PS ka zgjedhur këtë plagjiaturë për fushatën e saj…
Kjo nuk është rastësi, edhe pse mbetet një ‘vjedhje’ e pronësisë intelektuale. Në PR kjo do të thotë më shumë se imitim simbolesh. Ky imazh është përdorur kryesisht për një rrafsh komunikimi ndërkombëtar. Dhe meriton të analizohet…
Në konceptin e PR-it, përdorimi i njëjtë i qasjes grafike në këtë rast përpiqet të prodhojë paralele kuptimore të vetëkuptuara. Me një lexim të shpejtë, kjo plagjiaturë imazhi qartësisht shfajësohet për ekstremizmin në sjellje, për qeverisjen me buldozer (dhe tritol), keqpërdorimin e forcave të rendit për krijimin e një psikoze kolektive të nënshtrimit ndaj fuqisë politike të ‘shtetit’, si dhe rithekson idenë se ‘popullin e zgjedhur’ të Ramës e kërcënon një ‘rrezik historik’.
Të pranëvihesh me liderin që sot merr kritika nga e gjithë bota për mënyrën fashistoide të qeverisjes, është një zgjedhje e guximshme. Paralelet e vlerësueshme ideore janë të shumta; funksionalizimi i tyre në një imazh të vetëm do të ishte shumë i vështirë po të mos adoptohej kjo plagjiaturë; ajo e bën atë perfekte. Dhe po aq vulnerabël.
Mes Netanjahut dhe Velisë, ndasitë e imazhit të njëjtë
Do të duhet të nisem nga supozimi se grupi i Velisë (Mjaft/G99), prej të cileve vjen edhe PR-i i z.Rama dhe i Partisë Socialiste, ka zgjedhur këtë imazh dhe këtë slogan si zgjidhje për një format fleksibël që kandidatët do të përdorin në këto zgjedhje. Struktura e posterit (formati grafik in-dhe-outdoor), lejon ndryshimin e emrit dhe fytyrës së kandidatëve. Por përzgjedhja e modelit ka pasur parasysh vetëm z.Velia, si kandidatin kryesor të partisë kryesuese të mazhorancës.
Komunikimi politik mbetet vetëm një sferë e botës ndërdisiplinore dhe multicentrike të PR-it, por ai shpërfaq njëherësh rrafshe të nënvetëdijshme të ‘folësit’ – personazhi socialist në këtë rast.
Netanjahu nuk është vetëm përfaqësuesi i së djathtës agresive, të rreptë, të panegociueshme, e cila e veshur me “mjetet e dhunës” së pushtetit, është një forcë që ka nevojë për muskujt e tendosur të liderit në poster dhe të vendosmërisë së tij të errësuar në ngjyra.
Netanjahu është njëherësh edhe Kryeministri më i ri i Izraelit ; është njëherësh Ministri i Diplomacisë Publike; është drejtuesi i vetëm izraelit i votuar tre herë rradhazi pas themeluesit të Izraelit, Ben Gurion; oratori i anglishtes së rrjedhshme që rrëfen një filozofi të ndryshkur në ujrat e ndenjura të ekstremizmit fetar, prej dekadash të veshur ushtarakisht.
Duke nxirë (kombëtarizuar) lëkurën e fytyrës së Bibi Netanjahut, konceptuesi i posterit ka krijuar më shumë shanse që të shihet sa më qartë e bardha dhe e kaltra e flamurit kombëtar.
Nga fytyra e errësuar me fotoshop e Netanjahut, tek e zbehta anemike e Erion Velisë, një analist imazhi kupton se kjo bëhet për të shpërfaqur “delikatesën” e kandidatit tiranas, pas të cilit sfondi është i gjithi Pink. Nuk është fjala për një rastësi. Në grafikë nuk ka rastësi.
Përngjasimi me Netanjahun është mesazhi i grupit! Grupi në këtë rast është mbrojtësi i Misionit Pink.
Në themel të mesazhit të grupit, qëndron dëshira për t’u identifikuar me një burrë! Ky burrë i përket të djathtës politike, në një vend që jeton situatën e luftës së pandërprerë.
“The Right Direction” e Netanjahut përfaqëson së pari dhe kryesisht Të Djathtën, më shumë sesa Drejtimin (Direction).
Grupi që ka përzgjedhur të “vjedhë” këtë imazh grafik, është i majtë. Po nuk është fjala për të majtën tradicionale: ajo është e kuqe, rozë, mbart simbolika ideologjike: grushtin, trëndafilin, promovon në imazh (edhe elektoral) grupin, më shumë sesa individin…
E majta e socialistëve shqiptarë ngrihet mbi Individin drejtues, jo mbi grupin përfitues. Kjo e majtë identifikohet nga përmisiviteti (anemia e imazhit) dhe nga misioni PINK.
Protesta e fundjavës e Ambasadës Pink në Tiranë ishte gati-gati një duel marke, nën pretendimin: “mjaft na keqperdoret simbolikat… tani mbani premtimet”! Dhe misioni Pink ka treguar se është në gjendje të promovohet edhe pa ndihmën e një partie politike.
Çfarë po thotë kush?
E kam pas gjykuar sloganin e mazhorancës ‘Në drejtimin e duhur’ një lapsus logjik, sepse mesazhit i mungon destinacioni. D.m.th., një kundërshtar inteligjent, lehtë mund të përdorë atë kunder teje duke thënë p.sh.: “drejtimi i duhur për në greminë…”
Po ashtu, me pak humor të zi, një përgjigje rivalësh për këtë slogan është: “dakort, drejtimi i duhur… por për kë?!”.
Bënte më shumë sens që në shfajësim të sjelljes së saj politike për gjysmën e mandatit, mazhoranca të përdorte sloganin ‘drejtim i detyruar’, thënë ndryshe, pa bërë këto hapa, nuk bëjmë dot ca hapa të tjerë të dëshirueshëm. Mund të përdorte konceptin e ‘rrugës pa kthim’, duke theksuar vendosmërinë e saj, pavarësisht dhimbjeve të shkaktuara me ‘reformat’. Mund të përdorte koncepte populiste gjithaq funksionale në kohë krizash.
Me një popullatë që vetëndjehet si “dele që po e çojnë në sheshin e kurbanëve“, drejtimi i duhur mbetej për mua si studiues një eufemizëm cinik. Derisa nuk pashë Origjinalin, arsyen e slloganit, themelin e arsyetimit.
Tani, edhe nëse zgjedhjet dhunohen thellësisht, gjithçka po shkon atje ku është shpallur: Në drejtimin e duhur (të popullit të zgjedhur)!…
Silogjizmi ideologjik është shpartallues. Filozofia, krejt e panevojshme. Mirëkuptimi ndërkombëtar i paevitueshëm. Imazhi paqësor është alibia e luftës së pandërprerë në terren. Dhe për gjithë botën, lufta e Tokës së Shenjtë do zgjasë gjër në Ditën e Fundit…
Po aq zbavitëse është piktura me sloganin e opozitës. Slogani “Punë dhe Dinjitet” është premtimi i kandidatëve për veten e tyre, një e folur në vetën e parë; shkurt një metakomunikim politik i panevojshëm.
Nëse ti i fton njerëzit të të votojnë, a nuk duhet të tregosh çfarë do ndryshosh në favor të tyre? Tiranën e ‘zbukurojnë’ sot me dhjetra tabela projektesh ku shkruhet ‘bllokuar nga Edi Rama’. Për cilën punë mund të flasë një kandidat i pavotuar ende? Për tabelat e reja ‘bllokuar nga Edi Rama’ që ka ndërmend të vendosë? Cilido qoftë, nuk ju ofron dot punë njerëzve sepse pushteti vendor nuk e ka këtë tagër. Ai krijon mundësi zhvillimi përmes PPP-ve që i kundërfirmos si financime Ministri i Financave (një tjetër tabelë për t’u ngritur!).
Gjithçka është centralizuar sot. Nga lejet e ndërtimit tek hapja e çezmës në shtëpi. Kemi një Kryeministër në detyrë që kërcënon se nuk sjell investime dhe nuk bashkëpunon aspak me njerëz të opozitës, në rast se ata fitojnë. Prej këtij çasti, opozita duhej të kishte përmbysur strategjinë e fushatës dhe të përqasej krejtësisht ndryshe. Ajo duhej t’i ishte përgjigjur momentin politik.
Por ajo është gjithmonë aty, duke premtuar emrin e kandidatit, i cili ofron PUNE dhe DINJITET.
Dinjiteti është një koncept personal, i përdorur për të cilësuar kandidatin, ndërsa njerëzit zgjedhin pushtetin vendor sëpari për shërbime.
Duhet pranuar se kandidatët e opozitës bindin më mirë se slogani i saj.
Komunikimi politik mund të thërrmohet sa të duam në mesazhe grupesh interesi, por slogani parësor e integron atë. Integrimi i mesazhit bëhet për të homogjenizuar mbështetesit e një grupi. Çfarë i bashkon të rinjtë që votojnë opozitën në tre qytete të ndryshme? Kandidati jo! Ai është i ndryshëm. Slogani jo e jo! Në këtë rast, Slogani është kandidati, dhe përtej mesazhit të njëjtë, kandidati dallon në çdo rast. I bashkon lideri i partisë? E vështirë…
Retorika politike elektorale përafron dhe homogjenizon vetëm grupet që adoptojnë një identitet të ri social, aktiv në raport me strukturën politike, ose me grupet që janë të margjinalizuar dhe të pashpresë. Teknikisht, të gjithë ata që kanë zgjedhur të emigrojnë për bukën e gojës prej 3 apo me shumë muajsh, janë potencialisht votues të opozitës. Ata i homogjenizoi zgjidhja e përbashkët ekonomike. Por jo opozita. Ajo vetëm i humbi ato vota.
Eshtë interesante se në këto zgjedhje asnjë koalicion kryesor nuk synon të integroje (homogjenizojë) votuesin e saj, t’i bëjë ata të ndërtojnë sinergji përtej ndasive në pozitat sociale dhe kulturore.
Qëndrimet e kithëta të grupeve kryesore flasin për sjellje të pastudiuara në raport me ‘konkurencën’. Mazhoranca fokalizon mjedisin ndërkombëtar; opozita sheh nga vetja. Arsyet ndoshta do t’i shpjegojë procesi i numërimit të votave dhe legjitimiteti i rezultatit. /tesheshi.com/