Ushtria serbe mbetet në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake, është dakorduar së fundi në seancën e Këshillit serb të Sigurisë Kombëtare .
Siç njoftoi Kabineti i Presidentit të Serbisë, forcat e armatosura mbeten në nivelin më të lartë të gatishmërisë luftarake deri në njoftimin e dytë, për shkak të përdorimit “brutal” të forcës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe forcat e tij, raporton Beta.
Gjatë takimit u vlerësua se KFOR-i nuk e ka kryer punën e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Marrëveshjen Ushtarako-Teknike nga Kumanova.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe, gjenerali Milan Mojsiloviç, është i autorizuar të mbajë kontakte të drejtpërdrejta me komandantin e KFOR-it, në përpjekje për të siguruar që misioni të përmbushë funksionin dhe mandatin e tij në përputhje me aktet përkatëse të OKB-së dhe të mbrojë serbët në Kosovë.
“Serbia do të jetë e vendosur dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”, thuhet në deklaratën pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare. /tesheshi.com/