Il Post
Lidhja midis muajit të lindjes dhe suksesit në sporte të ndryshme, është një dukuri e studiuar prej disa dekadash, dhe njihet si “efekti relativ i moshës” (RAE). Ai i referohet një shpërndarjeje të pabalancuar të datave të lindjes tek sportistët e rinj të përzgjedhur për studim nga klube të ndryshme.
Është vënë re se ata kanë lindur në 6 muajt e parë të çdo viti, dhe veçanërisht në janar dhe shkurt, janë shpesh dukshëm më të aftë se të lindurit në 6-mujorin e dytë të vitit. Një nga shpjegimet më të përbashkëta të këtij fenomeni, është se përzgjedhësit dhe zbuluesit e talenteve, priren në shumë raste që t’i interpretojnë paraqitjet e mira të sportistëve të rinj si një shenjë e aftësive të veçanta. Madje edhe kur këto paraqitje vijnë nga efekti normal i zhvillimit fizik më të avancuar. Prandaj në përzgjedhjen e tyre ata favorizojnë, qoftë edhe pa dashje, sportistë të lindur në muajt e parë të vitit brenda së njëjtës grupmoshë.
Efekte të ngjashme me atë të moshës relative – që kanë të bëjnë me zhvillimin psikologjik dhe të aftësive njohëse, por dhe atë fizik – janë të pranishme në kontekstin e shkollës, ku në vitet e para të arsimit vërehen rezultate më të mira tek fëmijët e lindur disa muaj para ose shumë më përpara se të tjerët.
Ligji mbi regjistrimin në shkollë, si në Itali ashtu edhe në disa vende të tjera, kërkon që djemtë dhe vajzat që mbushin gjashtë vjeç deri më 31 dhjetor të vitit referues, të regjistrohen në shkollën fillore. Praktikisht kjo do të thotë se në të njëjtën klasë të parë mund të ketë fëmijë që mbushin gjashtë vjeç në janar, por edhe të tjerë që do të mbushin po aq 11 muaj më vonë, në dhjetor. Disa studime tregojnë se si nxënësit më të rinj në moshë, pra ata të lindur në fund të vitit, kanë më shumë gjasa të mbeten prapa shokëve apo të kenë rezultate më të këqija në disa faza të arsimit shkollor (viti i katërt, i tetë dhe i dhjetë), krahasuar me shokët e tyre më të mëdhenj në moshë.
Por më pas, efektet e moshës relative priren që të zhduken, sepse shfaqen efektet më të gjera të shkollimit dhe faktorë të tjerë, të cilat i reduktojnë disavantazhet e pranishme në fazat fillestare. Disavantazhet zvogëlohen me kalimin e kohës, edhe për shkak se aftësitë fizike dhe njohëse tek qeniet njerëzore, rriten shumë shpejt në vitet e para të jetës, dhe gjithnjë e më pak më pas.
Pram dallimi midis fëmijëve pesë dhe gjashtë vjeç është përgjithësisht shumë më i madh se midis personave të moshës 25 dhe 26 vjeç. Megjithatë, nëse nuk vlerësohen siç duhet, ndryshimet fillestare në pjekuri dhe zhvillim, mund të reflektohen tek efektet afatgjata në arritjet në shkollë. Sipas një studimi të kryer në disa vende të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik), nxënësit më të rinj në moshë në Itali marrin 4-12 për qind vlerësime më të ulëta sesa më të rriturit në klasën e katërt.
Gjatë fazës së pubertetit, efektet e moshës relative mund të kombinohen me ato që vijnë për shkak të zhvillimit të përshkallëzuar biologjik. Për të njëjtën grupmoshë, një djalë i lindur më herët mund të shfaqë efektet e rritjes së prodhimit të testosteronit, dhe rrjedhimisht përshpejtim të rritjes fizike dhe zhvillimit të masës muskulore më herët sesa moshatarët e tij disa muaj më të rinj.
Sipas një studimit tjetër të Shkollës Federale të Universitetit të Sporteve në Makolin, Zvicër, diferenca relative tek meshkujt, arrin kulmin pak para moshës 14 vjeç. Pas kësaj moshe, dallimet zvogëlohen, pasi djemtë me zhvillim të vonë që nisin të ngushtojnë dizavantazhin. Dhe në moshën 20 vjeçare, zhduket ndryshimi në moshën biologjike midis fëmijëve me zhvillim të hershëm dhe atyre me zhvillim të vonë. Përcaktimi i saktë i ndikimit të efekteve të moshës relative tek arritjet gjatë jetës është i ndërlikuar, sepse bëhet gjithnjë e më i vështirë me rritjen e moshës së kampionit të popullsisë së studiuar.
Në fakt, efektet priren të mbivendosen me faktorë të tjerë kompleksë biologjikë, psikologjikë, socialë dhe kulturorë, përgjithësisht të anashkaluar në studimet që tregojnë një lidhje midis suksesit dhe lindjeve në muajt e parë të vitit (apo në muajt e parë të periudhës së përzgjedhur). Dhe në disa raste kjo lidhje zhduket plotësisht, pikërisht për shkak të këtyre faktorëve. Ose vihet re një lidhje në kahun e kundërt:të rinjtë paraqiten më mirë se bashkëmoshatarët e tyre pak më të mëdhenj në moshë.
Një studim i vitit 2017 nga Universiteti i Sidneit në Australi mbi më shumë se 6.000 notarë profesionistë që morën pjesë në kampionatet kombëtare gjatë viteve 2000-2014, arriti në përfundimin se në grupmoshën 12-14 vjeç, disa prej tyre treguan avantazhe të rëndësishme të lidhura me moshën relative. Por këto avantazhe u zhdukën nga mosha 15-16 vjeç, me vetëm pak përjashtime. Dhe rreth moshës 17-18 vjeçare, u shfaqën efekte të kundërta të moshës relative: pra notarët relativisht më të rinj, meshkuj dhe femra, arritën rezultate më të mira se moshatarët e tyre disa muaj më të mëdhenj.
Në raste të tjera, në fushën sportive, por jo vetëm, lidhja midis rezultateve pozitive dhe të lindurit në muajt e parë të vitit – të paktën pjesërisht i shpjegueshëm nga efektet e moshës relative – vazhdon edhe pas pubertetit. Për shembull, është një fakt i njohur shpërndarja anormale e datave të lindjes në muajt e parë të vitit midis futbollistëve profesionistë në Shtetet e Bashkuara.
Ai u përshkrua nga libri i suksesshëm i vitit 2005 “Freakonomics”, shkruar nga ekonomisti Stiven Levit dhe gazetari Stefën Dabner. Studime të ndryshme në vende të tjera të botës, kanë gjetur të dhëna të ngjashme me ato në Shtetet e Bashkuara.
Kështu, një analizë e kryer në vitin 2015 në Itali nga studiuesit e statistikave dhe studimeve ekonomike Luka Fumarco dhe Xhambatista Rosi, tregoi një prani anormale të të lindurve në janar në një grup përfaqësues të futbollistëve të Serisë A, aktivë në shtatë sezone radhazi midis viteve 2007-2008 dhe 2013-2014. Ato ishin rreth 70 për qind më të larta nga sa mund të pritej bazuar në nivelet normale të lindjeve mujore në vend. Dhe krahasuar me të njëjtat nivele, lojtarët e lindur në dhjetor ishin rreth 50 për qind më pak. Analiza zbuloi se edhe pagat e futbollistëve të lindur në tre muajt e fundit të vitit ishin mesatarisht më të ulëta se ato të moshatarëve të tyre të lindur në tre muajt e parë të vitit.
Prania e efekteve të moshës relative edhe në moshë madhore, mund të varet nga praktikat dhe mekanizmat e përzgjedhjes, të cilat në një moshë të re, në vend se t’i zvogëlojnë, i përforcojnë ato efekte, sidomos në kontekste në të cilat ka konkurrencë midis fëmijëve. Për shembull, mund të ndodhë që nxënësit e konsideruar më të mirë nga mësuesit e tyre, të përzgjidhen për të marrë pjesë në projekte apo programe që i lejojnë ata të marrin njohuri shtesë krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre. Dhe mund të ndodhë që për shkak të këtyre mekanizmave, të aktivizohen disa rrathë viciozë në anën tjetër, ku fëmijët me rezultate më të këqija të ndihen të demotivuar dhe të nxiten të përkushtohen më pak në mësime.
Ndërgjegjësimi për efektin e moshës relative, është shumë i përhapur në Shtetet e Bashkuara, ku me kalimin e kohës – sidomos në mesin e shtresës së pasur – prindërit përpiqen të kompensojnë në mënyrë parandaluese disavantazhin që mund të kenë fëmijët e tyre në klasat e tyre përkatëse, në rastet kur janë shumë muaj më të rinj se shokët e tyre.
Një nga “mjetet” më të zakonshme është një praktikë që është e kundërta me të parën, e quajtur “bluza e kuqe” (nga emri i një praktike ekuivalente të përhapur në sportet universitare): presin një vit përpara se ta regjistrojnë në kopsht apo në shkollë. Në këtë mënyrë, tek grupmoshat menjëherë pas moshës kronologjike, fëmijët e tyre nuk janë më të vegjlit, por më të mëdhenjtë e grupit.