Mehmet Qema dhe Marius Dema ishin miq për kokë deri mbrëmjen e 10 majit, kur më pas i pari do mbyllte jetën nga plumat e të dytit. Ngjarja e rëndë ndodhi në Rrugën 5 Maji në Tiranë.
Njoftimi policor thotë:
Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme në rrugën “5 Maj” ku u vra me armë zjarri një 27-vjeçar.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar i dyshuar i ngjarjes.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të tjerë për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr.4, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë në vijim të veprimeve hetimore të kryera për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. Q., 27 vjeç, bazuar dhe në provat e grumbulluar, bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit M. D., 28 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”.
Në vijim të veprimeve janë shpallur në kërkim edhe shtetasit E. P., 27 vjeç, B.H., 28 vjeç, B. A., 23 vjeç, F. M., 29 vjeç dhe Xh. K., 19 vjeç, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Punohet për sqarimin e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme.
Dy të rinjtë, Qema dhe Dema ishin nën shoqërinë e njëri-tjetrit dhe të miqve të tjerëve ku dyshohet se mes tyre ka nisur një debat dhe nga ky konflikt i çastit është përdorur dhe arma e zjarrit që la të vdekur 27-vjeçarin.
27-vjeçari u plagos rëndë me armë zjarri duke mos i mbijetuar dot plagëve dhe humbi jetën në spital. Viktima nuk njihet si person me precedent penal, ndërkohë që policia ka shoqëruar se kanë dijeni për ngjarjen këta persona: Erlind Peka, Bralid Aga, Blerim Hoti, Frenkli Myftari dhe Xhuljano Koçi. /tesheshi.com/