Sot është 16 tetori… Ditë shiu, krejt e zakonshme.
Për aktivistët e të drejtave të njeriut, ditë e mirë për të sensibilizuar gratë për një përkujdesje më të mirë për veten, që të vuajnë më pak e të jetojnë më shumë në luftë me kancerin e gjirit… Kauzë e dobishme, kauzë jetike për gruan…
Kur e pyeta time bijë në e dinte çfarë ishte 16 tetori, me pasiguri dhe si e zënë në faj m’u përgjigj: “Mos është përvjetori yt dhe i babit?”
Në të vërtetë, ajo nuk ka nga t’i dijë, e as që duhet t’i mësojë, datat e rëndësishme të fantazmave të liga që bredhin në mendjen dhe historinë e këtij vendi. Ndërkohë, unë nuk rri dot e heshtur përballë historisë sonë të djeshme, që qëndron pezull dhe e lidhur fort, me fije të padukshme, me të sotmen e pandritur.
Vendi ynë ka një të kaluar kriminale. Askush nuk e gjykoi krimin e djeshëm, pakkush e dënoi… Shumë e përdorën si çamçakëz a si gargarë për të shpëlarë hallet e së kaluarës apo të së tashmes së tyre. Por, me gjithë tualetin e rëndë që vuri mbi fytyrë, ky vend nuk u nda kurrë nga e kaluara e tij. I soditëm heshtas ish-oficerët, ish-sigurimsat, ish-komunistët e ish-krerët e krimit të regjimit të djeshëm tek ndërronin lëkurën brenda ditës e shpalleshin shtetarë të denjë, politikanë të përkorë, nëpunës të dedikuar.
Ajo çka ky vend nuk e bëri kurrë ishte një katarsis i vërtetë kombëtar, një çlirim nga pengmarrja e së kaluarës, një analizë dhe dënim historik për të shkuarën e shpifur që fshihej pas burgjesh, internimesh, denigrimesh, intrigash, spiunimesh, pas arrogancës, hipokrizisë, servilizmit, dembelizmit, thikash pas shpine e gjyqesh publike, pas një historie krimi që zgjati gjysmë shekulli, ku një popull i tërë ishte vuajtës, por edhe bashkëjetues i një krimi publik.
Shumë prej atyre që i lexojnë këto rreshta mund të ripërsërisin togfjalëshat e lodhur e të rithënë pafundësisht…Po kjo nuk u lodh duke folur për diçka që ka vdekur prej kohësh në këtë vend? Kërkon ende të bëjë politikë me punë të cilat kanë kohë që kanë përfunduar?
A nuk e di ajo se njerëzit kanë halle shumë më të mëdha, mes një jete që shtrenjtohet përditë, mes një presioni shtetëror në rritje, mes borxhesh publike marramendëse dhe shërbimesh iluzive, që shkëlqejnë në ekrane e që janë një zero me hiç në realitet?!
Në të vërtetë, unë nuk do lodhem kurrë së përsërituri që ajo çka jetojmë sot është fryt i një të kaluare që zgjat e përsërit veten pafundësisht. Ne nuk jemi njerëz rebelë. Jemi nervozë, vritemi mes hallexhinjsh për asgjë, por ulim kokën dhe nuk zgjedhim përfaqësues, nuk zgjedhim politikë e drejtues me mend.
Ne zgjedhim mbretër, zgjedhim zotër që i adhurojmë, që kanë nevojë për këtë absurd dashurie masive, që rriten e miklohen në adhurimin tonë e më pas na kthehen kundër, siç ka bërë përgjatë historisë çdo qenie e adhuruar si Zot mes vdekatarësh!
Ne besojmë pak, por adhurojmë shumë, krijojmë mite të rreme e më pas shtrojmë kurrizin për të puthur tokën ku kalojnë monstrat që krijuam vetë. Ky është qerthulli absurd ku na drejton historia jonë tragjike, krimi kolektiv ku marrim pjesë herë si autorë, e herë si personazhe tragjikë!
Në këtë përvjetor të ditëlindjes së diktatorit Enver Hoxha, një mendim i vetëm më vjen në mendje: Fantazma jote, o njeri i lig, vërdalloset ende rrugëve të këtij vendi. Krimi, urrejtja që ti mbolle në këtë vend, është fara e keqe që po na merr frymën edhe sot. Ikja jote nga kjo botë ishte dita më e mirë për këtë vend, por ti litarin e së keqes e le jashtë varrit.
Ky vend po vazhdon dhe do vazhdojë gjatë të shumojë ligësinë e kohëve në të cilat njeriu hante njeriun, që ti dhe raca jote e ligë të jetonit si zotër. Ky vend do vazhdojë të pjellë shkatërrim, varfëri, intrigë, hipokrizi, pabesi, për sa kohë nuk do vendosë të fillojë një histori të re njerëzore.
Që të ndërpritet ky qerthull krimi, ky vend ka nevojë të shkundet. Më së pari ka nevojën e menjëhershme të gjykojë dhe të japë zyrtarisht verdiktin Krim mbi të kaluarën e tij. Nuk ka dënim krimesh për trafikantët e të korruptuarit e sotëm pa bashkëvlerësuar dhe ata që janë me duar në gjak në krimin e djeshëm.
E pas këtij dënimi publik, politik e penal, do duhet të vlerësojmë e të vendosim rregullat tona në politikë, administratë, vendimmarrje, që krimi dhe e keqja e dikurshme të mos përsëritet Kurrë Më… Nëse nuk do arrijmë të sjellim një produkt real, që ta ndajmë veten nga e kaluara, druaj se e ardhmja do të jetë edhe më e trishtuar se e sotmja! /tesheshi.com/