Nga Bashkim Kastrati
Ish-funksionarit të Kosovës Fadil Hoxhës, do t’i ngrihet një shtatore në vendin e tij të lindjes, në Gjakovë. Këtë vendim e ka marrë Kuvendi Komunal i Gjakovës në mbledhjen e 29 prillit të vitit 2013, me shumicën e votave të këshilltarëve komunalë të kësaj komune. Propozimi për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës kishte hyrë si pikë e rendit të ditës, në pako, bashkë me propozimet për ngritjen e shtatoreve për Anton Çetën dhe Nesim Dervishdanën.
Anton Çetta ishte veprimtar i njohur i Pajtimit të Gjaqeve në vitin 1990, ndërsa Nesim Dervishdana qe vrarë në demonstratat e vitit 1981.
Për ngritjen e tri shtatoreve votuan 33 këshilltarë nga 40 sa ka Kuvendi Komunal i Gjakovës.
Por ngritja e shtatores së Fadil Hoxhës ka shkaktuar pakënaqësi tek disa asamblistë në Kuvendin e Gjakovës. Ata konsiderojnë se një përmendore e tillë do të nxitë tensione dhe mosdurim qytetar, pasiqë Fadil Hoxha akuzohet si njëri nga fajtorët e shumë masakrave dhe vrasjeve që kanë ndodhur në Kosovë.
Këshilltarja e LDD-së Mirdita Ademi, që ka votuar kundër kësaj pike të rendit të ditës, nuk e pranon metodën se si në pako u votua për të tri shtatoret, sepse ajo mendon se Hoxha ka pasur gisht në Masakrën e Tivarit.
”Ai nuk ka qenë përkrahës i demonstratave të 81-ës, ku edhe i ka quajtur protestuesit ‘plehu i Kosovës’. Edhe për shumë e shumë shkaqe të tjera ne nuk mund të votonim për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës”, thotë ajo. Njësoj mendon edhe Rrok Luli, këshilltar komunal i PDK-së në Gjakovë. Ai thotë se me Masakrën e Tivarit nuk krahasohen as masakrat e luftës së fundit.
”Unë nuk dua as ta dënoj Fadil Hoxhën, por nuk dua as t’i bëj lapidar Fadil Hoxhës”, ka thënë Luli.
Vendimi për vendosjen e shtatores së Fadil Hoxhës në qytetin e Gjakovës është marrë pa asnjë vlerësim historik zyrtar për figurën e tij, pasiqë dihet se është një figurë kontroverse historike dhe ka pasur reagime të shumta të historianëve dhe publicistëve kundër tij.
Por këtij vendimi i ka paraprirë një organizim i Komunës së Gjakovës, me një ‘simpozium shkencor’ ku është diskutuar për figurën e Fadil Hoxhës. Për ish-liderin komunist fjalën e tyre e kanë thënë figura që dikur ish-vet komunistë të shquar.
Këtë tryezë e ka hapur kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalën e saj ka thënë se ky organizim më tepër është një pasqyrim dhe reflektim tek opinioni pasi kohërat, veprat dhe qëndrimet duhet diskutuar në mënyrë më të gjerë, jo të njëtrajtshme, por duhet të sjellin dhe bartin të vërtetat e kohës se shkuar në kohën e sotme, ku edhe dalin qëndrime jo të faktuara.
“Përkundër bujës mediale dhe tendencës që jetën dhe veprën e një figure siç ishte Fadil Hoxha ta interpretojnë në forma të ndryshme, ne mbesim të vendosur që të përfillim respektin e banorëve të Komunës së Gjakovës që kanë për kontributin e tij të çmuar. Po ashtu, kujtojmë se ne kemi në dispozicion një peticion me 5000 nënshkrime për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës, numër ky që në asnjë mënyrë nuk mund te injorohet”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas akademik Pajazit Nushit, (i cili ka lindur po ashtu në Gjakovë), jeta dhe vepra e Fadil Hoxhës është aktualizuar dhe duhet të kujtohet se në atë kohën në Kosovë idetë dhe aktivitetet ishin të painstitucionalizuara, mbi nëntëdhjetë për qind të popullatës ishin analfabetë, Kosova ishte gjysëmfeudale dhe se Fadil Hoxha synonte çlirimin e përbashkët dhe bashkimin me Shqipërinë.
Shtatorja e Fadil Hoxhës mund të nxisë mosdurim qytetarë
Artan Nimani, asamblist në Kuvendin Komunal të Gjakovës dhe profesor universitar, ka thënë për tesheshi.com se shikuar historikisht deri më tash, në të gjithë botën figurat e komunizmit tashmë janë larguar dhe përmendoret e tyre ose janë hequr me dëshirë ose janë heq në forma të tjera.
Nimani, i cili ishte njeriu kryesor dhe iniciatori në Kuvendin Komunal të Gjakovës për kundërshtimin e propozimit për vendosjen e kësaj shtatoreje, thotë se Fadil Hoxha ka marrë pjesë personalisht në ekzekutimin e disa personave pas Luftës së Dytë Botërore. Ai thotë se duhet të merret një vendim i dytë dhe përfundimtarë për këtë çështje.
Sipas tij, shtatorja e Hoxhës ka filluar nga Kuvendi Komunal i pushtetit të kaluar dhe atë për efekte elektorale, duke menduar se mund të marrin ndonjë votë më tepër, ose thënë më mirë për të keqpërdorur emrat e përveçëm për nevoja elektorale.
“Figura e Fadil Hoxhës është figurë kontroverse dhe nuk jemi të gatshëm të pranojmë e të amnistojmë krimet e komunizmit dhe të udhëheqësve të tij. Fadil Hoxha ishte udhëheqës, Komandant i LNÇ e cila në periudha të ndryshme kohore nga 1941-44 ka lenë të vrarë me mijëra qytetarë shqiptarë të pafajshëm. Historia thotë se shifrat shkojnë në 50.000 qytetarë, kësaj ia shtojmë edhe masakrën e Tivarit si dhe masakrën e Drenicës, e pastaj vlerësojeni vetë arsyen dhe jepni përgjigjen. Duhet të gjykohet çdo veprim qoftë edhe për një qytetar, e le më për gjitha këto krime”, thotë Nimani.
Ai thotë se vendosja e shtatores së Fadil Hoxhës mund të krijojë situata tensionuese ndërmjet qytetarëve. Nimani thotë se duhet të ketë një komision shtetëror të lustracionit dhe pastaj të merren vendimet meritore.
“Parimisht gjaku i dëshmorëve, viktimave dhe popullatës së pafajshme nuk lejon ngritje të shtatores së kriminelëve, qoftë edhe të ilustruar si heronj. Jam i bindur që kjo punë do kryhet dhe njëherë e përgjithmonë figura dhe shtatorja e Fadil Hoxhës do të mbetet në anën e errët të historisë dhe në anën e një ëndrre të keqe. Ai është hero i Jugosllavisë, por kjo krijesë ka vdekur kështu që edhe atë titull më nuk e gëzon. Në Gjakovë nuk do ketë shtatore të Fadil Hoxhës e as të figurave tjera që janë kontradiktore dhe të cilat nxisin urrejtje e mosdurim qytetarë. Fadil Hoxha është përgjegjës për shumë krime e masakra dhe një veprim i tillë do të nxiste tensione, nga të persekutuarit dhe familjet e tyre, një nga ta jam edhe unë”, ka thënë Nimani.
Tesheshi.com ia ka dërguar pyetje Komunës së Gjakovës në lidhje me kundërshtimet që kanë qenë dhe se a ka pasur ndonjë vlerësim paraprak të figurës së Fadil Hoxhës para se të merret vendimi për vendosjen e shtatores së tij në Gjakovë, por edhe pas pritjes për një javë nuk kemi marrë përgjigje.
Historiani Imeraj: Iniciativa për shtatoren e ngutshme, duhet të ketë histori zyrtare
Shkodran Imeraj, historian dhe hulumtues i pavarur shkencor në Institutin e Historisë në Prishtinë, ka thënë për tesheshi.com se figura e Fadil Hoxhës, në aspektin historik ndahet në dy rrafshe, e para në rrafshin ushtarak dhe në rrafshin politik. Ai thotë se në rrafshin ushtarak Fadil Hoxha, klasifikohet si njëri ndër udhëheqësit kryesore të grupeve të armatosura të Ushtrisë Nacional Çlirimtare në Kosove gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Në rrafshin politik, Fadil Hoxha klasifikohet si njëri ndër figurat kyçe në Kosovën e pas Luftës së Dytë Botërore. Këtu duhet veçuar kontributin e tij në hapjen dhe ngritjen e institucioneve arsimore e shkencore si Universitetit të Prishtinës, Institutit të Historisë në Prishtinë, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës etj. Kur e shikojmë nga shumë këndvështrime figurën e Fadil Hoxhës, natyrisht mund të dal një figurë kontradiktore, ngase ai gjatë Luftës së Dytë Botërore kishe një përgjegjësi shumë të madhe në grupet e armatosur të Ushtrisë Nacional Çlirimtare në Kosovë dhe ka udhëhequr shumë beteja në shumë pjesë të ndryshme të Kosovës e më gjerë”, thotë historiani Imeraj.
Sa i përket vendimi të Kuvendit të Gjakovës për vendosjen e përmendores së Fadil Hoxhës, ai thotë se ka kaluar kohë dhe Kosova ende nuk e ka një histori zyrtare që të vlerësohet secila figurë historike kontroverse dhe pastaj të merren vendime për ngritje të shtatorëve.
“Për mendimin tim, zyrtarisht ende nuk ka një qëndrimi mbi kontributin dhe veprimtarinë e Fadil Hoxhës. Për momentin mendoj se është shumë e ngutshme iniciativa për ngritjen e një shtatoreje për njërin nga drejtuesit e lartë të Luftës Antifashistë Nacional Çlirimtare të Kosovës. Andaj hipotezat se a ka dorë apo jo në Masakrën e Tivarit apo se edhe a qëndrojnë akuzat e bëra ndaj Fadil Hoxhës, mbetet të shihet dhe të dëshmohet me anë të dokumente dhe vlerësimeve të kohës”, thotë Imeraj.
Imeraj thotë se Fadil Hoxha dhe Shaban Polluzha i kanë parë në mënyra të ndryshme zhvillimet që kanë ndodhur në Kosovë në kohën kur ata kanë vepruar dhe si pasojë e kësaj ka ardhur edhe deri të konfrontimi ushtarak ndërmjet tyre.
“Siç dihet gjatë Luftës së Dytë Botërore ndër komandantët që drejtuan trupat e Ushtrisë Nacional Çlirimtare në Kosovë, ishin Fadil Hoxha dhe Shaban Polluzha. Natyrisht që me një moment edhe ndryshojnë raportet midis disa komandantëve në Kosovë e Jugosllavi, andaj vjen edhe deri tek përçarjet në mes tyre. Këtë rast më së miri e kemi tek raportet në mes të Fadil Hoxhës dhe Shaban Polluzhës. Fadil Hoxha për një momente i ka parë ndryshe proceset e luftës, ndërsa Shaban Polluza i ka parë proceset e luftës pak me ndryshe, dhe ai ka filluar luftën e tije në Drenicë duke ju kundërvu forcave ushtarake të drejtuara nga komunistet shqiptarë të Kosovës dhe ata të Serbisë”, ka thënë Imeraj.
Ai thotë se përderisa Republika e Kosovës nuk e ka një version zyrtar të historisë, e cila do të dal nga institucionet me të larta shkencore si Instituti i Historisë – Prishtinë dhe Akademia e Shkencave dhe Artëve të Kosovës, atëherë gabojmë shumë në saktësime, përkufizime, përfundime dhe analiza të mirëfillta shkencore, duke përfshirë shumë procese historike, e shumë e shumë personalitet që ishin pjesë e pandashme e ngjarjeve të mëdha historike të popullit shqiptar.
Në lidhje me ngritjen e përmendores së Fadil Hoxhës në Gjakovë, ka reaguar dhe opinionisti nga Tirana Esat Myftari, i cili përmes një letre të hapur ka thënë se propozimi në fjalë, për ngritje të përmendores, asht një e drejtë elementare demokratike dhe në këtë pikë nuk ka asgjë të keqe. Përkundrazi, ai hap shtigje kontaktesh e diskutimesh për një periudhë historike me shumë rëndësi për Kosovën. Ai thotë se ata pro përmendores, janë një numër jo i vogël ish-anëtarësh të Partisë Komuniste të Kosovës. Sipas tij, në aktivitetin e tij politik, Hoxha nuk shënon asnjë akt të vendosur moral, pasi sipas tij, Hoxha miraton gjithçka, edhe kur Kosovës i ngulet thika.
“Në Prizren, ndonëse i rrethuem me polici e ushtri, ai e pranon anulimin e Rezolutës së Bujanit si nji akt të vullnetshëm kosovar. Dhe këtë mashtrim kaq të pacipë do ta përsërisë edhe në vitin 1971, para forumeve aq autoritative sikurse ishin kryesia e LS të Serbisë dhe LS së Kosovës. Ai thotë fjalë për fjalë: ‘Ne më 1945 në mënyrë vullnetare ju bashkuem Republikës Federative të Serbisë, në marrëveshje midis popullit të Kosovës dhe popullit të Serbisë… Ne nuk iu imponuem Serbisë, dhe as nuk u përdorë ndonji force që ne këtë ta banim, por në mënyrë vullnetare e në interes të dy popujve’ ”, thotë Myftaraj,
Ai thotë se të ngresh një shtatore para së gjithash do të thotë që përmes saj t’i sublimosh disa vlera të një qyteti, vendi, kulture a kombi ku nuk durohen njollat e mëdha. Sipas tij, Fadil Hoxha ka dorë në disa krime si krimi në fshatin Hereq, lufta në Drenicë, sulmi kundër Shaban Polluzhës ishte luftë kundër Kosovës shqiptare, krimet në Pejë – masakra mbas “thymjes” se burgut në kullën-burg të Sheremetit, eliminimi i oficerëve shqiptarë nëpër rrugët e kodrat e Pejës prej kriminelëve serbo-malazezë në kohë paqeje, sipas tij ishte produkt po i kësaj fryme.
“ Masakra e Tivarit – Kjo tragjedi kombëtare edhe sot e kësaj dite rëndon mbi ndërgjegjen e çdo shqiptari. Tivari u përgatit në Drenicë, s’do mend. Atje u dorëzue çdo gja shqiptare. E mandej, me bekimin e Fadil Hoxhës dhe të Enver Hoxhës u shtri metastaza e saj mbi rininë kosovare, nëpër luginën e Drinit e deri te grykat e mitralozave serbo-malazezë në Tivar. Sabotimi i Kosovës Republikë, revolta e vitit 1981 – Kur u pa se kërkesa për Kosovën republikë po shtypej me gjak e masakra, Fadil Hoxha iu bashkua korit mallkues dhe lëshoi fjalët që dihen kundër demonstruesve të popullit të vet”, ka thënë Myftaraj.
“Rehabilitimi” i figurës së Fadil Hoxhës
Perceptimi i qytetarëve të Kosovës për figurën e Fadil Hoxhës përgjithësisht ishte i keq. Ai shihej si fajtor për shumë krime të kryera ndaj shqiptarëve. Por menjëherë pas luftës janë shpërfaqur tendencat e para që të ngritët lartë figura e tij dhe të konsiderohet si hero i popullit shqiptar të Kosovës. Me 16 tetor të vitit 2000, në sallën e kinemasë ABC, Partia Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Hashim Thaçi, kishte ftuar si mysafir nderi, njeriun i cili nga historianët akuzohet, si përgjegjës kryesor ose indirekt, i të gjitha fushatave antishqiptare gjatë periudhës rreth 50 vjeçare të Jugosllavisë së Titos.
Megjithatë, ky nuk është nderimi i vetëm që udhëheqësit e dikurshëm të UÇK-së, të katapultuar në politikë i dhanë njeriut, figura e të cilit ka shumë dritëhije përgjatë historisë shqiptare. Pas vdekjes së tij në prill të vitit 2001, atë me nderime e përcollën në banesën e fundit, pjesëtarët e TMK-së, strukturë kjo që ishte trashëgimtare direkte e UÇK-së, e që faktikisht kontrollohej nga PDK-ja.
Kjo ndodhi pak ditë më parë kur dy udhëheqësit kryesor të partisë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kishin bërë homazhe pranë varrit të Shaban Polluzhës, i cili ishte vrarë në luftë me forcat komuniste Jugosllave, duke mbrojtur popullatën shqiptare pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. E në krah të këtyre forcave komuniste ishte edhe komandanti Fadil Hoxha.
Tani shtrohet pyetja dhe dilema se a mund të jenë të dytë heronj edhe Shaban Polluzha edhe Fadil Hoxha?!
Fadil Hoxha sa ishte gjallë, kishte thënë se Shaban Polluzha ishte likuiduar dhe pas kësaj ishte qetësuar edhe Drenica. Madje, komunisti Hoxha kishte thënë se në likuidimin e Polluzhës kishin marrë pjesë edhe njerëz të Drenicës.
Në librin e Veton Surroit “Fadil Hoxha në vetën e parë”, kishte treguar versionin e tij për vrasjen e Polluzhës dhe anëtarëve të tjerë të Çetës së Drenicës, më 21 shkurt të vitit 1945.
“Ne luftë u vranë shumë njerëz tanë. Kjo ka zgjatur afër një muaj ditë, qetësimi i situatës në Drenicë afër një muaj e kusur. Lufta kundër asaj njësie, siç quhej të Shaban Polluzhës, një pjesë e të cilës shpejt është shpërndarë ka ikë, por një pjesë e tyre kanë luftuar kundër nesh, sidomos Mehmet Gradica edhe të tjerë, si dhe Shabani. Ashtë vra Shabani, asht vra i biri. Kjo ka zgjatë nja një muaj ditë, por aty janë vra bukur edhe do partizanë tanë. Nuk e di numrin taman. Me likuidimin e këtij grupi të Drenicës gati është qetësue Drenica. Deshta me të thanë se edhe populli i Drenicës, një pjesë e madhe e tij, ka marrë pjesë me ne, mbasandej kundër këtyre. Kështu që kjo asht jashtëzakonisht me rëndësi përndryshe do të kishim probleme edhe masandej në Drenicë”, thotë Fadil Hoxha, cituar në librin e Veton Surroit, në intervistën e tij të dhënë përmes magnetofonit Rexhai Surroit (babit të Vetonit), në gusht të vitit 1963.
Sipas versionit të Hoxhës, Shaban Polluzha e kishte thyer marrëveshjen me komunistët dhe nuk kishte mbajtur premtimin për ta çuar Çetën e Drenicës në frontin e Sremit, aty ku luftohej mes gjermanëve e komunistëve, në kuadër të luftës së dytë botërore.
Mirëpo, kur çeta e Shaban Polluzhës po kalonte prej Drenicës për në Podujevë, duke shkuar për në frontin e Sremit, qindra banorë të Llapit kishin kërkuar Polluzhës dhe ushtarëve shqiptarë të mos shkonin në Serbi e të lënin qytetet e Kosovën në dorën e komunistëve shqiptarë e serbë. Dhe, kështu edhe kishte ndodhur. Luftëtarët e Shaban Polluzhës ishin kthyer në Drenicë, ku pastaj ishin vrarë nga komunistët e Fadil Hoxhës.
Historiani Uran Butka gjatë një replike me historianin Paskal Milo, duke u ndalur veçmas te Masakra e Tivarit, e vitit 1945, që është një nga tragjeditë më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve si dhe sulmet ndaj Shaban Polluzhës.
Ai thotë se urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovice e Drenicë, i dhanë, me 1 shkurt dhe me 5 shkurt 1945, “komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411). Masakra e Drenicës ishte prologu i Masakrës së Tivarit”.
Ana e ndritshme dhe e errët e Fadil Hoxhës
Fadil Hoxha konsiderohet se ka qenë edhe kundër demortratave të vitit 1981, kur shqiptarët e Kosovës kërkonin republikë. Siç citohet, Hoxha gjatë fjalimit të tij para aktivit politik të Prishtinës, me 3 prill 1981, me titull “demonstratat qenë të orientuara në radhë të parë kundër popullit shqiptar”, ka thënë se këto demonstrata janë armiqësore dhe qëllimkëqija dhe se po organizohen nga tradhtarët.
“Shoqe dhe shokë, dëshiroj të them menjëherë në mënyrë të qartë, se ngjarjet janë vepër e kurdisur mjeshtërisht me karakter armiqësor. Kjo është vepër e kontrarevolucionit, e armiqve të hapur të Jugosllavisë socialiste. Elementet armiqësore po tentojnë me parulla të rrejshme dhe demagogjike, në esencë me kërkesa nacionaliste dhe shoviniste të mashtrojnë dhe të qojnë në rruge të gabueshme një numër të rinjve. Për ne nuk është i panjohur fakti se armiqtë tanë me parullën “Kosova Republikë” përherë manipulojnë kur tentojnë të sulmojnë sistemin tonë nga arsenali armiqësor. Kjo nuk është ndeshje e parë që luftojmë kundër tyre. Ata janë armiqtë e njohur, ata kanë qenë nder armiqtë kryesor të LNÇ-së dhe të revolucionit. Ata pak tradhtarë të mjerueshëm me parulla demagogjike dhe armiqësore, këta elemente armiqësore fare të paturpshëm dënohen nga gjithë popujt”, kishte deklaruar Hoxha.
Ndërsa, gazetari dhe veprimtari Salih Kabashi risjellë një opinion të tijin të shkruar më 25 prill 2001, për figurën e liderit komunist kosovar Fadil Hoxha, vetëm dy ditë pas vdekjes së tij në Prishtinë. Ky opinion ka peshën e tij edhe sot, për shkak të debatit që ka lindur rreth kësaj figure, pas vendimit të komunës së Gjakovës, që Hoxhës t’i ngritët një shtatore në një nga sheshet e qytetit)
Kabashi thotë se nuk mund të përfundohet thjeshtë për një rol fund e krye negativ të Fadil Hoxhës në historinë e Kosovës, sepse medalja ka edhe faqen tjetër, sa ishte e zezë njëra, aq është e ndritshme tjetra.
Ai thotë se Fadil Hoxha është shquar me luftë të rreptë kundër shqiptarëve, që Luftën e Dytë Botërore e shihnin pak më ndryshe sesa shihej ajo përmes dioptrisë së kuqe komuniste e internacionaliste. Sipas Kabashit, edhe në bazë të ditarit të tij “Kur pranvera vonohet”, shihet se përpjekjet e partizanëve të Brigadës së tij ishin vetëm përleshje ndërshqiptare, që, në fakt, forcojnë tezën se në Kosovë nuk pati farë lëvizje nacionalçlirimtare, por një luftë qytetare, e cila u shfrytëzua që në Kosovë me tërë brutalitetin e saj të riinstalohej Serbia dhe aparati shtypës serbomadh.
“Pas çdo shkëlqimi të Fadil Hoxhës, ka pasuar rënia e tij dhe e popullit kosovar në humnera të thella: Bujani u pasua me herrjen e idesë së bashkimit; Prizreni i lavdishëm, çerdhja e atdhetarisë shqiptare u bë vendi i tradhtisë së madhe ku Fadil Hoxha e partizanët e tij ngritën gishtat për bashkim të Kosovës me Serbinë; Shaban Polluzha, i cili nuhati tradhtinë serbo-malaziaso-çetniko-komuniste, në vend të përkrahjes mori thikën në shpinë nga bashkëkomunistët e partizanët e Fadil Hoxhës; Dhunën dhe terrorin rankoviqist-titist, nga e cila mund t’i shkonte koka edhe atij vetë, e zbuti duke e quajtur deformim i UDB-së dhe duke amnistuar me atë rast një platformë të ndërtuar dhe të institucionalizuar antishqiptare të serbëve dhe të jugosllavëve”, ka shkruar Kabashi, duke shtuar se Fadil Hoxha është pozicionuar jashtëzakonisht mbrapshtë e tragjikisht rreth ngjarjeve të vitit 1981.
Salih Kabashi thotë se nga sa u tha, nuk mund të përfundohet për një rol negativ të Fadil Hoxhës në historinë e Kosovës. Sipas tij, medalja ka edhe faqen tjetër, sa ishte e zezë e para, aq është e ndritshme tjetra.
“Çdo gjë që ka arritur Kosova pas Luftës së Dytë Botërore lidhet domosdo me emrin e Fadil Hoxhës. Aty janë: Hapat gjigantë në arsimimin e popullit shqiptar, i cili ishte pothuajse qind për qind analfabet; hapja e shkollave të mesme, e të larta, fakulteteve, krijimi i Universitetit të Kosovës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve; ngritja e infrastrukturës shkollore përmes Huasë Popullore që u organizua nga vetë Fadil Hoxha sa ishte në krye të Kryesisë së Kosovës; përkujdesja e tij për pozitën e shqiptarëve në Maqedoni, Serbi dhe në Mal të Zi; ngritja e mirëqenies ekonomike të popullit në Kosovë; bërja e gjuhës shqipe gjuhë zyrtare në Kosovë dhe përdorimi i saj edhe në organet e Republikës Socialiste të Serbisë dhe të RSFJ-së së dikurshme; krijimi i kushteve për një hapësirë gjithëshqiptare kulturore; lufta e rreptë e tij me shovinizmin serbomadh; pozicionimi i tij i padyshimtë dhe mbështetja parezervë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkrahja që ai i shprehu Shtabit të Përgjithshëm të saj, partisë dhe TMK-së që doli nga UÇK-ja”, ka shkruar Kabashi.
———————————-
Fadil Hoxha i lindur me 15 mars të vitit 1916 në Gjakovë, vdiq nga shkaqe natyrore më 23 prill të vitit 2001 në Prishtinë, ndërsa u varros në vendlindje. Në vitin 1943 Fadil Hoxha, kalon në njësitin partizan “Emin Duraku” ku edhe merr komandën e njësitit më vonë të quajtura “Aradha”. Po këtë vit emërohet nga ana e Shtabit të Lartë të UNÇ të Jugosllavisë dhe PKJ-së, Komandant i UNÇ dhe njësive partizane në Kosovë.
Pas luftës kishte disa funksione politike në nivel krahinor dhe federativ. Funksionet më të larta në nivelin federativ ishin anëtar i Kryesisë Republikës Socialiste Federative Jugosllavisë dhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Komunisteve Jugosllavisë. Në vitet 1945 – 1953 emërohet në postin e Kryetarit të Kuvendit të KSA të Kosovës (Krahina Socialiste Autonome e Kosovës). Po në këtë funksion emërohet edhe një herë më 11 korrik 1967, dhe e mbanë përgjatë demostratave të njohura të vitit 1968-të, ndërsa një vit më vonë 1969 e liron funksionin. Në vitet 1953 – 1963 ka qenë në postin e Kryeministrit të Kuvendit të KSA të Kosovës si dhe në poste të tjera. /tesheshi.com/