Në stinën e turshive po sjellim një recetë tradiconale të turshive siç është receta e turshive të përziera. Mund ta përzieni me sallata të ndryshme si meze dhe shoqëruese të pjatave me mish.
Përbërësit:
4 tranguj mesatarë, 4 speca jeshil të hollë, 4 kokrra domate, 10 thelpinj hudhra, ¼ e lakrës së bardhë, ¼ e lakrës së kuqe, 5 karrota mesatare, 1 kokërr limon, 1 lugë gjelle me kripë të trashë, 1 gotë uji me uthull, 1 tufë majdanoz
Përgatitja:
Mbasi i kemi larë të gjitha perimet i shpojmë me majën e thikës në pjesë të ndryshme. Në një enë të thellë do të hedhim kripën, uthullën dhe një gotë ujë. I përziejmë mirë dhe i lemë mënjanë sa të shkrijë kripa. Marrim kavanozin në të cilën do të bëjmë perimet turshi dhe fillojmë ti hedhim.
Në fillim do të hedhim dy thelpinj hudhra pastaj fillojmë të hedhim perimet në mënyrë të çrregullt. Ndërsa hudhrat i shpërndani në të gjithë kavanozin. Mbasi i kemi hedhur të gjitha në kavanoz ne do të hedhim shëllirën e përgatitur. Para sa ta mbyllim kapakun ne do vëmë tufën e majdanozit të pa prerë mbasi e kemi larë. E mbyllim kapakun fort që shëllira të mos na derdhet.
E marrim kavanozin e kthejmë përmbys dhe e lemë gati për 1 orë.
Pas një ore e kthejmë dhe e vendosim në një vend të errët për 15 ditë. Mbase 15 ditësh turshia është gati.
Shënim:
Limonin e ndani në feta të trasha dhe vendoseni në të katërt cepat e enës. Ju edhe mund ti bëni në copa të vogla perimet. Kjo varet nga ju./tesheshi.com/