Për herë të parë pas 16 vitesh, Gjermania do të ketë një qeveri të qendrës së majtë dhe një Kancelar të ri. Është Olaf Scholz, kandidati Social-Demokrat, që pason legjendaren Angela Merkel.
Ai do të ketë më në fund zyrtarisht mundësinë të drejtojë vendin pas arritjes së marrëveshjes me partitë e tjera të koalicionit, që ishte i domosdoshëm për krijimin e qeverisë së re.
Scholz pritet të përballet me krizën e koronavirusit, pasi Gjermania po regjistron rritje të rasteve çdo ditë e më shumë, por edhe kriza të tjera rajonale e globale, si ajo me emigrantët në Bjellorusi dhe konflikti mes Ukrainës e Rusisë.
Gjithashtu, Scholz do të duhet të tregojë se mund të administrojë axhendat e aleatëve në qeveri, sidomos të Demokratëve të Lirë, kryetari i të cilëve, Chrisitan Lindner, është një konservator fiskal i cili është shprehur gjithmonë kundër rritjes së taksave. /tesheshi.com/