Sulmet ajrore kanë zbrazur qytetet dhe fshatrat e provincës siriane Idlib, e sërish, ata që kanë mbetur luten të mos kishin qenë aty. Shumë shtëpi, spitale e shkolla janë dëmtuar nga luftimet dhe tani janë ndërruar në strehimore të momentit.
Shkollat që janë të qasshme mezi arrijnë të akomodojnë gjysmën nga rreth 600.000 fëmijë të moshës shkollore, shkruan një artikull i The Independent.
Familja Ghasan është vetëm njëra nga një milion njerëz që janë shpërngulur në Idlib dhe janë me origjinë nga provinca e Halepit. Ata ikën para ofensivës së regjimit që e kapi qytetin, me ç‘rast shtëpia e tyre u shkatërrua. Tani ata jetojnë ku të munden, herë në banesa me qira, e herë në kampe.
Dy djemtë e kësaj familjeje, 8-vjeçari Javad dhe 15-vjeçari Jazan, punojnë si gërmues varresh. Ata gjithashtu pastrojnë dhe ujisin kopshtet rreth varreve.
Megjithëse në moshë të re, djemtë tashmë kanë dëshmuar gjëra që asnjeri nuk do të duhej t’i kishte preokupim. Familja e tyre jetoi nën sundimin e IS-it për një kohë të shkurtër, një periudhë makthi që ende i përndjek djemtë.
“Gjatë luftës shihnim trupa të varur në shesh. Pamë një grua që u eliminua duke u goditur me gurë dhe një burrë që u hodh nga ndërtesa. Kështu është bërë jeta këtu, një katastrofë”, thotë Jazan.
“Gjëja më e vështirë është të shohësh në tokë fytyrat e njerëzve të pafajshëm që trajtohen si thasë”, shton ai.
Puna është e vështirë dhe nuk siguron as mbijetesë. Ata fitojnë pak para nga njerëz që vizitojnë varret, por ato janë shumë pak.
“Unë nuk luaj me asgjë këtu. Unë thjesht ulem dhe nëse dikush vjen në varre, u mbush ujë dhe u ndihmoj. Nëse askush s’na jep para, ne i pyesim nëse mund të na japin bile një këshillë, një këshillë se si të jetojmë.”
Babai i tyre thotë se do të donte t’i dërgonte djemtë në shkollë, por ka gjashtë fëmijë për t’u kujdesur. Ai nuk mund të përballojë rrobat dhe furnizimet e nevojshme.
“Situata jonë nuk mund të lejojë shkolla e gjëra të tilla”, thotë ai. “Nëse sot ai kërkon para për një fletore, unë do t’i them atij se nuk i kam. Nga mund t’i marr? Kam dhe fëmijë të tjerë që kanë nevojë për të ngrënë dhe pirë”.
Si grupet për të Drejtat e Njeriut, ashtu edhe shoqatat humanitare tani kanë bërë “zbulimin” se e ardhja e fëmijëve të Sirisë është e rrezikuar nga dështimi i plotë i shkollimit të fëmijëve.
Shumë prej atyre që kanë lindur në fillim të luftës, tani do të duhej të kishin nisur shkollën, ndërsa shumë që ishin në banka tani do të duhej të ishin në studime apo në punë.
Por në vend të shkollës dhe punës, fëmijët herë hapin varre, e herë përfundojnë në to. Paaftësia për t’i dhënë fund një konflikti civil që ka marrë gjysmë milioni jetë ka shkatërruar jo vetëm objektet e infrastrukturën, por edhe vullnetin dhe aftësinë e këtyre fëmijëve që të ecin drejt rritjes normale. /tesheshi.com/