Nga Shkëlzen Rrecaj
Prof. Dr. Dukagjin Pupovci është ekspert i njohur i arsimit. Në intervistën e mëposhtme ai flet për disa aspekte delikate të arsimit në Kosovë, por ndalet veçanërisht tek çështja e kompensimit të të gjithë atyre arsimtarëve që ishin pjesë e mësimdhënies në kushtet e vështira të okupimit serb…
Pupovci si e vlerësoni gjendjen e arsimit në vend?
Kosova ka pothuajse 400 mijë dhe nxënës që vijojnë institucionet parauniversitare dhe mbi 120 mijë studentë në arsimin e lartë. Pra rreth 30 përqind e popullsisë është drejtpërdrejt e përfshirë në sistemin e arsimit. Këto shifra janë një arritje, sepse është tregues i një ngritjeje të nivelit arsimor të popullsisë.
Megjithatë, nëse këta njerëz nuk aftësohen në masë të duhur për shkollim të mëtutjeshëm ose për tregun e punës, nëse Kosova edhe 15 vjet pas lufte është vendi më i varfër në Evropë, atëherë nuk mund të themi se jemi të kënaqur me gjendjen e arsimit në vend.
A ka arsim cilësor në Kosovë apo politika e ka degraduar cilësinë e tij?
Ndërhyrjet politike i kanë shkaktuar dhe po i shkaktojnë dëm të madh sistemit të arsimit. Në nivelin parauniversitar ky ndikim manifestohet në formë të tendencës për t’i emëruar drejtorët partiakë dhe për t’i shfrytëzuar vendet e lira të punës për akomodimin e militantëve partiakë.
Në arsimin e lartë, ndikimi politik është shfrytëzuar shpesh për t’i instaluar në njësi akademike njerëzit e afërt me grupacionet e caktuara politike, të cilët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë larg nga standardet akademike. Të mos harrojmë se në Kosovë, interesat politike dhe ato klanore janë shpesh të ndërthurura, prandaj nuk është lehtë të dallohet motivi i një ndërhyrjeje.
Sipas jush cilat janë shkaqet që pengojnë ngritjen e cilësisë në arsimin e Kosovës dhe se çfarë duhet të ndërmeret që të kemi përmirësim të situatës?
Përsëri problemet nuk janë të njëjta në arsimin parauniversitar dhe atë të lartë. Në shkollat fillore dhe të mesme problemi qëndron tek mungesa e mekanizmave për sigurimin e cilësisë. Thjesht, nuk ka koordinim në mes të mësimdhënësve, nuk ka monitorim dhe mbikëqyrje, nuk i kërkohet askujt llogari për rezultatet të dobëta. Në arsimin e lartë, kryesisht bëhet fjalë për numër enorm të madh të studenteve në raport me numrin e mësimdhënësve, por edhe jo kompetencë akademike.
Në të gjitha nivelet kemi një problem të përbashkët – jo gjithnjë njerëzit janë të gatshëm të pranojnë se nuk ka cilësi të duhur. Për shembull, prindi është i lumtur nëse fëmija kalon me sukses klasën në shkollë dhe nuk ngre çështje të cilësisë, ngjashëm edhe studenti në universitet.
A është bërë mjaft me procesin e reformave në sistemin tonë arsimor? Sa zbatohen ato?
Ka pasur mjaft ndryshime në sistemin e arsimit në 15 vitet e fundit dhe disa prej tyre tanimë janë instaluar në përditshmërinë tonë duke dhënë rezultate të mira. Por, krahas kësaj ka pasur edhe dështime, të cilat kanë qenë rezultat i planifikimit jo të mirë ose moszbatimit të planeve të hartuara. Një reformë quhet e zbatuar atëherë kur efektet e saj shihen në klasë. Shpesh ky zinxhir që niset nga Ministria dhe vazhdon tek shkolla përmes komunës ndërpritet dhe kjo është arsyeja e dështimeve.
Veprimtaria e Universitetit të Prishtinës kohëve të fundit është përcjell me probleme të mëdha, duke filluar nga zgjedhja e rektorit, senatorëve, dekanëve, etj. Si i vlerësoni këto zhvillime dhe se sa kanë ndikuar këto që ky institucion të pësojë rënie të vazhdueshme në rang-listat e përvitshme të universiteteve?
Pozita në rang-listë është tregues real i gjendjes në Universitetin e Prishtinës dhe është mirë që njerëzit po vetëdijësohen se punët nuk kanë shkuar në rregull. Është e vërtetë se ka pasur qasje klanore dhe të grupeve të interesit në zgjedhjen e zyrtarëve të lartë të UP-së, por edhe në zgjedhjen e kuadrit akademik dhe kjo është një ndër arsyet që Universiteti është këtu ku është.
Jemi dëshmitar të hapjes së kolegjeve private dhe atë kryesisht në drejtime të njëjta (ekonomi, financa, drejtësi, etj.) dhe jo të degëve shkencore ose të tjera. Sa përputhet kjo qasje me nevojat kadrovike në vendin tonë dhe se çfarë qëndrimi duhet të kenë institucionet tona drejtuese karshi kësaj praktike?
Nuk do mend se kolegjet private do të ofrojnë programe që sjellin numër më të madh të studentëve, ngase shumica prej tyre janë biznese dhe kanë për qëllim fitimin. Por habit një gjë tjetër: pse qeveria hap universitete të reja publike anekënd Kosovës, duke aplikuar programe për fusha ku tanimë kemi shumë të papunë? Dhe, të gjitha ato i mban me kuadro nga UP-ja që, edhe ashtu është të pakët sa, angazhohen në kolegje private duke sjellë rënien e cilësisë.
A janë të drejta kërkesat për privilegje në studime? Nëse po, atëherë kush janë më meritorët?
Në thelb, çdo gjë që cënon barazinë e qytetarëve nuk është në përputhje me frymën e një shoqërie demokratike. Megjithatë, në çdo shoqëri ka disa kategori që mund të quhen të margjinalizuara ose me nevoja të veçanta, e që duhet të mbështeten. Natyrisht, mbështetja duhet të jetë e tillë që të respektohen standardet akademike. Kështu, është e pranueshme të ketë vende të rezervuara për këto kategori, por duke mos ua mohuar të drejtën që të garojnë me të tjerët. Megjithatë, nuk është e pranueshme të regjistrohet dikush që nuk e plotëson kriterin minimal për pranim, pavarësisht cilës kategori i takon.
Le t’i kthehemi arsimit fillor dhe atij të mesëm. Sipas standardeve bashkëkohore, sa duhet të jetë numri i nxënësve në një klasë?
Mesatarja në shkollat fillore dhe të mesme të ulëta të Kosovës është 21 nxënës për një klasë, ndërsa për shkollat e mesme 27. Këto janë numra të pranueshëm, por duhet të kemi parasysh se po flasim për mesatare, prandaj kemi klasa me më shumë se 40 nxënës dhe kemi klasa të kombinuara ku mësojnë bashkë nxënësit e grupmoshave të ndryshme. Të dy ekstremet janë të vështira për t’u menaxhuar, por është një gjendje e cila nuk mund të ndryshohet shpejt, për shkak të kufizimeve financiare. Pastaj, duhet të kemi parasysh se numri i nxënësve nga viti në vit po zvogëlohet për shkak të rënies të natalitetit, kështu që është e pritshme që klasat të jenë më pak të ngarkuara, madje të ketë nevojë edhe për t’i bashkuar për shkak të numrit të vogël të nxënësve.
Problemet për një nxënës të shkollës fillore nisin që nga literatura, klasa e mbingarkuar e deri te çantat e rënda. Z. Pupovci, çfarë kushtesh duhet siguruar ashtu që të kemi rritje të rezultateve të nxënësve?
Me siguri që arsimi ynë ka shumë nevoja infrastrukturore, por ne kemi në Kosovë shkolla që janë po aq të bukura dhe po aq të pajisura sa shkollat në vende të zhvilluara, ku numri i nxënësve është relativisht i menaxhueshëm. Dhe, a tregojnë këto shkolla rezultate më të mira se të tjerat? Nuk besoj. Mendoj se problemi kryesor në shkollat tona është mësimdhënia.
Nuk ka mundësi që mësimdhënia të jetë cilësore, ndërsa të kemi rezultate çfarë kemi tani. Kjo është fushë ku nevojitet shumë punë dhe kjo nuk mund të arrihet vetëm përmes trajnimeve, por kërkohet një organizim tjetër në shkollë, në mënyrë që secili mësimdhënës të jetë i vetëdijshëm se i mban meritat dhe përgjegjësinë për suksesin e nxënësve të vet. Kur të ndërtohet një përgjegjësi e tillë, do të përmirësohet edhe gjendja.
A paguhen mjaftueshëm mësimdhënësit?
Mendoj se mësimdhënësit në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës kanë paga të mira në raport me kategoritë e tjera, por edhe në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Do të ishte më mirë që këto paga të ishin paguar mbi bazën e performancës që të shpërblehen ata që punojnë mirë, por ja që kjo nuk ka ndodhur. Kjo është arsyeja përse mësimdhënësit e mirë konsiderojnë se nuk janë mirë të paguar. Ndërkaq, pagat në universitete publike janë nga më të lartat në rajon dhe, do të kisha thënë, të pamerituara, duke marrë parasysh se një numër i konsiderueshëm i kuadrit universitar punojnë në disa vende, duke mos i kushtuar kohën e duhur detyrave të punës për të cilat paguhen.
A duhet t’u paguhet mësimdhënësve përvoja në arsim? Po ashtu ju keni qenë kritik për kompensimin e mësimdhënësve të cilët kanë punuar gjatë viteve në okupim. Sa e rëndon kjo buxhetin e Kosovës?
Marrëveshja e përgjithshme kolektive e nënshkruar në mes të qeverisë, përfaqësuesve të bizneseve dhe BSPK, po ashtu, parasheh pagesën e kompensimit prej 0.5% për çdo vit të përvojës së punës për secilin të punësuar në Kosovë. Për çudi, qeveria as që i referohet kësaj marrëveshjeje që është shumë më gjithëpërfshirëse sesa kontrata kolektive e arritur në mes të MASHT dhe SBASHK për të cilën aktualisht bëhet fjalë në opinion. Si marrëveshja, ashtu edhe kontrata kolektive janë nënshkruar në vlugun e fushatës parazgjedhore dhe asnjëra palë nuk e ka çarë kokën për mënyrën e zbatimit të tyre. Sigurisht që tani duhet të kërkohen rrugë për zbatim, megjithëse kjo paraqet ngarkesë të madhe si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për sektorin e biznesit, pasi e rrit ndjeshëm masën e pagave.
Mendoj se edhe premtimi për kompensimin e mësimdhënësve që kanë punuar gjatë kohës së okupimit ka qenë dhe për përfitime politike. Të gjithë e dinë se punëtorët e arsimit kanë marrë paga në vitet e nëntëdhjeta dhe këto paga janë rritur nga viti në vit, megjithëse nuk kanë mjaftuar për mbulimin e shpenzimeve të jetesës. Në librin e autorëve M. Hajrizi, I. Kastrati dhe B. Shatri që i kushtohet financimit të arsimit në vitet e nëntëdhjeta, janë dhënë shifrat e pagave mesatare përgjatë viteve. Kështu, në vitin 1992 paga mesatare në arsimin e Kosovës ka qenë 35 DM, ndërsa në vitin 1998 ka arritur në 170 DM. Është e vërtetë se në të gjitha komunat ka pasur ngecje në pagesa, madje edhe u kanë mbetur borxh punëtorëve të arsimi, sipas autorëve të librit, prej 4-13 paga mujore, varësisht nga komuna. Por të thuash se nuk jemi paguar ose të manipulosh me shuma siç veprojnë disa kolegë të mi, d.m.th ta zhvlerësosh gjithë sakrificën e njerëzve për ta mbajtur arsimin gjallë, kjo nuk është me vend. Tani, nuk di çfarë kompensimi mund të kërkojë dikush që ka punuar me rrogë, përveç rrogave që i kanë mbetur borxh. Se kjo e ngarkon shumë buxhetin e Kosovës dhe mund të shkaktojë kërkesa të ngjashme nga kategoritë e tjera, tregon vetë fakti se ky ligj ka ngecur, pasi institucionet e Kosovës nuk kanë vullnet të merren me të.
Në fund, ka mbetur më pak se një muaj nga diplomimi i maturantëve. Ata janë në dilemë të madhe përkitazi me të ardhmen e tyre: edukim publik apo arsim privat. Sipas jush cilin duhet të zgjedhin ata?
Secili duhet ta merr vet vendimin, natyrisht në përputhje me mundësitë që i ka familja. Të rinjtë duhet të synojnë që t’i sigurojnë vetes arsimim sa më të mirë që kanë mundësi, pavarësisht nëse këtë arsimim e ofrojnë institucionet publike ose private. /tesheshi.com/