Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, zbuloi se ai ishte shënjestër e një atentati me helmim nga metalet e rënda, i cili ndodhi afërsisht katër deri në pesë vjet më parë.
Duke folur për stacionin televiziv 24, Fidan tha se ishte ekspozuar ndaj niveleve të larta të arsenikut dhe merkurit. “Këto u zbuluan në teste“, shtoi ai, duke theksuar se ishte helmuar dhe se kjo përbën tentativë vrasjeje.
Fidan, i cili më parë drejtoi Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës Turke (MIT), tha se ishte shënjestruar nga grupet terroriste që kur mori pozicionin e tij në agjenci.
Përveç kësaj, ai akuzoi partinë kryesore të opozitës në vend, duke thënë se përdor informacion që dyshohet se është prodhuar nga organizatat terroriste dhe rrjetet kriminale në retorikën politike. “Kjo është një rrugë e rrezikshme”, theksoi Fidan.
Ai refuzoi t’i përgjigjej pyetjes se kush qëndronte pas këtij atentati, duke thënë se “nuk ka armiq vetëm në shtëpi, ka armiq kudo”. /tesheshi.com/