Trajneri italian Roberto Mancini ka dhënë dorëheqjen nga posti që mori në maj 2018, njoftoi Federata Italiane e Futbollit (FIGC).
“FIGC e ka pranuar dorëheqjen e Roberto Mancinit nga posti i trajnerit”, ka njoftuar Federata pa i treguar arsyet e këtij vendimi, shkruan AFP.
“Duke marrë parasysh angazhimet e rëndësishme dhe të ardhshme për kualifikueset e Euro 2024, FIGC do të shpallë emrin e trajnerit të ri të kombëtares në ditët në vijim”, thuhet në deklaratë.
Mancini fitoi titullin e Kampionatit Evropian me Italinë në vitin 2021, por nuk arriti t’i çonte në Kupën e Botës në Katar, e cila u mbajt vitin e kaluar në nëntor dhe dhjetor. Në qershor, Italia fitoi vendin e tretë në finalen e Ligës së Kombeve. /tesheshi.com/