Po flas për një vajzë të re, që sapo ka mbaruar shkollën e lartë për drejtësi! Bionde e stisur! E shqetësuar, ndoshta e dëshpëruar! Flet edhe shkruan pa “ë” në fund, si shumica e brezit të ri shqiptar; përmes dëshpërimit të supozuar modern që rrezaton fytyra e saj, e bukur dhe e zhgënjyer njëherësh, regëtin një vetësiguri e mahnitshme. Është inteligjenca iluzive që epoka jonë u edukon atyre për të mbijetuar; por edhe magjia e personalitetit femëror, që e bën çdo femër, çdo grua, çdo nënë, të luftojë dhe të jetë instinktivisht e pamposhtur.
Quhet Aida. Si shumica e të rinjve që nuk kanë një lidhje të qartë me fatin, me të ardhmen dhe me titullarët e lartë të administratës shtetërore, vjen vërdallë nëpër zyra dhe subjekte private për të gjetur një punë. Studente e shkëlqyer, një krijesë engjëllore, me virtyte dhe ëndrra të bardha. Si çdo bindje e brishtë, është në të drejtën e saj të synojë për të lënë krenarisht pas vetes disa gjurmë të dukshme; të synojë të sfidojë mizorinë e një bote që fshin, thith, zhduk ose shuan shumicën e pasioneve të njerëzve dhe zhgënjen pa mëshirë dhe pa ndalur shpirtrat e tyre. Përpiqet shumë dhe kërkon fort, por punë nuk ka. Edhe pse ka qenë studente e shkëlqyer, edhe pse ka trokitur derë më derë për muaj të tërë dhe ka takuar shumë njerëz, edhe pse rrezaton nga dëshira për t’i dhënë diçka të mirë shoqërisë dhe për ta marrë diçka pozitive prej saj, prej një viti ende asgjë!
Ende nuk ka mundur të gjejë një mundësi, një siguri, një shpresë, një punë. Dhe përfundimi: ajo është ende një krijesë e re dhe e bukur si drita, por e heshtur si mirënjohja, e lodhur si zhgënjimi; së fundmi e ka kapluar eklipsi… Administrata shtetërore, dikur një shpresë, një premtim, me sa duket do të mbetet përgjithmonë një iluzion; një zhgënjim përtej lodhjes që shkakton zakonisht humbja e besimit, thyerja e zemrës. Përfytyroni: po flasim për një vajzë të re, të papërkrahur, që përfaqëson një armatë të tërë të rinjsh të sunduar nga pesimizmi që prodhon zakonisht përkulja universale e njeriut për të kuptuar logjikën e gjërave, ligjet e jetës dhe padrejtësinë.
Në varkën e fatit të saj, e brishtë dhe e vetmuar, i duhet të vozisë mes një oqeani të tallazitur, që kur ka dallgë, quhet jetë, kur është i qetë, quhet fat. Nuk ka eksperiencë, nuk ka miq, nuk ka mbështetje, nuk ka të njohur të fuqishëm politikanë apo titullarë të rinj të administratës së re. Është vetëm, në bregun e detyrës për të jetuar, dhe ka veç një diplomë, dhe vetëm trupin e saj, si bekim të përzotshëm. Në ndërgjegjen e saj shkumëzojnë dallgët e tërbuara, kurse mbrapa e kërcënon egërsisht “asgjëja”.
Kështu po fillon rrugëtimin e jetës kjo vajzë e re, bashkë me të tjerët. Fillimi nuk është nisja, por një hapësirë e re e të kuptuarit të gjërave: ajo nuk është një varkë e vogël, e lëshuar në ujë, për të çarë mes dallgëve të jetës, me krahët e brishtë, por është një copë mish i freskët, i hedhur në fakt mes egërsisë shtazarake të epshit dhe orekseve mashkullore. Duke kërkuar punë, nëpër zyra që ndonjëherë më shumë se të tilla ngjajnë me hareme, studentja fillon të kuptojë se, më shumë se diploma dhe CV-ja, punëdhënësve u intereson trupi i saj, lehtësia e saj.
Shumica e titullarëve në zyra janë më parë derra se burra. Janë të paperceptueshëm. Nga njëra trokitje te tjetra, të papunën e vështrojnë sy maniakësh që të vetmin pasion në jetë, veç pasurisë, kanë kukullat që mbajnë dhe ndërrojnë, që veshin dhe zhveshin në shtëpi, në zyra, në hotele dhe motele. Lajmi i parë është që janë të pacipë. Pacipërinë e kanë rutinë, siç kanë rutinë kafenë ekspres në mëngjes, shoqëruar me pije me ngjyrë. Ndryshe nga disa drejtues të administratës shtetërore, që e kanë shndërruar në zakon t’i kenë sekretaret njëherësh edhe të dashura, e për këtë arsye janë më finë në menaxhimin e shtazërisë, bob-at pronarë të bizneseve private janë të qartë dhe të drejtpërdrejtë në zyrat e tyre. Dinë çfarë duan, dinë si ta kërkojnë, dinë si ta kenë.
Të jesh vajzë e bukur dhe e papunë, që të të marrin seriozisht ata që kanë në dorë fatin e jetës tënde, titullarët, pasanikët ose elitarët, bastardë të këtij vendi, nëse në administratën shtetërore shpesh të kërkohet të paguash, në bizneset private duhet të jepesh.
Të fuqishmit në Shqipëri, që nuk kanë hequr dorë kurrë nga keqpërdorimi i pushtetit, janë njëlloj të talentuar të shpërdorojnë edhe seksin e dobët…
Jeta vazhdon! Aida aplikon në një zyrë shërbimesh juridike. Punëdhënësi është i rrahur “me vaj e me uthull” në marrëdhëniet me gratë. Eshtë varianti shqiptar i “Kazanovës”. Ditën e parë e fton për kafe punonjësen e re, për t’i hapur shpirtin e për t’i rrëfyer aventurat pa fund të dhjetëra dashurive, në të cilat mbizotëron nostalgjia… Ditën e dytë vjen ftesa për drekë, në një lokal periferie, thjesht për t’i thënë që “shefi” i saj, rishtas i dashuruar, kish kuptuar se kandidatja e re për punë ishte edhe gruaja që kishte pritur të takonte gjithë jetën e tij. Ditën e tretë pason “ftesa” e ndrojtur për të shkuar në hotel. E njëjta melodi e shëmtuar, e neveritshme, perverse dhe e përsëritur meshkujsh që duan të shtrydhin deri në pikën e fundit mundësinë e ethshme që ju jep rastësia e të qenit aty ku janë.
Aida largohet, dhe odiseja e punësimit vazhdon si një dokumentar i shpifur…
E tronditur në themelet e personalitetit, ajo kërkon për një mundësi të re, por në vend të saj ndesh një derr të ri, në një zyrë të re, në një jargavitje të neveritshme mashkulli tjetër, që një marrëzi djallëzore i ka dhënë grykësi, para, biznes dhe pushtet. Studentja vazhdon e pashpresë të kërkojë në tregun e pamëshirshëm shqiptar të punës, për të gjetur një punë të ndershme, pa qenë nevoja të ndotë moralin dhe parimet që ka. Por është e kotë. Ajo aplikon për punë në një televizion privat, dhe shkon për t’u provuar, me mendime pozitive, por edhe aty errësira është e njëllojtë, dhe si kudo, edhe këtu, sy egërsirash të uritura e vështrojnë nga të katër anët e skenës. Ngado provokime, shpirtra mjeranë meshkujsh që i janë dorëzuar përfundimisht babëzisë dhe orekseve seksuale.
Në inbox-in e faqes sime publike në Facebook vijnë shpesh rrëfime të tilla vajzash të çmeritura prej babëzisë dhe pabesisë mashkullore. Gjejnë kështu një mënyrë ngushëllimi, një strehëz rrëfimi, për t’u çliruar nga makthi i ndodhive të ndyra. Thonë dhe shkruajnë atë që nuk e mbajnë dot brenda; dhe nuk ua thonë dot njerëzve të tyre, prindërve, vëllezërve, motrave. Ky shkrim është një dëshirë njerëzore për të hedhur dritë në këtë realitet të shëmtuar. Vajza të reja, pa punë dhe përkrahje, bien shumë lehtë pre e babëzisë së këtij makabriteti. Është një situatë e frikshme, që ngjan me një mallkim: nëse shoqëria jonë nuk i ndihmon këto vajza të reja të gjejnë punë, shteti duhet të ndihmojë që këto vajza të ruajnë së paku dinjitetin, duke i mbrojtur nga babëzia.
Më ka shkruar në inbox, në Facebook, një vajzë e fejuar, që është e detyruar t’i jepet punëdhënësit të saj, pronar i një shoqërie transporti, që ky të vazhdojë ta mbajë në punë. Për të vazhduar me një juriste të re, që është nën presionin e përjetshëm seksual të shefit të saj kuksian, të cilit i është ftohur shtrati i gruas së vet, me një sporteliste të bukur, së cilës “ia lypin” sa herë hyjnë edhe dalin eprorët në çdo qoshe të institucionit, me një studente që rrezikon shkollën nëse refuzon të ndiejë mbi flokë dorën e pedagogut të thinjur, me një menaxhere që mbetet pa bukën e gojës nëse nuk e detyron veten të bjerë në dashuri me pronarin tregtar të mallrave kineze, i cili gjithmonë kthehet shumë “i uritur” nga Kina, e kështu me radhë.
E provokuar, e fyer, e prekur, e neveritur, Aida vazhdon të kërkojë punë, pa shpresë, në administratë, në institucione, por edhe në biznese private. Përpiqet të zgjedhë subjekte ku nuk ka burra, dhe ku drejtojnë apo menaxhojnë gra. Por këto subjekte janë të pakta. Kjo e bën akoma më të vështirë gjetjen e një pune. Shpresëshuar, Aida është pranë vendimit për të ikur jashtë Shqipërisë, ku ndoshta nuk do të mund të punojë si juriste, si ekonomiste, si prezantuese televizioni, dhe ëndrrat do t’i mbeten në sirtar. Mbase andej do të bëjë një punë të rëndomtë, por të paktën do të mund të jetë krenare me veten e vet! /tesheshi.com/