Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj doli me një sqarim publik për akuzat që e lidhin atë me hetuesinë e kohës së diktaturës. Ai thotë se nuk ka punuar asnjë ditë në strukturat e Sigurimit të Shtetit dhe as në organet e hetimit në periudhën e komunizmit, të cilat në atë kohë ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme.
Në një deklaratë të gjatë lëshuar për mediat nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, Xhafaj sqaron periudhën për të cilën është akuzuar ditët e fundit, duke i dhënë përgjigje kështu edhe Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.
“Në vitin 1982 kam përfunduar studimet për drejtësi në Universitetin e Tiranës. Në shtator të atij viti jam emëruar Këshilltar Ligjor pranë Zyrës së Ndihmës Juridike në Gjykatën e rrethit Krujë. Në maj 1983 jam zgjedhur gjyqtar në Gjykatën e rrethit Krujë.
Në qershor 1984 krijohet për herë të parë organi i hetimit penal, si institucion i veçantë dhe i pavarur nga institucione të tjera, pjesë e organeve të sistemit të drejtësisë të asaj kohe pranë prokurorive të rretheve, tërësisht i ndarë nga organet e hetimit të Ministrisë së Brendëshme. Po atë vit, në qershor, më emëruan në punë pranë këtij organi. Në këtë periudhë prej një vit e gjysmë, (qershor 1984 – dhjetor 1985), kam kryer edhe stazhin gjashtëmujor në prodhim, pranë Ndërmarrjes Bujqësore Krujë.
Në fund të vitit 1985 jam larguar përfundimisht nga puna në organet e sistemit të drejtësisë në moshën 26-vjeçare. Sikurse del qartë nga këto fakte, asnjë ditë të jetës sime nuk kam shërbyer në strukturat e sistemit të Sigurimit të Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme të asaj kohe dhe as në organet e hetimit që ishin pjesë e Ministrisë së Brendshme”, sqaron Xhafaj.
Ai thotë se pretendimet e dy qytetarëve se janë dhunuar prej tij, janë të pavërteta dhe të porositura.
“Një shtetas shqiptar me banim jashtë atdheut pretendon me mesazhe e telefonata të porositura se në vitin 1986, e paskam dhunuar apo torturuar, vit në të cilin, unë nuk kam qenë fare në punë në organet e drejtësisë të asaj kohe. Në janar të vitit 1986 kam filluar punë si drejtues i rinisë në Tiranë dhe ky fakt është i dokumentuar”, shkruan ai.
Duke i cilësuar si shpifje gjithçka thuhet për të, Fatmir Xhafaj, thotë se akuzat bëhet në funksion të fushatës politike të ndërmarrë kundër tij.
Xhafaj thotë se i ka kërkuar Partisë Demokratike që të hetonte rastin e tij, ndërsa shton se akuza të tilla janë pjesë e lojës së “ulët politike”.
“Sa herë flasin me mua në Parlament, sigurisht në ambiente pa kamera, më thonë se nuk duhet t’i marrë seriozisht e as të shqetësohem, pasi në fund të fundit kjo është politika. Parimi makiavelik sipas të cilit “qëllimi justifikon mjetin” qëndron në themel të propagandës së Partisë Demokratike”, shton ai. /tesheshi.com/