Dita e sotme ka shumë gjasa të jetë një e dielë me dhimbje koke për kryeqytetasit, e në mënyrë të veçantë për ata që duan të shkojnë në Shkodër për të parë ndeshjen Shqipëri-Spanjë që luhet në darkë.
Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, organizon sot “Maratonën e Tiranës”, aktivitet ku marrin pjesë garues nga e gjithë bota dhe qw Veliaj synon ta kthejë një një prej reflektorëve të imazhit të kryeqytetit.
Por çfarë ka ndodhur: bashkia ka vendosur të bllokojë për të gjithë ditën Sheshin “Skënderbej”, “Rrugën e Durrësit”, rrugën nga Zogu i Zi deri të sheshi “Shqiponja”, pra rrugën “Dritan Hoxha” që të çon në Laprakë, si dhe segmentin e autostradës Tiranë-Durrës nga kthesa e Kamzës deri në mbikalimin e Rinasit.
Me fjalë të tjera, kush udhëton sot me makinë në Tiranë do të përjetojë një ferr të vërtetë pasi gjysma e saj më e rëndësishme nuk funksionon dhe pjesa tjetër do të mbajë të gjithë trafikun, ku padyshim do të bëhet një rrëmujë e madhe që do të bllokojë lëvizjen.
Por më e rëndë kjo situatë është pë rata që kanë blerë bileta për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Spanjë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër.
Për t’ua lehtësuar sadopak situatën, i këshillojmë që të përdorin segmentin e unazës nga Stacioni i Trenit deri tek zona Don Bosko, më pas të marrin majtas tek Spitali Ushtarak; nga atje tek blloqet Gintash të arrijnë rrugën dytësore që të çon tek kthesa e Kamzës dhe prej atje të futen në rrugën që të çon në Shkodër.
Veliaj ka parashikuar një reklamë të madhe për Maratonën e Tiranës, ku si mysafire nderi ka dhe kryetaren e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.
Por bllokimi i autostradës ishte një veprim i panevojshëm.
Kryebashkiaku shumë mirë mund të përdorte për Maratonën rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, apo siç quhet ndryshe “Rruga e Ndroqit”, duke u nisur nga Sheshi “Skënderbej” nëpër Rugën e Kavajës. Ruga e Ndroqit nuk përdoret shumë dhe nuk do të bllokonte shumë njerëz, që lëvizin fundjavave në veri dhe në jug të vendit.
Rruga e Rinasit përdoret edhe nga ata që duan të shkojnë në Kosovë nëprmjet Rrugës së Kombit. /tesheshi.com/