Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, përmes një letre drejtuar kryeministrit Albin Kurti, i ka kërkuar rinisjen e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Perspektiva e integrimit evropian të Kosovës dhe kthimi në realitet për qytetarët e saj kërkon vazhdimin e Dialogut Beograd-Prishtinë të lehtësuar nga BE dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në letrën e Varhelyi.
Në letrën e tij, diplomati europian është shprehur se ky dialog është i domosdoshëm për rrugën e secilit shtet drejt Bashkimit Evropian.
“Kjo është thelbësore për rrugën përkatëse evropiane të Kosovës dhe Serbisë dhe për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal”..
Komisioneri i BE gjithashtu ka thënë se mezi pret që të takohet me Kurtin, duke shtuar se BE do të qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese.
“Luftimi i pandemisë së koronavirusit dhe pasojave të saj socio-ekonomike do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. BE-ja tashmë ka siguruar ndihmë thelbësore dhe do të vazhdojë të qëndrojë pranë Kosovës gjatë kësaj kohe sfiduese”, thuhet në fund të letrës. /tesheshi.com/