Nga Entela Duraj
Edhe në një vend të varfër si Shqipëria, miliona lek derdhen lumë nëpër fushata zgjedhore. Vetë partitë politike nuk bëjnë transparencë kur flitet për burimin e të ardhurave, edhe pse ligji i detyron të tregojnë se sa kanë shpenzuar dhe nga i kanë siguruar këto para. Viktor Gumi, ish-deputet dhe ekspert ligjor, thotë se ligji shqiptar lejon jo vetëm gazetarët por edhe çdo qytetar që t`u kërkojë subjekteve politike të tregojnë donatorët dhe shumën e parave të shpenzuara.
Monitorimi i financave
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organi përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e financimit të partive politike dhe fushatave zgjedhore. Përpara tij, një pjesë të këtyre kompetencave i kishte Kontrolli i Lartë i Shtetit por Neni që përcaktonte këto kompetenca u shfuqizua përmes vendimit nr. 33 datë 9.5.2011 të Gjykatës Kushtetuese,’ thotë Viktor Gumi, i cili shpjegon se hapi i parë që duhet bërë për të mësuar shumën e shpenzimeve të një partie politike, është një kërkesë drejtuar subjektit politik, ku i kërkohet shuma e parave të shpenzuara për fushatë dhe burimi i financimit, dhe partia duhet të kthejë përgjigje brenda 10 ditëve. Në rast se refuzon të kthejë përgjigje atëherë qytetari, apo gazetari që ka të drejtën e informimit ankohet pranë Komisionerit, i cili organizon një seancë dëgjimore, ndërsa hallka e fundit mbetet Gjykata Administrative.
Deklarimi i vetë partive
Nga ana tjetër po sipas ligjit çdo subjekt zgjedhor duhet të regjistrojë në një regjistër të posaçëm, miratuar si model me vendim të KQZ-së, shumën e fondeve të përfituara për çdo person fizik ose juridik, si dhe të dhëna të tjera që lidhen me identifikimin e qartë të dhuruesit. “Në çastin e dhurimit, dhuruesi nënshkruan një deklaratë, ku zotohet se ai nuk ndodhet në një nga rrethanat e ndaluese të Kodit Zgjedhor dhe mban përgjegjësi personale për deklarim të rremë. Dhurimi i fondeve jopublike me vlerë më të madhe se 100 mijë lekë duhet të bëhet vetëm në një llogari të posaçme të hapur në një bankë nga subjekti zgjedhor. Përgjegjësi i financës së subjektit zgjedhor, jo më vonë se tre ditë nga fillimi i fushatës zgjedhore, deklaron numrin e llogarisë bankare të hapur për këtë qëllim. Numri i llogarisë bankare për çdo subjekt politik publikohet në faqen zyrtare të KQZ-së. Shpenzimi total që mund të kryejë një parti politike, përfshirë edhe kandidatët e tyre, për një fushatë zgjedhore nuk duhet të kalojë 10-fishin e shumës më të madhe që një subjekt zgjedhor ka marrë nga fondet publike, sipas Kodit Zgjedhor,” thotë Viktor Gumi, ekspert ligjor.
Auditimi
Nga ana tjetër Gumi thotë se edhe audituesit që përzgjedh KQZ nuk mjaftojnë për të monitoruar dhjetëra subjekte politike që garojnë në Shqipëri. Mesatarisht 1 auditues ka merr përsipër 10 parti politike. Sipas procedurës KQZ-ja përzgjedh me konkurrim një listë të ekspertëve kontabël të licencuar në fillim të vitit zgjedhor. Lista duhet të përmbajë të paktën 20 ekspertë, të cilët e ushtrojnë këtë profesion në 5 vitet e fundit. Por në zgjedhjet e fundit u përzgjodhën vetëm 9 ekspertë, dhe sipas KQZ-së kjo ndodhi për shkak se nuk pati interes, dhe nuk iu përgjigjën thirrjes së KQZ-së. Nga ana tjetër rregulli përcakton se një auditor nuk mund të auditojë të njëjtin subjekt zgjedhor për dy zgjedhje radhazi. Po sipas ekspertëve ligji thotë se jo më vonë se 5 ditë pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve KQZ-ja emëron ekspertët kontabël të licencuar për auditimin e fondeve të përfituara dhe të shpenzuara për fushatën zgjedhore. KQZ-ja publikon raportet e auditimit për subjektet zgjedhore jo më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së raportit. Emri i personave që dhurojnë shuma jo më pak se 100 mijë lekë, si dhe vlera përkatëse publikohen bashkë me raportin.
Shpenzimet e fushatës së fundit
Sipas statistikave të renditura nga ODA rezulton se në fushatën e fundit zgjedhore tre partitë më të mëdha në vend PS; PD, LSI, kanë shpenzuar pothuajse dyfishin e të ardhurave të mbledhura. Olta Begu analiste e ekonomisë pranë Open Data Albania, i referohet fushatës së vitit 2013 ku garuan 68 subjekte ndër të cilat 66 janë parti politike dhe dy kandidatë të pavarur;dhe sipas analizës së bërë rezulton se totali i fondeve mbledhur dhe deklaruar për zhvillimin e kësaj fushate është në total 241 211 140 lekë (dyqind e dyzet e një milion lekë e dyqind e njëmbëdhjetë mijë e njëqind e dyzet lek);nga të cilat 230 129 790 lekë u përkasin partive kryesore parlamentare (dhe dy parti të reja të dukshme në fushatë si FRD dhe Aleanca Kuq e Zi), dhe vetëm 11 081 350 lekë partive të tjera ose 4.59%. Partitë me fondet më të mëdha
Financat sipas partive
Partia e cila ka siguruar më shumë fonde në zgjedhjet e fundit është Partia Demokratike me 39.18 % të totalit të të gjithë partive, pasuar nga Partia Socialiste me 33.2 % të totalit dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim me 10.5 % të totalit të fondeve. PD ka siguruar një total fondi prej 94 500 296 lek; ku vlera nga donacionet është 63.3 milion lek, ndërsa fondet publike janë 25 688 615 lekë, po ashtu nga vetë partia janë siguruar 5 473 551 lek. PS ka grumbulluar një total fondesh prej 80 078 541 lek; ku 45 308 650 lek nga lista e donatorëve,( gjithsej 53 donatorë); fonde të vetat në vlerën 8 655 295 lekë; fonde publike 2 6114 596 lek. Por kjo parti ka harxhuar 187 183 915 lek; pra 57% e shpenzimeve janë të pa mbuluara nga fondet e mbledhura. ‘Pra ka përfunduar fushatën me fatura të papaguara, të cilat njihen si debi elektorale,” thotë Olta Begu, ekonomiste. Po ashtu gjatë kësaj fushate edhe LSI ka mbledhur një total fondesh prej 25 334 368 lek; fonde publike 31 00 410; donacione 1 270 489; të ardhura nga burime të vetat 5.493.313 lek, të ardhura nga neni 84 pika 6 Kodi Zgjedhor 15 470 156 lek. Nga këto shifra rezulton se fushata e vitit 2013 ka qenë më e kushtueshmja me 380 113 328 lek. /tesheshi.com/