Kur sheh panairin e madh prej mishi dhe gjymtyrësh që kulmon nëpër trotuaret tona, nuk ka se si të mos kujtohet fakti se shoqëria e sotme, e blinduar me ideologji liberale, po gërryhet nga një sëmundje sociologjike me pasoja shkatërrimtare, siç është ajo e tradhtisë bashkëshortore. Sondazhet e organizuara në vendet perëndimore ulërijnë nga shifra 50% e divorceve dhe e martesave të shprishura. Shumë pyetje bëhen për të kuptuar natyrën e kësaj tradhtie, për faktin se ky fenomen është i vjetër aq sa ekziston njerëzimi, por shtimi i intensitetit të tij në shoqëritë postmoderne e bën më shqetësues dhe më legjitim kërkimin e arsyeve dhe shkaqeve të tij.
Mendoj se problemet në çift fillojnë në momentin kur kuptimi ynë për jetesën e përbashkët ka ndryshuar. Pra, kemi ndryshuar ne dhe botëkuptimi ynë. Martesa është forma më e lartë dhe më solemne e një marrëdhënieje intime mes burrit dhe gruas, është kulminacioni i marrëveshjes së ekskluzivitetit që ekziston mes tyre. Domethënë, çifti gëzon një ujdi ekskluziviteti të ndërsjelltë, ku secili i përket njëri-tjetrit edhe seksualisht. Në këtë kuptim, tradhtia mes tyre nuk është gjë tjetër, veçse prishje e marrëveshjes së ekskluzivitetit, apo besëlidhjes, për shkak se në momentin që partneri apo partnerja i afrohet në intimitet një personi të huaj, automatikisht ka mohuar partnerin e parë. Kjo pastaj ndiqet nga përpjekja për ta justifikuar këtë besëprerje, dhe mënyra më e shpeshtë dhe më e përhapur që përdoret nuk është gjë tjetër veçse gënjeshtra. Këtu marrëdhënia fillon tatëpjetën e saj, dhe nga një problem privat vjen e transformohet si fenomen krize publike, ngase martesa, familja, janë e mirë publike, dhe çdo cenim i tyre pasqyrohet në thurjen sociale të një shoqërie.
Po pse tradhtohet? Sepse martesa, apo lidhja e ekskluzivitetit, bazohet vetëm në elemente të paqëndrueshme. Nëse martesën do e bazojmë vetëm tek emocionet, ndjenjat, apo edhe seksualiteti, atëhere bashkimi në çift do të ishte i paqëndrueshëm, për shkak se emocioni, ndjenjat dhe seksualiteti janë të paqëndrueshme gjithashtu, dhe ndryshojnë në varësi të rrethanave. Që martesa të gëzojë qëndrueshmëri, ajo duhet mbështetur, përveç sa thamë më lart, edhe tek komponentë të qëndrueshëm, të cilët janë, besimi në një Zot krijues dhe autoritet superior mbi çdo ndjenjë dhe emocion, dhe të kuptuarit e rolit dhe funksionit të martesës si bashkim prokrijues dhe riprodhues të një qenieje tjetër njerëzore, siç janë fëmijët. Këto bindje e bëjnë paqëndrueshmërinë e ndjesive të futen nën kontrollin e një të mire më të madhe, duke sjellë stabilitet, vazhdimësi të ekskluzivitetit martesor, dhe qetësi e rregull social, ngaqë bërthama familjare, si bazë e shoqërisë, ngelet e padëmtuar.
Tradhtia qëndron mes dy njerëzve si një person i tretë që funksion kryesor ka polarizimin e qëndrimeve dypalëshe deri në kufijtë e ekstremit. Kështu, dëmi në kufinjtë e ekstremit, që shpesh përfundon në divorc, kthehet në makthin e palës së dëmtuar, që, sigurisht, në më të shumtën e rasteve janë fëmijët. Linda McClain, e Universitetit të Bostonit, thekson se dëmi i tradhtisë bashkëshortore qëndron më shumë se tek akti jomartesor, tek tendenca për këtë akt, gjë e cila ndikon në prishjen e gjakut familjar, duke e transferuar trashëgiminë e gjakut tek një person i huaj jashtë martesës. Kështu prishet kuptimi, qëllimi, drejtimi dhe siguria që një martesë të siguron.
Kohët nuk kanë ndryshuar, njerëzit po. Një çift jo i lumtur i para 30 viteve nuk do të divorcohej kaq kollaj sa sot. Kultura postmoderne e jetesës, ndryshimi i tregut global të punës, si dhe përhapja deri në absurd e relativizimit të vlerave morale, janë ndër shkaqet kryesore të deformimit të martesës. Kultura e idhujtarisë, e cila e nxjerr personin jashtë imazhit të vet real, duke e kthyer bombardimin e femrës në media deri në obsesion, ka çuar në ideografinë e bikinizimit, ku ideologjia liberale me grafikën e bikinit është kthyer në të vetmin kuptim sot për femrën dhe rolin e saj në shoqëri, i cili domosdoshmërisht u dashka të kalojë përmes seksualitetit.
Këto shigjeta helmuese, të cilat në formë të vazhdueshme dhe të përhershme e bombardojnë besëlidhjen e ekskluzivitetit martesor, e kanë trullosur sociologjikisht individin postmodern, si “uni” i izoluar i cili ka humbur të kuptuarit dhe të shijuarit e bashkësisë dhe familjes. Edhe pse një fenomen i shtuar, tradhtia bashkëshortore nuk mundet kurrë të fitojë status legalizimi, sepse masivizimi i një të keqeje nuk do të thotë legalizim i saj. /tesheshi.com/