Nga Blendi Gashi
Raporti i Komisionit Evropian i publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah nivelin e lartë të korrupsionit në Kosovë, ku administratën e gjyqësorit e përshkruan të ngadaltë dhe joefikase, dhe thotë se gjyqësori edhe më tej mbetet i ekspozuar ndaj ndikimit politik.
Për të luftuar këtë “kancer” që po gërryen shtetin nga paslufta, ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri ka bërë të ditur se do të themelohet një Gjykatë Speciale për trajtimin e lëndëve të korrupsionit, e që sipas tij aktualisht janë mbi 40 raste të shënjestruara të korrupsionit.
“Jemi duke e parë mundësinë e krijimit të Gjykatës Speciale, që do të trajtonte lëndët që vijnë nga Prokuroria Speciale, që të jemi më efikas në dënimet ndaj atyre që janë të përfshirë në afera të korrupsionit dhe lëndët që kanë të bëjnë me terrorizëm”, ka deklaruar Tahiri për mediat.
Përfaqësues të organizatave që monitorojnë sistemin e drejtësisë themelimin e një gjykate të tillë e quajnë një gjë positive edhe pse shprehën skeptik se mund të sjellë rezultate të mëdha.
Isuf Zena, nga organizata joqeveritare “Demokraci Plus”, propozimin e ministrit e quan interesant dhe thotë se për idenë e themelimit të një gjykate të tillë duhet të diskutohet në mënyrë që të mësohet se çfarë konkretisht po synohet, por që shprehet skeptik se mund të sjellë ndonjë rezultat.
“Demokraci Plus në parim nuk beson në institucione të tilla për shkak se në të kaluarën janë dëshmuar të pasuksesshme. Megjithatë është diçka që vlen të konsiderohet dhe të shihet nëse ideja është për ta luftuar korrupsionin apo për të fituar disa pikë politike para publikut apo faktorit ndërkombëtar”, thotë Zejna për tesheshi.com.
Kurse Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se organizata e tyre gjatë vitit 2017-të ka publikuar raport të veçantë lidhur me nevojën për prokurori dhe gjykatë speciale me mandat luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“IKD mbështet dhe vlerëson themelimin e një mekanizmi të tillë me kusht që prokurorët, gjykatësit dhe policia gjyqësore që do të mbështet këtë mekanizëm do të kalojnë përmes një procesi të vlerësimit dhe verifikimit nga partnerët ndërkombëtarë si SHBA, Britania dhe Gjermania. Rekrutimi i tyre në mënyrë të pavarur, paanshme dhe pa ndikim nga politika mund të jetë shkresë lidhur me luftimin e vërtetë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë”, thotë Miftaraj për tesheshi.com.
Kujtojmë se vetëm në kabinetin e qeverisë “Haradinaj” janë tre ministra të akuzuar për vepra të ndryshme, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, për konflikt interesi, si dhe ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, për aferën “Pronto” dhe në vend që të shkarkohen nga detyra ata pa kurrfarë problemi vazhdojnë punën.
Pas ratifikimit të marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi, lufta kundër korrupsionit në mesin e zyrtarëve të lartë, mbetet kushti i fundit nga Bashkimit Evropian për të hequr regjimin e vizave për Kosovën. /tesheshi.com/