Mançester Junajtedi dhe Lestër Siti ndeshen të shtunën në “Old Trafford”. Një takim i vlefshëm për javën e gjashtë të kampionatit anglez.
Vendasit rigjenden në një moment kritik, me një seri rezultatesh negative që i kanë rishtënë në krizë, krejt ndryshe udhëtuesve, që kanë një goxha rritje në lojë e rezultat pas fillimit të ngadaltë të sezonit.
Një sfidë që vë përballë Mourinho-n me Ranieri-n, dy teknikë që kanë patur një të shkuar problematike. Si rëndom, ka qenë portugezi që në ditët e lavdisë së tij tek Çelsi nuk ka lënë pa fshikulluar dhe italianin, duke e quajtur “humbës”.
Cinizmi dhe ironia e Mourinho-s me Ranieri-n këtu e më tepër se dhjetë vite të shkuara mund të sillet fare lehtë në mendje për këdo që e ndjek futbollin rregullisht.
Krejt ndryshe përgjigjet Ranieri para përballjes së të shtunës. “Parahistorike” i quan ai problemet e shkuara mes të dyve, duke e çmuar kundërshtarin si një person fantastik.
“Mourinho është një trajner fantastik, inteligjent, i zoti. (Problemet) ishin shumë kohë më parë.”
Tekniku roman, që suksesin në karrierën e tij e arriti sezonin e shkuar, kur bëri bujë me shpalljen e Lestër Sitit, një skuadër modeste, kampion të Premier League-s, ka mohuar çdo kërcitje në marrëdhënien mes tyre.
“Ajo (marrëdhënia) është fantastike, shumë e mirë, pa probleme.”
Takimi i 24 shtatorit është posaçërisht delikat për Mourinho-n, në ditë jo të mira te Mançester Junajtedi. /tesheshi.com/