Gjiganti amerikan i teknologjisë Apple ka nisur për herë të parë shitjen e iPhone-ve të tij të prodhuar në fabrikat indiane, u njoftua në prezantimin e modelit të ri të smartfonit në New Delhi.
Një numër i caktuar i modeleve të prodhimit indian iPhone 15 dhe iPhone 15 Plus janë në shitje që nga e premtja në disa vende, duke përfshirë vetë Indinë, konfirmuan burimet e kompanisë për dpa.
Shumica e produkteve të Apple prodhohen ende në Kinë. Megjithatë, sipas raporteve të fundit, duke pasur parasysh tensionet gjeopolitike, Apple po kërkon të përfshijë vende të tjera në zinxhirët e saj të furnizimit, me fokus në Indi dhe Vietnam.
Shpërndarja më e gjerë e prodhimit është e lidhur edhe me luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe pandeminë, pasi këto ngjarje kanë ekspozuar varësinë e lartë të zinxhirëve të furnizimit nga rrethanat ndërkombëtare.
India, e cila ofron stimuj nga qeveria për prodhimin e telefonave inteligjentë, me 1.4 miliardë banorët e saj është një treg tërheqës në zhvillim. Megjithatë, iPhone-t relativisht të shtrenjtë, ende përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të shitjeve të smartfonëve në atë vend.
Këtë vit, Apple hapi për herë të parë dyqanet e saj zyrtare në Indi. /tesheshi.com/