Ervin Bulku, ish-lojtar i Kombëtares i emëruar së fundi si trajner i saj me një status përkohshmërie, ka folur në fakt si të ishte ai trajneri “përfundimtar” pas shkarkimit të Christian Panuccit.
Një ditë para ndeshjes me Andorrën, që është dhe sfida e parë e tij në pankinën kuqezi, Bulku u shpreh i bindur në fitore, i ndihmuar dhe nga fakti se përballë do jetë një skuadër modeste.
“Unë jam pranë skuadrës dhe e njoh mirë grupin, ndaj edhe më takonte të marr një përgjegjësi të tillë, ndonëse jam një trajner i ri. Sfida me Andorrën është shumë e rëndësishme dhe ne duhet të fitojmë nesër, që të mund të mendojmë për objektivin tonë. Eliminatoret sapo kanë filluar dhe kemi humbur vetëm ndeshjen e parë, ndaj të përqendrohemi te sfida e nesërme”, tha Bulku.
Atij i është kujtuar dhe një koiçidencë, fakti se ndeshja e fundit e Shqipërisë me një trajner shqiptar ka qenë pikërisht me Andorrën 17 vjet më parë. E tani sërish, rikthim i një shqiptari në pankinë përballë modestëve të Gadishullit Iberik.
“Unë mendoj se jam trajner i ekipit në këto momente që flasim, pasi më kanë ngarkuar një detyrë të cilën do ta kryejë me angazhimin maksimal. Unë jam i ri dhe fati më solli në krye të Shqipërisë, ndaj kam bindjen e plotë te çunat, që nesër do fitojmë dhe unë ta nis me një rezultat pozitiv”, ishte përgjigja e Ervin Bulkut. /tesheshi.com/