Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pranishëm sot në qytetin e Vlorës ku qytetarët do të votojnë për zgjedhjen e delegatëve që do ti përfaqësojnë në Kongresin e PS në 19 mars, u shpreh se kjo parti ka detyrimin të udhëheqë vendin në drejtimin e duhur.
Rama e cilësoi si një proces shumë mbresëlënës atë të votimit, ndërsa deklaroi se në rajonin Vlorë-Gjirokastër, pas një pune të madhe për hapjen, riorganizimin, reformimin e strukturës sociale të çdo organizate, sot, mesa duket me një pjesëmarrje të pazakonshme, po votohet për delegatët e kongresit.
“Partia Socialiste në këtë proces, në afro dy muaj ka zhvilluar mbi 5 mijë procese zgjedhore, procese për organizatat, për kryetarët e organizatave, procese për delegatët dhe do të vazhdojmë me kongresin e partisë, që ka një rëndësi themelore, pasi është një moment kyç për t’i dhënë një shtysë edhe më të fortë reformave, transformimit të gjithanshëm të vendit, duke thelluar operacionin në çdo sektor, për ta çliruar organizmin e vendit tonë nga kanceri i shumë viteve pa shtet, pa reforma, pa institucione dhe pa asnjë sens të drejtimit”,- tha Rama.
Ndër të tjera ai shtoi: “Si vendi, edhe Partia Socialiste ka detyrimin që jo vetëm të ecë në drejtimin e duhur, por ta udhëheqë vendin në drejtimin e duhur.” /tesheshi.com/