Portugezi u ka dhënë fund zërave që e shihnin atë jashtë radhëve të Realit të Madridit në muajt në vazhdim.
Mes hamendësimeve për largimin e tij nga Madridi, si destinacione më të mundshme shiheshin Franca dhe Anglia.
“Paris Sent Zhërmeni dhe Mançester Siti ta harrojnë, unë do të tërhiqem te Reali i Madridit,” ka thënë Ronaldo.
“Kam patur momente të mira dhe të këqija, katër vite më parë nuk isha i lumtur, por nuk ka vend më të mirë se këtu.”
Një kontratë e re mes lojtarit dhe klubit flitet se do të nënshkruhet pas finales së Champions League-s, e që do të jetë deri në vitin 2021.
Kontrata aktuale e Ronaldos përfundon në vitin 2018, ndërsa ky do të ishte rinovimi i dytë që kur ai mbërriti në Madrid në 2009-tën.
Nëse i qëndron marrëveshjes, Ronaldo do të jetë 36 vjeç në fund të kontratës që pritet të nënshkruhet, çka do të thotë se ai do ta mbyllë karrierën te Reali i Madridit.