Nëse shqetësoheni se duhet të përvetësoni gjithë atë informacion, gjithë kohën, mos u ndjeni nën presion, pasi edhe Leibnici ndjehej njësoj.
Inbox-e plot, ndërsa kompjuteri klikon pafund për ardhjen e dokumenteve të reja, alarm konstant, njoftime dhe mesazhe në telefon dhe tablet. Shfletim pa fund i postimeve të medias sociale. Aksesim i të gjitha regjistrimeve muzikore që janë hedhur ndonjëherë në rrjet, kurdo që doni. Dhe një rrëke me seritë e reja me cilësi të lartë të telenovelave apo serialëve televizivë që publikohen çdo ditë.
Bollëku i internetit është një gjë e mrekullueshme, por zgjerimi gjithnjë e më shumë i materialit mund të krijojë ndjesinë se po humbisni shumë gjëra, pasi ndërpriteni përherë, të paaftë të përqendroheni apo të shqetësuar se po ngeleni pas apo po humbisni përballë tyre.
Nuk është e habitshme pse disa njerëz po heqin dorë nga media sociale, duke mbajtur “sabathe dixhitale” ndërsa heqin spinën nga interneti për një ditë apo duke blerë telefona të modës së vjetër në një përpjekje për të shmangur “përmbytjen”.
Ky fenomen mund të duket krejtësisht modern, por në fakt ai daton me shekuj, sikundër vëren Ann Blair e universitetit të Havardit në “Tepër për t’u ditur”, një histori e mbingarkesës së informacionit.
Gjysmë mijëvjeçari më parë, shtypi i shkruar ishte fajtori numër një. “A ka diku në Tokë ndonjë vend të lirë nga këto mizëri librash të rinj?”, ankohej Erasmus në vitin 1525. Titujt e rinj shfaqeshin me aq bollëk, me mijëra për çdo vit. Si mund të dallonte njeriu se cilët ia vlenin të lexoheshin? Akademikët e mbingarkuar në të gjithë Europën shqetësoheshin se idetë e mira po humbnin midis kësaj mizërie titujsh. Francisco Sanchez, një filozof spanjoll, ankohej në vitin 1581 që 10 milionë vjet nuk ishin të gjatë mjaftueshëm sa për të lexuar të gjithë librat që ekzistonin. Matematicieni gjerman Gottfried Wilhelm Leibniz në vitin 1680 për “sasinë e tmerrshme të librave që vazhdonte të rritej”.
Zgjidhja u gjet duke zhvilluar një sërë mekanizmash të reja për të klasifikuar dhe rigjetur informacionin. Një shembull ishte paraqitja, në fund të shekullit të 17-të, e revistave akademike që përfshinin kritikë të librave, filtrim të dobishëm dhe përmbledhje (dhe në disa raste edhe fragmente) të titujve të njohur. Botuesi i një reviste franceze vinte në dukje në vitin 1688 që vlerësimet kritike mund të veprojnë sj ilaç për “rrjedhën dhe përmbytjet nga librat”. Një tjetër zgjidhje ishte zgjerimi i trupave tradicionale të autoriteteve të besueshmë për çështje të veçanta, një ide që daton nga lashtësia, në bibliografi më të detajuara ose lista me tituj të rekomanduar. Dhe praktika shekullore e paraqitjes së veprave të gjata me kapituj u ripunua dhe u zhvillua në dy drejtime që të ndihmonte lexuesit të gjenin pasazhet me interes brenda librave. Librat e printuar, në kundërshtim me dorëshkrimet e kopjuara me dorë, kishin faqe të fiksuara. Kjo lejonte për tabela të detajuara të përmbajtjes, me numrat e faqeve dhe me indekse që rendisnin temat në mënyrë alfabetike.
Zhvillimi dhe përshtatja e këtyre mjeteve mori ca kohë, dhe nuk kaloi pa kundërshti. Që në vitin1691, kritikët e librave u kritikuan se nuk i kishin lexuar gjithë punimet që merrnin në konsideratë. Dhe shkrimtarët shqetësoheshin se kalimi direkt në pasazhe të caktuara do të thoshte që lexuesit të mos arrinin të vlerësonin tekstet në mënyrë të plotë. Jonathan Swift ankohej në vitin 1704 për njerëzit “që pretendojnë se e kuptojnë një libër, duke rrëshqitur gishtin mbi indeksin e tij”, një marifet që ai e dënonte si “të mësuar me indeks”. Disa autorë të shekullit të 18-të madje, refuzuan të lejonin librat e tyre të indeksoheshin, për t’i detyruar njerëzit t’i lexonin nga fillimi deri në fund. Më pak njerëz kanë shqetësimin sot nga sasia e madhe e librave. Ne e pranojmë se askush nuk mund të lexojë gjithçka. Ato që dikur shiheshin si mjete të zgjuara navigimi, tashmë duken të thjeshta dhe evidente.
Por e gjitha kjo përshfaq natyrën e vërtetë të problemit të sotëm: që ne nuk kemi arritur ende të zhvillojmë teknika të fuqishme mjaftueshëm sa të na ndihmojnë në navigimin e barrës së të dhënave dixhitale. E kemi nisur mirë me motorrët kërkimore dhe me filtrimin personal të llojit që përdoret nga Spotify dhe Netflix për të sugjeruar muzikë dhe video që mund të duken tërheqëse, bazuar në konsumimin tonë të mëparshëm. Por ka qartësisht ende vend për përmirësime të tjera.
Në vitet e ardhshme, mund të ndodhë që asistentë të inteligjencës artificiale të bëhen pjesë e përgjigjes, duke vendosur nëse duhet ose jo të na lajmërojnë me mesazhe, duke na ndihmuar të gjejmë informacion dhe të na rekomandojnë gjëra me interes. Por, duke ditur se vlerësimet kritike të librave, indekset dhe gjithë të tjerat kërkuan shekuj që të arriheshin, nuk duhet të presim një zgjidhje të shpejtë. Ndërkohë, ne duhet të durojmë ngarkesën nga informacioni: ndjesinë që ngrihet në hapësirën e kohës midis një rritjeje të papritur në rrjedhën e informacionit dhe zhvillimit të mjeteve për ta përballuar atë.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/