Një ndër termat më përvëlues të ligjërimit mediatik sot, është dhe xhihadi; që për shumëkënd përkthehet si luftë e shenjtë. Klerikë të shumë myslimanë, të çdo kohe, e sigurisht dhe sot, thonë se xhihadi nuk përkthehet si luftë e shenjtë, pasi në konceptin islam e shenjta është vetëm ajo që është e drejtë; pra, një luftë mund të jetë e drejtë ose e padrejtë.
Ndërsa për kuptimin më të afërt literal të fjalës xhihad, ata në shqip sjellin përpjekje-n; atë lloj përpjekje të natyrshme që gjendet tek çdo njeri, që duke u nisur nga premisa të larta morale, e padyshim pozitive, mbi veten, bën përpjekje të vazhdueshme për ta përmisuar atë, për ta frenuar nga të këqijat; dhe ky klasifikohet si xhihad i madh; ngase xhihadi ndahet në dy grupe kryesore, i madh dhe i vogël, si dhe në disa nëngrupime, ku tek lufta përfshihet i vogli, e ku gjithsesi është luftë me kuazë mbrojtëse – po t’u cënua me të padrejtë feja, nderi dhe pasuria, – edhe nëse ndodh që taktikisht të jetë sulmuese, ku si shembull më i freskët mund të sillet UÇK-ja. Ajo vërtet sulmonte – jo popull por ushtri – e cila ishte pushtuese, cënuese e fesë, nderit dhe pasurisë.
Dhe le të kalojmë tek xhihadi i madh, ai me veten. Një shembull të përkryer të këtij lloj xhihadi, e hasim në një monolog të filmit Përballimi, ku Nezir Potka, fshatar i varfër, shpall atë që e bën burrin burrë: rezistenca ndaj së keqes, përpjekja për ta mposhtur atë, në emër të nderit, moralit dhe fisnikërisë njerëzore.
Neziri: Por burrëria më e madhe a e di se cila na qenka morr vëllezër? Të mposhtësh vetveten!
Tarja: Po pse na u dashka të mposhtësh vetveten?
Neziri: A duhet morr duhet! Ja ta zëmë se të hyri në bark djalli dhe lakmon të pasurohesh me batakçillëke dhe poshtërsira.
Atëhere kush është burrë, e mposht vetveten, e mund lakminë dhe i mbahet rrugës së drejtë, rrugës së nderit!
Madje, si për koiçidencë, fjala shkon, nga burrnia në luftë (xhihadi i vogël) tek burrnia në luftën me vetveten, xhihadin e madh, atë më të rëndësishmin tek njeriu. Por duhet theksuar që, skenaristi i filmit, jo domosdo ka patur referencë fetare në atë që ka shkruar dhe vënë në gojën e personazhit (Teodor Laço).
Këtu është fjala vetëm për të thënë që xhihadi ekziston tek çdo qenie njerëzore, pavarësisht nëse njihet kështu dhe me këtë term nga bartësi i tij, njeriu. /tesheshi.com/
Video: