Duke e quajtur Ujësjellësin si ndërmarrje që punësohen militantë, krushq e kushërinj, kryeministri Rama paralajmëroi një reformë të tillë në të gjithë sistemin e ujësjellësve në vend.
Nga Kamza ku është përuruar sot godina e re e Ujësjellës- Kanalizimeve, Rama tha se ato nuk mund të mbahen më me buxhetin e shtetit dhe se gjatë tranzicionit shumë fonde janë copëtuar në segmente interesash elektorale duke mos arritur që të investohet në këtë sistem.
Ai tha se koha që këto ndërmarrje shfrytëzohen si instrumente punësimi ka marrë fund, ndërsa nënvizoi se do të ishte mirë që ujësjellësit të mos jenë të coptëzuara, por të bashkohen në një ndërmarrje të vetme, në mënyrë që dhe menaxhimi i punës të ecë në drejtimin e duhur.
“Nëse marrim tërësinë e borxheve të akumuluar në vite, a thua se janë në mallin e babës, sasia e borxheve në ndërmarrjet e ujësjellësit është më e madhe se sasia e borxheve të trashëguara në OSHE kur nisëm reformën. Maja e ujësjellësit smund të jenë gjë tjetër veçse ndërmarrje me kapacitete dhe strukturë që garantojnë këtë shërbim. Ujësjellësit smund të mbahen me buxhetin e shtetit”, theksoi Rama.
Rama ndodhej në godinën e re të Ujësjellës-Kanalizimeve në Kamëz, i shoqëruar nga ambasadorët e BE, Gjermanisë dhe Zvicrës, të cilët morën pjesë në inaugurimin e saj. /tesheshi.com/