Ministri i Rendit Taulant Balla u ka kujtuar drejtuesve të automjeteve që mos guxojnë t’i japin ryshfet policit nëse janë në shkelje, përndryshe i pret burgu, deri në tre vjet. Por dhe policët mos guxojnë të marrin.
Balla thotë se lufta kundër këtij fenomeni do të intensifikohet, qoftë ndaj shkelësve, qoftë ndaj atyre që kryejnë korrupsionin pasiv, punonjësve të policisë.
“Nxis qytetarët dhe mediat të denocojnë çdo rast të abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit duhet të rrisin vigjilencën dhe godasin me ashpërsi çdo përfshirje në veprime korruptive të punonjësve të Policisë së Shtetit. Qytetarët presin nga ne zbatim të fortë të ligjit për çdo rast të tejkalimit kriminal të shpejtësisë në zonat e banuara dhe në rrugë të tjera, mosdhënia e përparësisë këmbësorëve, parakalimet, vendqëndrimet e gabuara, përdorimi i telefonit gjatë drejtimit apo mos-vendosja e rripit të sigurimit”, shkroi Balla në rrjete. /tesheshi.com/