Nga Alba Skëndaj
Si sot, 7 vite më parë Tirana u trondit nga një shpërthim i fuqishëm, i cili edhe pse ndodhi në periferi të saj, pati pasoja negative jo vetëm tek banorët e kryeqytetit, por në gjithë Shqipërinë. Më 15 mars të vitit 2008, në Gërdec, një fshat në afërsi të Tiranës, pranë autostradës Tiranë-Durrës, një fabrikë demontimi armësh shpërtheu dhe solli si pasojë disa persona të vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur.
Mediatikisht, në atë periudhë, ky ishte lajmi kryesor i të gjithë televizioneve, gazetave, radiove, mediave online në vend, gazetarët e së cilave rendnin kush e kush më parë të merrte informacione në lidhje me këtë fshat të vogël, ekzistencën e së cilit, deri në atë kohë, shumë pak veta e dinin.
Kështu, si pa kuptuar, Gërdeci u kthye në qendrën e vëmendjes së shqiptarëve dhe jo vetëm. Një pasqyrim i gjerë iu dha kësaj fatkeqësie njerëzore të ndodhur ndoshta nga pakujdesia, edhe në shtypin botëror.
Ishte pikërisht BBC ajo e cila e kishte vendosur lajmin e shpërthimit në Gërdec si lajmin kryesor tek kategoria e lajmeve nga Europa. Nëse kërkoni në internet, edhe sot e kësaj dite ndodhet lajmi i botuar në sajtin zyrtar të kësaj agjencie prestigjioze lajmesh, krahas së cilit ndodhen edhe lajme të tjera të lidhura me ngjarjen si dhe profili i Shqipërisë, si një vend në gadishullin Ballkanik. BBC iu referohet burimeve zyrtare të asaj kohe për të treguar mbi rëndësinë e ngjarjes dhe fatalietin e saj.
Me titullin “Dyshohen 160 të vdekur nga shpërthimi në Shqipëri” nisnin lajmet e botës tek “The Guardian”, të cilët, të ndihmuar nga bashkëpunëtorët e tyre në vendin tonë, jepnin detaje paraprake mbi ngjarjen, duke bërë njëkohësisht edhe një përshkrim të saktë të vendit ku ndodhi shpërthimi si dhe të gjendjes së asaj kohe në vend.
“Shpëtuesit kërkojnë të mbijetuarit nga shpërthimi në Shqipëri” hapet Reuters më 16 mars, një ditë pas ngjarjes së rëndë që preku vendin. Në shkrim pasqyrohet situata në Gërdec si dhe deklaratat e kreut të shtetit në atë kohë, Z. Bamir Topi, në lidhje me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.
Çështja “Gërdeci” pati pasqyrim të gjerë edhe në median rajonale, ku të shumta ishin shkrimet e kronikat në mediat greke, maqedone, serbe dhe më tej, të cilat bashkë me mediat italiane, kanë bërë pasqyrim në vijimësi të ngjarjes, si dhe të zhvillimeve të njëpasnjëshme, duke nisur nga momenti i shpërthimit, i cili është pasqyruar nëpërmjet flesheve informative në televizionet informative në vendet fqinje, e duke vijuar më tej me shkrime të detajuara, ku jepet edhe mënyra se si kjo ngjarje shikohej “nga jashtë”.
Prestigjozia “Corriere della Sera” e nis faqen e lajmeve të botës me shkrimin “Ferr në Tiranë, shpërthen një depozitë armësh”, ndërsa disa ditë pas ngjarjes, më 27 maj ajo çelet me titullin “Kryeministri shqiptar pranon trafikun e armëve”, referuar ngjarjes së ndodhur në Gërdec.
Pra, siç vihet re, mediat ndërkombëtare pasqyruan më së miri, me detajet e orës së fundit, ngjarjen e ndodhur në vendin e shqiponjave, më 15 mars 2008, ndërsa mediat e vendeve fqinje bënë një përshkrim të njëpasnjëshëm dhe të hollësishëm hap pas hapi të të gjitha zhvillimeve, duke i kushtuar një rëndësi tepër të veçantë shpërthimit në afërsi të autostradës Tiran-Durrës.
Edhe pse kanë kaluar 7 vite nga kjo fatkeqësi, pasojat e saj ishin aq të mëdha, saqë të gjitha mediat në vend, pa përjashtim, e përfshijnë në kronikat e tyre dhe i dedikojnë një vëmendje specifike ngjarjes, nga e cila banorët e zonës dhe gjithë të prekurit drejtpërdrejtë, nuk e kanë marrë veten ende./tesheshi.com/