Një person nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në qytetin e Kansasit, ka grabitur një bankë me qëllim që ta arrestojnë pasi nuk e shtynte dot më me gruan, me të cilën zihej vazhdimisht.
Lawrence John Ripple ka hyrë në një bankë dhe i ka dhënë një letër arkëtarit ku shkruhej: “Kam një pistoletë. M’i jep paratë”. Arkëtari i është bindur menjëherë, por Ripple, në vend që të arratisej, thjesht është ulur në një stol në hyrje të bankës.
Kur mbërriti një nga rojet e sigurisë, Ripple i tha se ishte ai personi për të cilin po kërkonte. Roja ia mori paratë dhe ia ktheu arkëtarit, e më pas lajmëroi policinë, e cila erdhi menjëherë duke qënë se rajoni i policisë gjendej në të njejtën godinë me bankën.
Gjatë marrjes në pyetje, burri ka rrëfyer se zihej vazhdimisht me gruan dhe se nuk e duronte dot më këtë situatë. Kur erdhi gruaja, Ripple tha se preferonte ta burgosnin se sa ta takonte.
Burri aq i bindur ishte për këtë saqë refuzoi edhe konsulencën e një avokati. Dhe ia arriti qëllimit: atë e transferuan në një burg federal në Leavenworth, po në Kansas. /tesheshi.com/