Të enjten mbrëma në Opinion, kreu demokrat Basha nuk pati mundësi që të sqarojë më detajisht cështjen e Lazaratit nën ish-qeverisjen e tij, por në një moment të caktuar tha pak a shumë se ndaj Lazaratit u zgjodh strategjia që t’i bllokoheshin rrugët trafikut.
Pra, që do të thotë se atje mund të mbillej e kultivohej kanabis, por në pamundësi për t’u nxjerr jashtë fshatit për trafikim.
Më tej, kakofonia e zërave të të ftuarve që karakterizon zakonisht studion e Fevziut, ku “s’e merr vesh qeni t’zonë”, bëri që audienca mos mundet të informohej më tej dhe në qetësi nga ish-ministri i Rendit në mandatin e dytë të PD-së, se fjala vjen sa rezultative kishte qenë kjo strategji ilustruar me tregues shifror në kuadër të luftës kundër drogës.
Sakaq, kohë më parë, ish-kryeministri Berisha pat deklaruar se Lazarati ishte lënë me vetëdije për arsye politike.
Lazarati mbetet njolla më e erët e ish-qeverisjes së PD-së e jo vetëm, pasi dhe gjatë qeverisjes së socialistëve nga 97-ta deri në 2005-ën, Lazarati ia arriti ta sfidonte shtetin dhe ligjin duke e vijuar kultivimin e kanabisit, që do të thotë se dhe atëherë u bë “një vesh shurdh e një sy qorr” nga politika.
Qeverisja e Ramës arriti t’i jepte fund epokës “Lazarat” në tregun e drogës, por tani po përballet me akuzat e lazaratizimit të pjesës tjetër të Shqipërisë, nga jugu në veri. /tesheshi.com/