Një operacion i përbashkët i policisë italiane dhe asaj shqiptare është zhvilluar njëkohësisht në dy vende në Shqipëri ku janë arrestuar 9 persona që po bëheshin gati të iknin luftëtarë në Siri.
Ndërkaq janë arrestuar dhe dy vetë që përgatisnin atentate terroriste në Itali. Dyshohet se grupi përbëhet nga dhjetë persona, pesë shqiptarë, 4 italianë dhe një kanadez.
Në kuadër të këtij operacioni dhe me kërkesë të autoriteteve italiane, policia e Lushnjes prangosi shtetasin Baki Çoku, 40 vjeç. Çoku ishte në listën e 10 personave të kërkuar për terrorizëm nga Interpol Roma.
Sipas mediave italiane, ky grup rekrutonte luftëtarë për ISIS-n. “La Repubblica” shkruan në versionin e saj online se, operacioni “Martesë” është rezultat i një hetimi që ka nisur që në muajin tetor, kur një shtetase italiane iu bashkua ISIS-it, bashkë me të shoqin e saj.
Siç bëri të ditur zëdhënësi i Policisë së Shtetit: “Në bashkëpunim me Policinë Italiane në kuadër të Operacionit Ndërkombëtar Antiterrorizëm bëri të mundur kapjen në Lushnjë të personit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Baki ÇOKU , 40 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë . Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma pasi Gjykata e Milano-s ka lëshuar urdhërin e arrestit No.12285/14 R.G.N.R-56938/14 R.G.G.I.P, datë 29.06.2015, për kryerjen e veprës penale të “Krijimit të organizatës kriminale me qëllim kryerjen e akteve terroriste” në Itali. Arrestimi i tij u bë me qëllim ekstradimi në kuadër të operacionit ndërkombëtar antiterrorizëm. /tesheshi.com/