Të jesh fotograf i kafshëve të egra nuk është lehtë pasi kërkon durim dhe përqendrim të madh. Fotografimi i kafshëve të egra mund të duket i lezetshëm, pasi ke mundësi të udhëtosh nëpër vende të ndryshme, të takosh lloj-lloj kafshe dhe natyrisht të shkrepësh fotografi mahnitëse që të gjithë do t’i pëlqejnë.
Arian Mavriqi është njëri ndër fotografët dhe eksploruesit më të njohur të natyrës i cili çdo herë vjen me foto të veçanta nga pjesë të ndryshme. I përkushtuar me syrin e aparatit, ai na mundëson të shohim krijesa të llojllojshme.
Pasioni dhe dashuria për botën e egër ka arritur që t’i tejkalojë vështirësitë e shumta të tij që ka hasur si fotograf. Në galerinë e tij personale, të apasionuarit për botën e egër mund të impresionohen nga fotografitë e shumtë që Ariani i ka shkrepur në Kosovë dhe Shqipëri.
Në intervistën për tesheshi.com, Ariani rrëfen dashurinë dhe pasionin që ka për natyrën, botën e egër dhe dëshirën që një ditë, së bashku me shokët e tij, të realizojnë një safari në Afrikë.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Mavriqi, ju tashmë jeni bërë i njohur me fotografitë e natyrës, duke shkrepur foto të kafshëve dhe shpendëve në Kosovë, Shqipëri. Si filluat të bëheni fotograf i jetës së egër, çfarë ju shtyri?
Unë qysh si fëmijë kisha shumë dëshirë që ta hulumtoja natyrën, dhe ecja për kilometra të tëra vetëm e vetëm që të mrekullohesha nga krijimtaria e Zotit, faunën, florën dhe gjithçka çfarë e rrethon këtë planet. Në atë kohë, fatkeqësisht, që i bie para luftës, nuk zotëroja një aparat që ta dokumentoja atë që shihja, por më mbetej vetëm të kënaqesha me pamjet. Pas luftës fillova të fotografoja lule, natyrën dhe disa gjëra tjera interesante, por mandej fokusin kryesor e përqendrova te fauna, gjegjësisht Ornito – faunën e shpezëve.
Çfarë ju frymëzon rreth fotografisë së jetës së egër?
Jeta e fshehtë e këtyre kafshëve, pamja e tyre, më saktësisht gjithçka që ato bëjnë është mrekulli në vete, ose më thjesht sa më shumë që e njeh faunën aq më shumë e njeh Madhështinë e Zotit, dhe qëllimin e krijimit të tyre.
Me ç’vështirësi ballafaqohet një fotograf i kafshëve të egra?
Vështirësitë janë të shumta. Kemi mungesë të kamerave profesionale për xhirim, pra jo aparateve të fotografisë, por kamerave speciale për xhirim që do na mundësonte p.sh një dokumentar të nivelit të Nat Geo. Mandej ka edhe vështirësi të tjera sidomos në lentave adekuate, që janë goxha të kushtueshme, por ja që ne e bëjmë maksimumin edhe me këto mjete që i kemi. Pastaj vështirësi tjetër për ta kryer këtë punë në përpikëri është mungesa e makinave adekuate për terrene malore, dhe shumë pajisjeve të tjera që nevojiten për xhirime.
Sa është e pasur fauna dhe flora në Kosovë por edhe në Shqipëri dhe sa është e rrezikuar nga zhdukja?
Kosova dhe Shqipëria kanë florë dhe faunë të pasur. Madje në këto dy vende gjenden gjitarë, të cilët në pjesën më të madhe të Evropës janë zhdukur. Megjithatë, mungesa e rezervateve për mbrojtjen e këtyre gjitarëve dhe gjuetia e paligjshme mund të çojë në zhdukjen e tyre. Zonat më të pasura me florë dhe faunë janë Malet e Sharrit dhe Malet e Rugovës. Momentalisht kemi një rrezik potencial të zhdukjes se shumë pjesëtarëve të faunës, e gjithë kjo nga gjuetitë ilegale, shkatërrimi i habitateve të tyre, prerja e drunjve, degradimi i lumenjve, hedhja e mbeturinave, ajri i papastër nëpër qytete… Të gjitha këto e rrezikojnë drejtpërdrejtë faunën dhe nëse nuk ndërmerret diçka shumë shpejt do të mund t’i shohim vetëm në fotografi. Dhia e egër, rrëqebulli ballkanik dhe kaprolli i Bjeshkëve të Rugovës dhe të Sharrit, derri i egër, thëllëza e fushës, thëllëza gurore dhe ariu janë vetëm disa nga kafshët e egra që janë cak i gjahtarëve në të gjitha cepat e maleve të Kosovës.
Sa po bëhet në ruajtjen e florës dhe faunës?
Fare pak! Për fat të keq nuk kemi ligje të rrepta kundër degraduesve të këtyre që i përmenda lart. Gjykatat janë jo-funksionale apo nuk shqiptohen dënime kundrejt atyre që vrasin pa mëshirë kafshët e egra po edhe shpezët, por as ndaj faktorëve tjerë që e degradojnë natyrën.
Sa keni arritur ta promovoni faunën e gjeografisë shqiptare në botë?
Deri më tani mjaft mirë. Së bashku me kolegët e mi kemi arritur që Kosovën ta fusim në hartën e fotografisë botërore të botës së egër. Misioni ynë nuk ka përfunduar akoma. Synimi ynë është që faunën e Kosovës ta prezantojmë në zhurnalët dhe revistat më prestigjioze të botës, që kanë të bëjnë jetën e egër.
Mavriqi, cila është fotoja e juaj e preferuar? A mund ta na shpjegoni historinë e saj?
Fotoja ime e preferuar është fotoja e Shqiponjës Peshkngrënëse (Osprey / Pandion Haliaetus), e cila është fotografuar për herë të parë në Kosovë dhe deri sa nuk e kam shkrepur unë nuk ka ekzistuar fare në të dhënat e institucioneve shtetërore.
Cilat janë sfidat që hasni si fotografë i natyrës?
Sfida ka plot. Shpeshherë na zë shiu e bora nëpër male, mandej kemi edhe lëndime gjatë ngjitjeve nëpër drunj për të kapur objektivin e kërkuar, etj.
Cila kafshë, shpezë do ju pëlqente më shumë për t’i kapur me syrin e aparatit atë që ende nuk e keni kapur?
Po pres me padurim ta gjej dhe ta fotografoj ujkun dhe nëse do kem fat të gjej shtrofullën e ujkut të bëj disa foto bashkë me të vegjlit. Momentalisht, ajo mbetet ëndërr imja.
Çfarë ju tërheq veçanërisht në fotografinë e natyrës dhe cila është stina juaj e preferuar?
Ngjyrat që marrin në stinë të ndryshme, ujëvarat, kodrat, lulet sidomos në pranverë më tërheqin pa masë. Edhe pse dimri mbetet stina ime e preferuar, por pa e anashkaluar edhe pranverën, sepse atëherë kthehen zogjtë shtegtarët dhe mezi pres që t’i fotografoj.
A keni ndonjë vend të cilin do të dëshironit që ta vizitonit për të realizuar ëndrrën tuaj si fotograf i jetës së egër?
Padyshim që po, një ëndërr që shpresoj ta realizoj një ditë, e që për karrierën time prej fotografi do të ishte qershiza mbi tortë është safari në Afrikë. Shpresoj që një ditë të shkojë dhe ta realizojë një album fotografik me kafshët që nuk gjenden këtu, të sjella nga një fotograf shqiptar.
Gjatë punës tuaj si fotograf i natyrës nuk mund të kaloj pa ndonjë incident qoftë i rrezikshëm por edhe që të bën të qeshesh. Keni patur ndonjë incidente të tilla?
Po kam raste shpeshta. Herën e fundit kam rënë prej vrojtores në Parkun e Blinajës për arsye se shkallët ishin vjetruar dhe për shkak te ngricave ato më lëshuan poshtë. Pësova disa lëndime, sidomos në dorën e djathtë dhe në këmbë.
A keni takuar ndonjë kafshë të rrezikshme?
Njëherë jam ndeshur me ujkun në një acar të madh, por për fat të mirë nuk ishte i rrezikshëm dhe nuk më sulmoi. Isha vërtet me fa pasi që dihet se gjatë ditëve të acarta ata bëhen agresivë.
Çfarë lloj fotografie jeni më të pasionuar?
Më së shumti preferoj Wildlife Photography. Por unë bëj fotografi të ndryshme si: natyrë, dasma, portrete, artistike, etj. E dua shumë edhe fotografinë me dron. Me një fjalë kam shumë preferenca në fotografi.
A është i shtrenjtë arti që ju e bëni dhe cila është këshilla e juaj për ata që janë në hapat e parë të kësaj natyre të fotografisë?
Pa dyshim se është shumë i shtrenjtë. Ai që mendon të merret me këtë lloj të fotografisë duhet t’i ketë parasysh dy gjëra: se fotografia e jetës së egër është zhanri më i vështirë i kësaj mjeshtrie dhe e dyta është shumë i shtrenjtë, pra duhet t’i ketë xhepat të thella.
A fitoni nga kjo veprimtari?
Thënë të drejtën pak! Thjesht burimi im i të ardhurave nga fotografia është nga albumet që jua bëj çifteve të sapofejuar apo sapomartuar.
Në fund, a e keni ndërmend të bëni një ekspozitë personale me fotografitë tuaja të jetës së egër?
Në mendje kam shumë plane. Por shumë shpejt mendoj që ta realizoj një ekspozitë me fotografi vetëm të faunës në cilësi (të fotove) të pa parë më parë. /tesheshi.com/