Atë që ndodhi në Paris e ndjej afër si një tagjedi njerëzore, tejet njerëzore, në ato përmasa që e kam ende të pamundur ta tejkalojë tronditjen, ditë pas sulmeve. Por njëkohësisht, duke gjykuar faktet në mënyrë racionale (ku përfshihen fort dhe në mënyrë të pashmangshme elementë si e rrejshmja e “kushteve” ku kryhet izolimi i eventeve në analizë) gjithashtu lind nevoja të theksohen përmasat çnjerëzore të atentatit, dhe kur flitet mbi çnjerëzoren është gabim primitiv mosanalizimi i artificës.
Kam lexuar shumë artikuj dhe opinione falas që analizojnë në tërësi sulmin e 13 nëntorit në zemër të Europës: “Sulm ndaj demokracisë!”; “Sulm ndaj parimeve moderne!”; “Sulm barbar”; “Sepse Franca ka qenë ish-fuqi-kolnizuese!”; “Në Paris njerëzit dashurohen lirisht, prandaj!”; “Në Paris, sepse aty ka lagjie të tëra me emigrantë”; “Në Paris të huajt janë më të integruar se në Londër apo Romë, është përçarje”; “Në Paris, sepse aty keqtrajtohen emigrantët arab”; “Përleshje civilizimesh”. Një vorbull sepseje, një kërkim maniakal i shkakut dhe një fluks i paprecedent hipotesazh mbi pasojat, sikur këto të fundit janë të vetmet elementë që hedhin dritë mbi eventin tragjik. Por gjëja që shumë e shumë opinionistë 24 karatësh ende nuk kanë kuptuar është fakti se 13 nëntori, mbi të gjitha, është një event i fortë mediatik. I dashur si i tillë nga vetë orkestruesit, kushdo qofshin.
Ekzistojnë me dhjetra teori dhe studime që thellohen në raportin e brishtë mes kaosit dhe rendit, por është e provuar se si përpjekja njerëzore për të asimiluar sa më shpejtë situatat e imponuara apo të befta (kaotike) përdor struktura logjike, nyje historike dhe vizione politike pak të nxituara ose në rastin më të keq ato të “mendimit praktik”. Një prej këtyre strukturave logjike dhe kuadër narrativ i nxituar në asimilimin e mbivendosjes së realiteteve, pra të kaosit, është vetë kuadri i dhënë nga pushteti i katërt: Media frame.
Duhet pranuar se natën e sulmeve mediat europiane (duke përfshirë dhe ato vendase) kanë kryer një raportim model të ngjarjes, ku me të drejtë, para se të flitej për islam, islamofobi apo kërcënime me e-mail, në fokus ishin njerëzit dhe kronologjia e jetëve të zhveshura nga përkatësia etnike apo fetare. Por diç përsëriti vetveten vetëm pak orë nga sulmet. Ashtu siç u paralajmërua nga vetë trumbetimi i thirrjeve të tipit “Allahu Ekber” gjatë masakrës, e nesërmja vërtetoi ashpër bazat thjeshtëzuese dhe alergjinë ndaj “thellimit” të disa organeve mediatike, sidomos ato audiovizive, me zgjatime online. Dikush citoi Fallacin, dikush tjetër i mëshoi faktit se kjo ishte thjeshtë hakmarrje e ISIS dhe një pjesë jo e vogël e Watch dogs-ave u kthyen në gjahtarë kërmash, apo e thënë troç i’u shitën politikave të thjeshtëzimit të tejskajshëm, anti-informacionit.
Bën shumë përshtypje se me sa zell, të nesërmen e atentatit, nga mediat e Tiranës u trumbetua lajmi se Ministri i Brendshëm u kërcënua nga një e-mail, të cilin një gazetar serioz do të trembej ta publikonte, jo sepse “kërcënohej vendi”, por sepse një mesazh aq injorant kërcënon intelektin e publikut. Brigadat e kuqe janë një realitet që i përket historisë të dekadave të shkuara, kur lufta terroriste përtej Adriatikut bazohej në akte kryesisht kundër institucioneve, një luftë politike e pisët ashtu si strategjia shqiptare e tensionit e vetëm pak muajve më parë, ajo e tritolit. Brigadat e kuqe njihen botërisht si radikalët e majtë që arritën deri aty sa të rrëmbenin e më pas të vrisnin dhe vetë Kryeministrin italian, Aldo Moro. Lidhjen mes kontekstit historik të Brigadave të kuqe dhe kauzës së ISIS, vetëm ai karagjozi që ka dërguar atë mail mund ta di. Por surrogati “islamokomunist” që u shit nga mediat dhe institucionet si kërcënim me anë të një adrese banale Gmail-i, minimalisht rrëfen se 14 vite pas sulmeve të 11 shtatorit, 360 gradë, këto struktura vazhdojnë ende mos ta njohin (ose ta shtrembërojnë) faktorin terrorizëm. 14 vite paga dhe fonde për një raportim mediatik cilësor dhe për krijimin e një klime të sigurt në këtë “udhëkryq qytetërimesh”, me plot gojë, kanë shkuar në kosh.
Përpos ngjyrave të shtuara dhe banalizimit lokal të një ngjarjeje të këtyre përmasave, duhet shtuar se në Paris nuk u sulmuan institucionet por njerëz të thjeshtë. Njerëz të thjeshtë që gjendeshin jashtë sferës të lojrave politike por të angazhuar në aktivitete që përfshihen në kontekstin e kohës së lirë, në zonën gri mes “Us and them”, në të drejtën themelore të të gjithëve për të qenë të paintersuar ndaj kauzave jashtë të përditshmes. Jashtë axhendave politike. Ndoshta kjo është arsyeja pse vrasësit zgjodhën si objektiv baret, teatrin dhe stadiumin, ndoshta për të mbjellur ndjenjën e fajit në strofkullat ku prej shekujsh ushqehet ndjenja delikate dhe e matur e laicizmit. Sa u arrit ky objektiv i terroristëve të 13 nëntorit? Deri në fund, dhe për këtë rezultat katastrofik ndihmuan vetë mediat.
Dekada më parë, kur i sipërpërmenduri Aldo Moro u mor peng nga Brigadat e Kuqe, një nga studiuesit më gjenial të mediave moderne, Marshall Mcluhan sygjeroi se e vetmja mënyrë për të luftuar terroristët simbolikë, politikë dhe sensacional është që këtyre të fundit t’u prihen kanalet mediatike, pra publiciteti falas, ai i mediave, i “shërbimit publik”. Kjo sepse sipas Mcluhan “mediumi është vetë mesazhi”. Këtu nuk diskutohet që të censurohen evente tragjike të këtyre përmasave, por patosi dhe fobitë që mbillen në mënyrë çnjerëzore dhe pa rregulla loje nga radikalizmat e të gjitha ngjyrave të mos amplifikohen me nota të shtuara nga vetë mediumi, pra mediat. Nëse ndokush ka dyshime, mund të merret lehtë si shembull fakti si, qartazi për hir të pompimit të numrave të shikuesve dhe ndjekësve, mediat audiovizive në vendin tonë kanë mbushur studiot me tema dhe të ftuar, ku debatohet “a jemi NE të sigurt?”, “a është Islami i dhunshëm?”, “kush do jetë goditja e rradhës?”. Nga ana tjetër nuk flitet dhe askush nuk thellohet se kush janë vërtet këto organizata, nga cili konteks historik vijnë, burimet ekonomike, kauza politike që përfaqësojnë, kush i mbështet dhe, më e rëndësishmja, pse institucionet 14 vite pasi “paralajmërohen”, pasi harxhuan fonde të majme edhe pasi në emër të sigurisë, duke na cunguar në liri, ende dështojnë në mënyrë apokaliptike. Shembull tjetër? Një televizion “kombëtar” që flet me anë të një kronike për terrorizmin në vendin tonë dhe e ilustron “lajmin pa lajm” me imazhe xhamish dhe besimtarësh gjatë kohës së faljes. Akoma: Flitet me nuanca konspirative për terrorizëm dhe për një aktivitet islamik që fshihet mes nesh ndërsa, ditën me diell, të njëjtat redaksi reklamojnë poligone private armësh ku kushdo mund të shkojë të ushtrohet dhe rishtazi të pajisjet me “leje” arme. Kushdo…
Ndoshta dhe duhet pranuar se “fetishi i ri” gati-gati pasojë e pornografisë (tashmë me shije dhe konsum global) na mban mjaftueshëm të distancuar nga realitetet ku vritet përditë në emër të vizioneve të falsifikuara, vetëm e vetëm pse mesazhi përcillet “lehtshëm” me “video amatoriale”. Konsumo dhe shtyp iksin. Duket sikur mediat e shekullit të ri janë tepër selektive mbi rendësinë që i falin disa realiteteve gjeopolitike të veçanta por nga ana tjetër druhen të thellohen, të hetojnë, të krijojnë një opinion pedagogjik mbi fenomenin, për hir të misionit, të publikut. Publik që për shkak të mitit të shpejtësisë dhe grafikut pervers (në rënie) të vëmendjes bëhet gati çdo ditë prehë e terrorizmit multimedial. Me regji në terren. /tesheshi.com/