Nga Farhan Mujahid Chak, Daily Sabah
Unë nuk besoj më tek përrallat, megjithëse dikur besoja. I rritur me idealet e shenjtërisë në jetë, më mësuan që të nderoj shenjtërinë e njerëzimit, të mbroj ligjin ndërkombëtar dhe të ruaj lirinë e fjalës si guri i themelit të përparimit të shoqërisë.
Unë besoja se Konventat e Gjenevës, ishin një manifestim i ndërgjegjes sonë kolektive që urdhëronte rregullat e luftës dhe që i mbante përgjegjës kombet për shkeljet që mund të kryenin gjatë konflikteve. Gratë dhe fëmijët; spitalet dhe shkollat; të moshuarit dhe të pafuqishmit ishin të paprekshëm.
Po ashtu dikur më mësuan se “protesta paqësore” ishte liria thelbësore e një shoqërie të sofistikuar, e cila e kuptonte marrëdhënien midis aktivizmit qytetar, ndryshimit shoqëror dhe përparimit. E dëgjoja më shumë vëmendje atë retorikë të nivelit të lartë dhe mbetesha i magjepsur.
Unë do të shqiptoja fraza të fuqishme për demokracinë, barazinë dhe lirinë, dhe ato fjalë madhështore ngjitëse m’u ngjitën nëpër dhëmbë. Në një farë mënyrë isha i hipnotizuar nga vlerat, që kishin tek unë një jehonë të madhe. Por dalëngadalë u zhgënjeva.
U bë e qartë se ato fjalë të zbrazëta nuk ishin menduar kurrë të ishin të vërteta. Por u përdorën vetëm për të vendosur autoritetin dhe për të qortuar të tjerët për dehumanizmin e tyre. Drejtësia nuk ishte e verbër siç propagandohet dhe raca, ngjyra dhe besimi kishin rëndësi në zbatimin e ligjit.
Pikërisht në këtë kontekst të trazuar, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (UNGA) do të votojë nëse 11 korriku do të shpallet “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës 1995”.
Ndërthurja komplekse e gjenocidit të vazhdueshëm në Palestinë, lufta ndaj studentëve dhe lirisë së fjalës në kampuset universitare në SHBA, Kanada dhe Evropë, dhe gjenocidi i mëparshëm në Srebrenicë, meriton një shqyrtim më të imtësishëm.
Votimi në OKB për gjenocidin në Bosnje, nuk mund të vinte në një moment më të dënueshëm në historinë botërore. Më 1 maj, pas një vonese të madhe, një projekt-rezolutë e OKB-së mbi gjenocidin e Srebrenicës iu dorëzua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të përbërë nga 193 vende anëtare.
Kujtojmë se në vitin 1995, qyteti i Srebrenicës ishte një zonë e sigurt e shpallur nga OKB-ja, dhe që premtonte mbrojtje për civilët nga një forcë paqeruajtëse holandeze nën flamurin e OKB-së. Dhjetëra burrave muslimanë të aftë për punë në qytet, iu kërkua të çarmatosen, gjë që ata e bënë.
Pavarësisht kësaj, forcat fanatike serbe pushtuan zonën e sigurt dhe vranë 8.372 burra dhe djem muslimanë. I tillë është realiteti i deformuar i botës në të cilën jetojmë: një strehë e sigurt e përcaktuar nga OKB-ja, gjoja e mbrojtur nga forcat e saj, u pushtua nga forcat terroriste serbe dhe një gjenocid ndodhin para syve të tyre.
Tani, një rezolutë e OKB-së për gjenocidin e Srebrenicës, pjesërisht e modeluar sipas një rezolute të ngjashme për gjenocidin në Ruanda, është hartuar nga disa vende duke përfshirë Gjermaninë dhe SHBA. Një absurditet i madh, pasi të dyja këto vende janë bashkëpunëtorë në gjenocidin që po ndodh aktualisht në Gaza, përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike për Izraelin.
Kjo është ironia e çuditshme e të qenit bashkëpunëtor në një gjenocid të vazhdueshëm dhe e nxjerrjes së një rezolute të OKB-së që dënon të njëjtën gjë. E cila është domethënia e miratimit të një rezolute për gjenocidin e djeshëm diku, dhe mbylljes së syve ndaj asaj që po e sheh sot e gjithë bota në Gaza?
Mjerisht, zuzarët kanë nevojë për maska, dhe nuk ka mbulesë më e mirë se virtyti. Është politika dhe jo etika, ajo që ka nxitur votën e OKB-së për masakrën në Srebrenicë. Natyrisht, kjo nuk e zbeh domosdoshmërinë e saj apo nevojën për të dënuar gjenocidin e Srebrenicës dhe ata që e mohojnë atë.
Por tradhtia e madhe në nivelin makro ndaj Konventave të Gjenevës dhe Ligjit Ndërkombëtar të të Drejtave të Njeriut nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Gjermania është një padi ndaj rendit global aktual të udhëhequr nga Perëndimi.
Është kjo dyfytyrësi, egërsia e gjenocidit në Palestinë, shtypja e protestave ndaj saj, që ka provokuar një brez të tërë të rinjsh në kampuset universitare në mbarë Perëndimin. Tek e fundit, edhe atyre u janë treguar histori mbi diversitetin, përfshirjen dhe pluralizmin.
Po ashtu u mësuan të dënojnë diskriminimin mbi baza etnike, fetare apo gjinore. Për barazinë para ligjit dhe për paprekshmërinë e civilëve. Ata u rritën që të ndiheshin të fuqizuar dhe të inkurajuar për t’u organizuar në mënyrë paqësore dhe për të shprehur mendimet e tyre.
Dhe shoqëria përfiton kur individët ushtrojnë plotësisht detyrën e tyre qytetare. Megjithatë sot ata janë dëshmitarë të mohimit flagrant të arketipeve morale me të cilat janë edukuar në shkollë. Ata ndihen të mashtruar dhe po protestojnë, siç bëjnë heronjtë, për mundësimin e gjenocidit nga universitetet e tyre.
Idealistë dhe të guximshëm, ata po sakrifikojnë arsimimin dhe karrierën e tyre për të dënuar gjenocidin në Palestinë. Por në vend se të vlerësohen për këtë, mijëra studentë janë rrahur, ngacmuar dhe arrestuar. Janë ndëshkuar për besimin tek vlerat që iu mësuan dikur.
Tani, duket se kemi mbërritur në aktin përfundimtar. Së pari nga pandëshkueshmëria –
kur ne mbyllim sytë ndaj gjenocidit që po ndodh në Palestinë, kritikojmë studentët që protestojnë kundër tij, dhe negociojmë mënyrat për të përkujtuar një gjenocid të dikurshëm në Srebrenicë – kur e injoronim atë kur po ndodhte.
Sot, në këtë botë të kthyer me kokë poshtë, ne presim si në ethe votimin përfundimtar në OKB ndaj rezolutës në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, ndërsa Gaza është shkatërruar, dhe populli i saj është i uritur dhe po i mohohet edhe uji.
Megjithatë, pavarësisht nga rezultati i votimit, rezoluta nuk do të ndalojë gjenocidet e ardhshme. Gjithsesi, ajo do të mbetet përgjithmonë një testament i realitetit të shtrembëruar distopian në të cilin jetojmë dhe një simbol i nevojës urgjente për të ndërtuar një rend të ri botëror.
Ndoshta, në një ditë sado të largët, ne mund të mbledhim vullnetin e duhur për çfarëdolloj qëllimi, dhe të miratojmë një rezolutë të OKB-së që e dënon atë. Ose të emërtojmë një autostradë me emrin e dëshmorëve. Ne do të rrëfejmë histori fisnike për ata që u vranë, pasi duket se bota jonë e shtrembëruar vetëm pas vdekjes së tyre shtiret sikur i nderon ata.
Shënim: Farhan Mujahid Chak, profesor i çështjeve ndërkombëtare, lektor në Qendrën Al Wsaleed për Mirëkuptimin midis të Krishterëve dhe Muslimanëve në Universitetin Xhorxhtaun, SHBA.