Nga Bashkim Kastrati
Një pjesë e buxhetit të Kosovës shpenzohet edhe në udhëtime të ndryshme, ku përveç mbulimit të shpenzimeve deputetët që bëjnë udhëtime të tilla marrin edhe meditje.
Shumë nga udhëtimet e deputetëve jashtë vendit mbulohen nga taksapaguesit e Kosovës. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se sa para janë shpenzuar nga Buxheti i Kosovës për këto udhëtime, dhe cili ka qenë qëllimi i këtyre vizitave. Në vazhdim do t’i paraqesim informata të kategorizuara sipas shteteve të vizituara dhe të rankuara deputetëve që kanë udhëtuar më së shumti.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit 2015 kanë realizuar gjithsej 311 vizita jashtë vendit në 26 shtete të ndryshme. Sipas Institutit Demokratik të Kosovës, shumica dërmuese e këtyre vizitave janë në vendet e kontinentit të Evropës (296), me përjashtim të 15 vizitave në kontinentin e Amerikës (14 në ShBA dhe 1 në Panama).
Ndër vendet më të vizituara nga deputetët janë Shqipëria me 70 vizita, pastaj Gjermania me 45 vizita dhe Belgjika me 37 vizita, Serbia me 23 vizita dhe Franca me 22 vizita. Vizitat janë realizuar nga 89 deputetë kurse 31 të tjerë nuk kanë udhëtuar asnjëherë gjatë vitit të kaluar me shpenzime të Kuvendit.
Partitë parlamentare që kanë shpenzuar më së shumti në këto udhëtime janë Partia Demokratike e Kosovës me partnerët e koalicionit parazgjedhor. Deputetët e partive në fjalë gjatë vitit 2015 kanë bërë 103 udhëtime zyrtare duke shpenzuar 68 mijë e 265 euro.
E dyta për nga shpenzimet e udhëtimeve jashtë vendit radhitët Lidhja Demokratike e Kosovës. Deputetët e kësaj partie gjatë vitit 2015 kanë bërë 83 udhëtime zyrtare, ndërsa kanë shpenzuar 35 mijë e 228 euro.
Partia e tretë që ka udhëtuar më së shumti në vitin 2015 është Lëvizja Vetëvendosje. Deputetët e këtij subjekti politik kanë shpenzuar 18 mijë e 80 euro.
E katërta radhitët Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Deputetët e kësaj partie kanë realizuar 22 udhëtime zyrtare në vitin 2015, kostoja e të cilave është 8 mijë e 477 euro.
Ndërkaq deputetët e Nisma për Kosovën gjatë vitit 2015 ka realizuar 20 udhëtime zyrtare, të cilat kanë kosto 13 mijë e 31 euro.
Ndërsa shikuar në mënyrë individuale pesë deputetët që kanë udhëtuar më së shumti gjatë vitit 2015 janë Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës me 15 vizita, Blerta Deliu-Kodra po ashtu nga Partia Demokratike e Kosovës me 10 vizita jashtë vendit. E treta renditet Teuta Sahatqija nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 9 vizita zyrtare. Ndërsa Slobodan Petroviç nga partia serbe SL ka bërë 8 vizita zyrtare dhe i pesti është Besim Beqaj nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili ka bërë 8 vizita zyrtare jashtë vendit.
Qytetarët kërkojnë uljen e shpenzimeve nga deputetët dhe zyrtarët tjerë qeveritarë
Qytetarët thonë se këto shpenzime janë të larta dhe se të zgjedhurit e popullit duhet që të minimizojnë shpenzimet e tyre, duke marrë parasysh gjendjen e rëndë socio-ekonomike të qytetarëve të Kosovës.
“Përveç udhëtimeve që bëhen shpesh, kam dëgjuar se ata akomodohen në hotele të shtrenjta dhe nuk tentojnë që të kursejnë sadopak paratë e taksapaguesve, gjithashtu ka dyshime se i fryjnë edhe faturat që të marrin edhe më shumë kompensim”, thotë Armen Gashi.
Ndërsa Qëndrim Kelmendi thotë se shpenzimi i parave në këtë mënyrë është bërë një praktikë e keqe dhe po vazhdon në të gjitha legjislaturat.
“Deputetët tanë marrin rroga të mëdha, marrin meditje për secilën seancë dhe secilën mbledhje të komisionit ku marrin pjesë. Udhëtojnë me para të buxhetit dhe këto shifra janë shumë të larta sa paskan shpenzuar. Por edhe më e pakuptueshme për mua është se kur shkojnë jashtë vendit, përveç faturave ata marrin edhe meditje, pse e marrin këtë meditje pasi që po shkojnë për punë zyrtare orarin e njëjtë do ta kishin edhe nëse kishin qëndruar në Kosovës në zyrat e tyre”, thotë ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës llogaritet se kanë paga të mira dhe të ardhura solide shtesë, të cilat ua garantojnë ligjet dhe rregullorja e punës.
Statistikat zyrtare flasin se Kosova, si shteti më i ri në Evropë vazhdon të ballafaqohet me shkallë të lartë të varfërisë e papunësisë, por edhe me nivel të ulët të pagës minimale dhe mesatare.
Megjithatë, nga kjo gjendje duket se nuk vuajnë të përzgjedhurit me votat e elektoratit të Kosovës që përfaqësohen në Kuvend.
Të 120 deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, përveç pagës mujore mbi 1,500 euro në muaj, gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.
Përderisa pagat mujore në Kosovë për shtresat tjera të popullsisë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro.
Në Rregulloren e Kuvendit të Republikës se Kosovës, thuhet se përveç të drejtës së kompensimit material në të ardhura mujore, deputetët kanë të drejtën e mbulimit të shpenzimeve të qëndrimit dhe udhëtimit të tyre brenda dhe jashtë vendit me detyrë zyrtare, pastaj të ardhura shtesë për pjesëmarrje në seancat dhe komisionet e Kuvendit, mbulimin e shpenzimeve për telefona dhe derivate të naftës dhe për punën në trupa të tjerë jashtë veprimtarisë së rregullt të tij. /tesheshi.com/