Përgatiti: Luljeta Progni
Sot, pas gati një çerek shekulli, kjo që po publikojmë ngjan me një shaka: është një raportim në Kuvendin e Shqipërisë nga ana e deputetit demokrat, Genc Ruli. Ngjan me një shaka, pasi abuzimet e kastës politike në këto dy dekada, asaj që pasoi Bllokun në udhëheqje, pa bërë dallime në të majtë e të djathtë, i shndërron ato në ca englendisje me çikërima.
Më shumë se për mishin, sallamin, makaronat, pijet e ndryshme e ushqimet e gjithçfarëllojshme, ajo udhëheqje duhej vënë nën akuzë për sistemin kriminal që ngriti dhe pushtetin po aq kriminal që ushtroi, duke marrë në qafë 3 milion njerëz.
Genc Ruli, ngarkuar asokohe nga Qeveria e Stabilitetit dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar, paraqiti raportin në seancën e 29 korrikut të vitit 1991. Në atë raport renditeshin abuzimet me shuma të mëdha të familjes Hoxha, Alia, Çarçani etj.
Pjesë nga “raporti Ruli”
“Të nderuar deputetë,
E nderuar Kryesi,
I ngarkuar nga Qeveria dhe Komisioni i Posaçëm Parlamentar më në fund po lejohem të paraqes sot para jush rezultatet e kontrollit shtetëror që Ministria e Financave dhe Komisioni i Kontrollit të Shtetit ushtruan lidhur me privilegjet, abuzimet dhe shpërdorimet e organizuara nga ish-kasta e lartë e udhëheqësve të Partisë së Punës dhe të shtetit.
Rezultatet e kontrollit shtetëror të ushtruar u përkasin vetëm 2-3 vjetëve të fundit, pasi këto ishin edhe mundësitë dhe koha që kishim në dispozicion.
Kontrolli i deritanishëm u krye në ish-Drejtorinë e Pritjes, si dhe në disa institucione dhe organizma të tjerë.
Drejtoria e Pritjes u krijua në vitin 1956 në shërbim të jetesës dhe veprimtarisë së funksionarëve të lartë të Partisë së Punës të vendosur edhe në vendet drejtuese të Kuvendit Popullor dhe të Qeverisë. Kjo drejtori u shërbente kryesisht familjeve të tyre, në përbërje të të cilave bënin pjesë edhe prindërit, fëmijët e martuar dhe familjet e tyre.
Veprimtaria ekonomike e financiare e Drejtorisë së Pritjes thithte financime të mëdha shtetërore, që vetëm për 10 vjetët e fundit arrinin në 200 milionë lekë, një pjesë e madhe e të cilave ishin në valutë. Aktualisht drejtoria disponon një potencial prej 183 milionë lekë mjete themelore dhe një personel prej 646 punonjësish, për të cilët harxhohet 6,2 milionë lekë paga.
Shpenzimet për ushqime
Fillimisht po parashtrojmë masën e privilegjeve e të përfitimeve që lejoheshin sipas përmbajtjes se vetë vendimit të Byrosë Politike.
Së pari, sigurohej e konsumohej ajka e produkteve ushqimore të prodhuara në vend e në disa raste edhe të importuara nga jashtë. Të 26 familjet e trajtuara janë furnizuar pa kufizim me shumëllojshmëri artikujsh ushqimorë të cilësisë së lartë. Për periudhën shtator 1989 – shtator 1990, kur u vu në zbatim sistemi i racionimit të produkteve ushqimore për tërë popullatën, të 26 familjet konsumonin mesatarisht çdo ditë produkte të ndryshme si: 62 kg mish e nënproduktet e tij, 13 litra vaj, 86 litra qumësht, 20 litra pije, verë e birrë, 56 kg fruta e perime etj. Me këto sasi ushqimesh, në kushtet e tallonit në Tiranë, do të garantohej furnizimi me mish i 450 familjeve, me vaj i 110 familjeve, me djathë i 190 familjeve dhe me vezë i 134 familjeve.
Konsumin më të lartë gjatë kësaj periudhe njëvjeçare e ka pasur familja Hoxha, e cila është furnizuar me rreth 2 tonë mish, 7 kv sallam, 523 litra vaj, 3,1 kv gjalpë, 326 litra raki, pije e verë, 250 litra birrë, 5,8 tonë fruta dhe agrume, 1,5 kv lajthi, kikirikë e arra, 1,8 kv kafe etj., etj.
Pushimet dhe shpenzimet telefonike
Kastës partiake dhe shtetërore i siguroheshin privilegje financiare për pushimet vjetore. Anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike bashkë me bashkëshortët e tyre trajtoheshin me 12,5 lekë në ditë, me diferenca prej 3,2 lekësh nga kuota e kampeve të punonjësve të tjerë, ku përballohej nga shteti. Kështu që për çdo familje kjo shumë është 192 lekë në vit dhe për të gjitha familjet e trajtuara në tre vjetët e fundit është 11 424 lekë.
Drejtoria e Pritjes ka përballuar shpenzime të konsiderueshme telefonike me jashtë shtetit të familjes Alia, Hoxha, të Haxhi Lleshit e Spiro Kolekës. Për të tjerët shpenzimet telefonike janë përballuar nga Komiteti Qendror, dikasteret përkatëse dhe Këshilli i Ministrave. Për 19 numrat telefonikë të familjes së Nexhmije Hoxhës për 3 vjetët e fundit shuma arrin në 553 mijë lekë, për familjen Alia në 456 mijë lekë, në familjen e Spiro Kolekës 101 mijë lekë. Kështu, familja Hoxha vetëm për vitin 1989 ka biseduar 441 herë me Parisin, duke shpërdoruar në këtë mënyrë 195 mijë lekë, 210 herë me Vjenën, duke shpërdoruar 98 mijë lekë, 188 herë me Romën, 38 herë me Milanon e me radhë: me Ankaranë, Budapestin, Palermon, Berlinin, Stokholmin etj. Të tërheq vemendjen edhe fakti që janë bërë dhe deri dy-tre bisedime në ditë me të njëjtin vend, madje në disa raste bisedat kanë zgjatur mbi një orë.
Shërbimet shëndetësore dhe personeli
Klinika Speciale ka qenë një institucion tjetër privilegjesh për kastën në pushtet. Që nga viti 1988 deri në 4-mujorin e vitit 1991 ka shpenzuar gjithsej 3,2 milionë lekë, nga të cilat 1,2 milionë lekë vetëm për ilaçe.
Në shërbim të familjeve të anëtarëve dhe kandidateve të Byrosë Politike, të Presidiumit të Kuvendit Popullor, të sekretarëve të Komitetit Qendror të Partisë dhe të disa personave të veçantë janë mbajtur dhe trajtuar me pagë e ushqime një numër i konsiderueshëm punonjësish. Për çdo familje të sipërpërmendur janë vënë në dispozicion 2-3 veta si personel shërbimi, kurse për familjen e Nexhmije Hoxhës 20 veta, për atë të Ramiz Alisë 12 veta. Për 3 vjetët e fundit paga e këtij personeli ka zënë 2,2 milionë lekë. Në veçanti, për familjen Hoxha paga e këtij personeli për vitet 1988-1990 arrin në 406 mijë lekë, për familjen Alia 260 mijë lekë, për familjen Çarçani 102 mijë lekë, për familjet Çeliku, Çuko, Myftiu, Bekteshi, Isai, Marko, Murra etj. nga 70-75 mijë lekë.
Koli apo pako të ardhura nga ambasadat e vendeve të ndryshme të botës në adresë të Drejtorisë së Pritjes ose edhe me iniciale të tjera. Vetëm nga pikat doganore të Rinasit, të Tiranës e të Durrësit për vitet 1989-1990 në adresë të Drejtorisë së Pritjes kanë ardhur 1 323 koli me inicialin “Drejtoria e Pritjes”, 294 koli me adresë “x-31” dhe “Drejtoria e Shtypit”, ndërsa 335 të tjera në adresë të familjeve të veçanta.
Vilat Luksoze
Privilegje, përfitime dhe shpërdorime mbi masën e lejuar, qoftë edhe nga vendimi i paligjshëm i Byrosë Politike.
Së pari, jetohej në vila luksoze dhe të pajisura tej normativave të parashikuara në vetë vendimin e Byrosë Politike. Në përdorim të familjeve, të 82 vilat e banimit dhe të pushimit i kanë kushtuar shtetit 88 milionë lekë dhe pajisjet e brendshme 28 milionë lekë.
Vlen të theksohet se në vendimin e Byrosë Politike nr.39 nuk është përcaktuar që ish-udhëheqësit të kenë vila personale për pushime. Në këtë akt thuhet shprehimisht: “Për kohën e pushimit këtyre (udhëheqësve) t’u sigurohen banesa sipas kërkesës në qendrat e caktuara për pushime”.
Ka përfunduar inventarizimi fizik i pajisjeve të familjeve të përmendura. Me dorëzimin e vilave të banimit, disa persona i zhveshën e i dëmtuan ato duke marrë pjesët e instaluara. Kështu vlefta e dëmit nga familja Toska është 11 mijë lekë, nga familja Myftiu 5 300 lekë, nga familja Mihali 4 300 lekë, nga familja Murra 1 300 lekë.
Gjithashtu rezultuan edhe 90 mijë lekë mungesa në pajisjet për përdorim në banesa, të cilat u zhdëmtuan ashtu si dhe dëmtimet e mësipërme.
Shpenzime për veshje e kozmetikë
Janë bërë shpenzime të konsiderueshme në valutë për veshje luksoze dhe kozmetikë. Edhe pse nuk ka ndonjë vendim të veçantë për t’u trajtuar udhëheqja partiake dhe shtetërore, si dhe familjet e tyre me veshje apo kozmetikë importi, si dhe me veshje speciale të porositur në vend, çdo vit janë vënë në dispozicion shuma të mëdha në valutë dhe në lekë. Me urdhër të ish-titullarëve të Ministrisë së Tregtisë së Jashtme, Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Bankës së Shtetit nëpërmjet Industrial-Impeksit për vitet 1988-1990 u janë dhënë ambasadave në Romë, në Vjenë dhe në Paris 457 mijë dollarë për blerje privatisht me dollarë në dorë në dyqanet speciale dhe të modës mallra, si veshmbathje, kozmetikë, pajisje gjuetie, elektroshtëpiake apo ushqimore.
Të nderuar deputetë, këto ishin në përgjithësi disa nga të dhënat dhe nga konkluzionet e kontrollit të ushtruar deri tani. Materiale më të plota janë dorëzuar në hetuesi me rastin e denoncimit të personave përgjegjës nga ana e Ministrisë së Financave dhe e Komisionit të Kontrollit të Shtetit. Qeveria mbetet në besimin se organet e hetuesisë e të gjykatës do ta hetojnë çështjen deri në fund dhe pa hezitim dhe do të gjykojnë drejt e me vendosmëri si në përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të këtyre personave, ashtu edhe të masës së shpërdorimit dhe shumave të përfituara padrejtësisht, duke caktuar dhe masën e dëmit që duhet të shpërblehet prej tyre. Praktika e turpshme dhjetëravjeçare e privilegjeve të pamerituara dhe abuzuese duhet t’i nënshtrohet, gjithashtu, edhe një gjykimi në aspektin politik e moral. E parë në këtë këndvështrim, kjo praktikë është e dënueshme në këto elemente kryesore:
Së pari, në mashtrimin politik që kasa e udhëheqësve të lartë komunistë për vite me radhë i ka bërë kombit shqiptar, duke predikuar në mënyrë cinike dhe të paskrupullt, për dekada me radhë barazinë dhe qetësinë, duke dënuar një popull të tërë të rronte në një varfëri të turpshme, për shkak të paaftësisë dhe të ambicieve antikombëtare të saj. Kjo kastë, nga ana tjetër, i lejonte vetes privilegje dhe përfitime tepër të mëdha dhe në kontrast të thellë me atë nivel të ulët të jetesës së popullit.
Së dyti, për mungesën e çdo baze ligjore në përfitimin e trajtimeve favorizuese nga ana e shtetit. Në çdo vend demokratik e të emancipuar të botës drejtuesit e lartë të shtetit trajtohen e favorizohen për vetë postin që kanë, për dinjitetin shtetëror, për vetë detyrën e rëndë e me përgjegjësi të madhe, por këto trajtime kryhen mbi një bazë ligjore nëpërmjet një aprovimi parlamentar dhe duke qenë të njohura e transparente për këdo. Në të kundërtën privilegjimi i udhëheqjes së lartë partiake të ish-shtetit socialist shqiptar u krye nëpërmjet vendimeve joligjore, të marra në mënyrë të fshehtë prej vetë atyre, duke treguar kështu si mospërfilljen e plotë dhe mungesën e respektit që këta qytetarë të rangut të parë kishin për ligjet dhe vullnetin e kombit, ashtu edhe synimin e tyre për të mbajtur sa më të fshehtë përmbajtjen e vërtetë të privilegjeve e përfitimeve që ata i lejonin vetes së tyre, duke bërë të njohura publikisht vetëm pagat e tyre modeste, më e shumta 1 600 lekë, ndërkohë që të ardhurat reale të tyre dhjetërafishoheshin prej përfitimeve dhe shpërblimeve të papaguara apo abuzimeve që kryenin në pasurinë shtetërore.
Një gjë duhet pasur qartë parasysh: dëmi ekonomik që kjo kastë ka shkaktuar nëpërmjet privilegjeve jetësore dhe abuzimeve të organizuara janë të mjaftueshme për ta dënuar atë ligjërisht e moralisht si çdo shkelës tjetër të ligjit, të së drejtës dhe normave shoqërore. Por dëmi që ata i kanë shkaktuar, nëpërmjet paaftësisë së tyre, drejtimit irracional dhe antishkencor të ekonomisë, që e sollën vendin në këtë krizë e varfëri të thellë, është me të vërtetë i pallogaritshëm.
Duke denoncuar e dënuar me forcë këto fenomene të dhimbshme të së djeshmes, populli shqiptar dhe shteti i sotëm demokratik japin një provë më tepër se e shkuara mori fund njëherë e përgjithmonë dhe ata nuk do të lejojnë që të shfaqen përsëri këto fenomene në të ardhmen. Falemnderit!”, mbyllet kështu raporti i Gen Rulit. /tesheshi.com/