Sipas një deklarate të përbashkët të shteteve pjesëmarrëse, udhëheqësit e G7-s janë të gatshëm t’i vënë sanksione të tjera Rusisë nëse përkeqësohet situata në Ukrainë.
Në përfundim të takimit të G7-s të mbajtur në jug të Gjermanisë, komunikata përmbledhëse e rezultateve bënte të qartë në lidhje me krizën ukrainase, “se kohëzgjatja e sanksioneve do të jetë e lidhur qartazi me zbatimin e plotë nga Rusia të marrëveshjeve të Minskut dhe me respektin për sovranitetin e Ukrainës.”
Toni i ashpër i përcolli fjalët e kancelares gjermane. Merkel tha të hënën se udhëheqësit e shtatë vendeve duan që Rusia dhe Ukraina t’i binden armëpushimit të 12 shkurtit për të cilin u ra dakort në Minsk, që në vijim mundësoi ndalimin në një masë të madhe të luftimeve në Ukrainën lindore.
“Ne jemi gati po ashtu, nëse situata përkeqësohet, gjë që nuk e duam, t’i forcojmë sanksionet nëse gjendja e bën të nevojshme, por besojmë se duhet të bëjmë gjithçka për ta çuar përpara procesin politik të Minskut,” vijoi Merkel.
Në takimin e G7-s u diskutuan dhe një sërë temash të tjera, si kërcënimet për sigurinë globale, ekonomia greke e ndryshimi i klimës.
Vladimir Putin nuk u ftua për herë të tretë të marrë pjesë në takimin e G7-s, për shkak të “agresionit në Ukrainë”, siç u quajt nga Obama, presidenti amerikan. /tesheshi.com/