nesh ka muslimanë (besimtarë) dhe prej nesh ka që janë jashtë rrugës (jobesimtarë) e kush pranoi Islamin, të tillët mësynë rrugën e shpëtimit”. (Sure Xhin, ajeti 14)
Ndërsa përsa i përket më të mirit të njerëzve dhe më të mirit të të Dërguarve, Zotërisë së njerëzimit, Profetit Muhamed – paqja e Zotit qoftë mbi të – Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin Fisnik:-
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t‘i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit”. (Sure Ali Imran, ajeti 85)
Ndërsa një një ajet tjetër Kur’anor thuhet:-
” … Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush Dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe… ” (Surel Maide, ajeti 3)
Në përfundim themi se Islami është përsosmëria e fesë dhe e Dhuntisë së Allahut të Madhëruar, Krijuesit tonë, Krijuesit të Gjithësisë.
Si guxojmë dhe mendojmë se mund të ketë diçka më të mirë se ajo që Zoti ynë ka zgjedhur për ne? Çdo tentativë për t’iu bashkëngjitur ideve të antivlerave të antimuslimanëve, nën frymën e “tolerancës” është devijim nga Rruga që Allahu ka zgjedhur për ne.
E kush devijon nga Rruga e Allahut, ai është i humbur në këtë botë, i humbur në botën tjetër dhe është prej mosbesimtarëve.
Allahu na udhëzoftë në rrugën e Tij të drejtë! /tesheshi.com/