Ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka thënë se Policia e Kosovës do ta arrestojë presidentin serb Aleksandar Vuçiç nëse ai tenton të hyjë në territorin e Kosovës pa leje.
“Është çështje e kryeministrit të vendosë, nëse ka kërkesë, i jep leje apo jo Vuçiçit. Dhe, sepse pa leje, atëherë e dini se cilat institucione merren me të. Nëse hyn në Kosovë do të arrestohet pa asnjë dyshim. Si mendoni se dikush, shtetas i huaj, mund të hyjë në Republikën e Kosovës pa lejen e institucioneve të Kosovës”, tha Sveçla.
Sipas tij, nëse Vuçiç mund të hyjë në territorin e Kosovës pa leje, kjo do të thotë se Kosova nuk bëhet shtet.
“Cilat janë pasojat? Pasoja është se ju thjesht nuk keni shtet nëse kreu i një shteti tjetër hyn në territorin tuaj pa leje. Mirëpo, nuk besoj se Vuçiç është aq i çmendur sa të vijë në Kosovë pa leje”, ka thënë Sveçla në pyetjen e një gazetari për njoftimin e presidentit serb se shumë shpejt do ta vizitojë Kosovën.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, tha të mërkurën se kërcënimet e ministrit të Brendshëm të Kosovës nuk mund ta pengojnë Vuçiçin që të ndihmojë popullin serb në Kosovë. /tesheshi.com/